Dita e sotme është e fundit, shpresojmë, e grevës së urisë që kryetari i bashkisë së një qyteti në Francë, ka nisur prej të premtes së shkuar. Lajmi është i thjeshtë, edhe pse shumë “snob” për Shqipërinë 2012: Prefekti (kryetar i komunës, siç i thonë atje) Stephane Gatignon, të qytetit Sevran, pranë Parisit, ngriti një tendë jashtë legjislaturës të premten e shkuar, duke kërkuar pesë milionë euro fonde shtesë, për ndihma emergjente për qytetin e tij të varfër dhe për të theksuar varfërinë urbane.
"Unë jam i vendosur të shkoj përpara"-deklaroi 43-vjeçari në hyrje të tendës prej bezeje, ndërsa sot parlamentarët francezë pritet të diskutojnë fondet për qytetet e varfra. Kryebashkiaku i kërkon paratë për qeverisjen e tij lokale, e cila nuk është në gjendje të paguajë faturat për qytetin prej 51 mijë banorësh, në verilindje të kryeqytetit francez, një nga qytetet më të varfra të vendit dhe me normën më të lartë të papunësisë, por edhe të krimit.

Protesta e veçantë e kreut të bashkisë së vogël, mori përkrahjen e ministrit të Brendshëm francez, Manuel Valls dhe sot do të shihet se sa vlerë ka patur ajo te qeveria e Parisit.
Kthehemi në Tiranë. Qeveria shqiptare, me një Akt Normativ u ka hequr qeverisjeve vendore, në mbarë vendin, plot 2.5 miliardë lekë nga buxhetet e tyre. Dikush do të thotë më pak para për tu shpërdoruar për lukset e kryetarëve të bashkive dhe të komunave, që edhe pa ato nuk do ta kursejnë dhjamosjen. Ok, por kjo nuk do të thotë asgjë për mirë, sepse të parët zëra që hiqen nga buxhetet vendore, ashtu siç edhe ka ndodhur janë fondet për popullin. Pra nuk ka lekë për rroga, nuk ka lekë për investimet në sektorët jetikë të qeverisjeve vendore, siç janë çerdhet, kopshtet, shkollat, qendrat shëndetësore, ndihma ekonomike, investimet e vogla, por jetike në infrastrukturë, deri edhe te ato lekë që ta bëjmë sa më të gëzueshme skenografinë e festimeve të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.

Po si reaguan kryetarët e pushtetit vendor?

Francezit Gatignon do t'i binte damllaja mu në hyrjen e çardës prej bezeje ku po bën grevën e urisë, po të shikonte se me sa "trimëri" po e përballojnë: tamam të dhjerë, por krenarë, edhe pse për disa javë nuk lanë televizion pa dalë dhe pa u ankuar se qeveria e Sali Berishës po u merrte shpirtin. Pastaj hyri në fuqi Akti Normativ dhe gjithçka u harrua, sikur të mos kishte ndodhur. Sot, nëse do ta dijë kryebashkiaku Gatignon, homologët e tij i gjen në Sheraton të rehatuar, duke tymosur puro, tjetrin e gjen në ish-Bllok, duke folur me deputetët e PS-së, po edhe të qeverisë, një tjetër ngre zërin për rrugët e shkatërruara të qytetit, por merakun më të madh e ka për fondet që nuk i shkojnë ekipit të futbollit.

Emrat? Kujtoni ata që bënë deklaratat dje dhe që shëlluhen nëpër kafenetë dhe restorantet e Tiranës, edhe pse larg qeverisjeve vendore që kanë lënë pas në mëshirën e qeverisë së pamëshirshme dhe të papërgjegjshmërisë së tyre, si të votuar nga populli, edhe pse në shumë raste, përfaqësojnë opozitën. Dhe që sot do të talleshin me "budallain" Gatignon.


shkrimi u publikua në gazetën Shqiptarja.com, datë 13 nëntor

(ad.ti/shqiptarja.com)