Për herë të parë Tirana do të ketë edhe autobusë 100% elektrikë. Bashkia do të bëjë pjesë të flotës së transportit publik 5 autobusë tërësisht elektrikë, krahas 26 autobusëve hibridë.
Synimi, është transformimi drejt mjeteve me emetime të ulëta dhe zero, për një transport publik ekologjik duke krijuar një alternativë miqësore me mjedisin.
“Kjo është flota e re e autobusëve për linjën e unazës. Janë 100% elektrikë, kanë ardhur me zero kilometra, prodhim i 2025”, thotë Eluar Abdyli administrator i Green Line.
Një tjetër zhvillim i rëndësishëm që lidhet me transportin është projekti BRT (Bus Rapid Transit), për të cilin, në bashkëpunim me Bankën KfW dhe GIZ, që synon të dyfishojë kapacitetin e transportit të udhëtarëve dhe të krijojë korsi të dedikuara për autobusët, duke rritur shpejtësinë, efikasitetin dhe besueshmërinë e transportit publik.
Në fazën fillestare, ndërhyrjet parashikohen të përqendrohen në linjat kryesore Unaza, Kinostudio–Kombinat dhe Tirana e Re, të cilat përbëjnë korridore të rëndësishme të lëvizjes së përditshme në kryeqytet.
Kjo shihet si një strategji që qytetarët të përdorin gjithnjë e më shumë transportin publik. Sipas të dhënave të Bashkisë, që nga viti 2021, numri i pasagjerëve është rritur me 66%.












Komente
Komento