Bashkim Shehu me roman të ri:
Autobiografi për burgun

Bashkim Shehu me roman të ri: <br />Autobiografi për burgun
TIRANE - Kujtimet e At Zef Pllumit, rrëfimet e një bashkëvuajtësi Avni Aliko dhe perceptimi i një shkrimtari. Mbi këtë formulë është  ndërtuar romani i ri i Bashkim Shehut  “Loja shembja e qiellit”, botuar nga Toena, promovimi i të cilit do të bëhet nesër në ambientet e Muzeut Histoirk Kombëtar. Është një roman me nota të theksuara biografike. Për të na e kujtuar këtë është kujdesur vetë shkrimtari, i cili në hyrje të romanit shënon "Pjesët që kanë të bëjnë me historinë moderne të përndjekjeve ndaj fesë në Shqipëri janë mbështetur në kujtimet e At Zef Pllumit. Për episodin e vetëndëshkimit të një babai në gjyqin e të birit, falënderoj bashkëvuajtësin Avni Aliko".

Romani rrëfen dramën psikologjike të një të riu në një raport problematik me autoritetin atëror, me autoritetin pushtetor dhe me autoritetin e Zotit.
Ai quhet Aleks Krasta dhe ka një histori të rëndë vuajtjeje dhe dënimi në kohën e diktaturës. Është një i burgosur politik. Babai i tij është përjashtuar nga partia, dhe ato çka ndodhin si reaksion i kësja në një regjim totalitar ai ai i Shqipërisë në diktaturë, janë krejt të kuptueshme. Gjatë vuajtjes së dënimit në burg, gjen mbështetje morale dhe miqësohet me një prift françeskan. Dhe dikur, mbas burgut, vendos të shpaguhet për mikun: një shpagim pa dhunë, e megjithatë i tmerrshëm, i pamëshirshëm. A mund t’i shkojë gjer në fund asaj që ka vendosur?

Rinia e Aleks Krastës është një rini e ndërprerë. Dëshirat dhe dashuritë e tij janë të gjymtuara. I përndjekur nën diktaturë me internim dhe me burg, i çorientuar në post-diktaturë, i rrethuar “nga një valle marramendëse fantazmash që e ka ndjekur gjithë jetës”, siç thuhet në roman, ai kërkon rrugëdalje nëpërmjet fesë dhe nuk arrin të besojë.

Në fabulën e romanit ndërthuren skena të dy epokave, duke përfshirë edhe ngjarje reale të futjes së armëve në Kuvendin fraçeskan të Shkodrës nga Sigurimi i Shtetit. Kujtimet e padër Zef Pllumit, i kanë dhënë dorë shkrimtarit të sjellë me vërtetësi, e të përshkruajë deri në dhimbje, aktin më të paprecent që ndodhi në  Kuvendin Françeskan, menjëherë pas daljes së urdhëresës qeveritare për grumbullimin e armëve.

Rrëfehet historia se si prifti, që është Gardiani i Kuvendit Françeskan të Shkodrës menjëherë pas daljes së kësaj urdhërese, shkon në Ministrinë e Brendshme në Tiranë për të deklaruar se në muzeun e Kuvendit gjenden tre armë të vjetra zjarri dhe një armë gjuetie me tre gryka, të gjitha dhuratë që mbreti Zog në kohën e vet, i pat bërë fratit të një famullie në Kepin e Rodonit. Frati bën me dije se Kuvendi i fretërve është i gatshëm që t'ua dorëzojë autoriteteve, por në një kohë si ajo, gjithçka mund të pritej. Kur kthehet në Shkodër, oficerët e Sigurimit po e prisnin për ta arrestuar dhe i vënë prangat në oborrin e Kuvendit. Pastaj sekuestrojnë armët e deklaruara. Në ditët që pasuan, arrestohen edhe tre priftërinj, më të njohurit, sikurse Superiori i Françeskanëve të Shqipërisë dhe ai që e zëvendësoi, vetëm për disa orë...

Përtej atmosferës që përcjellin tablo të këtilla mbi periudhën e komunizmit, në romanin e ri të Bashkim Shehut një atmosferë po kaq e rëndë, përcillet nga tablotë e epokës postkomuniste, tashmë jo prej ndrydhjeve, por prej dilemave, shpagimeve, lirisë që mbetet sërish e paarritshme, fantazmave të së shkuarës që shfaqen gjithkund. Të dënuarit e dikurshëm kanë ende pikëpyetje për lirinë e tyre. Ata që ishin të lirë atëbotë, sot kanë dilema mbi shpagimet. Ndërsa fajet që nuk u morën përsipër as kaq dekada më vonë, rëndojnë edhe me shumë se dikur.

Një përpjekje për ti bërë një skaner periudhës së errët të diktaturës, me krimet e saj, por dhe asaj të postdiktaturës ku sundojnë maskat dhe fajtorët fshihen...Ky është romani më i ri i Bashkim Shehut, një vepër që duket se do të nxisë debate e do të ngjallë diskutime.

(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Si nisi skema e mashtrimit me bursat e studimit! Zbulohet e-mail i parë të 20-vjeçarit që maskohej si “Klea Rama”, dërguar Ministrisë së Arsimit

Si nisi skema e mashtrimit me bursat e studimit! Zbulohet e-mail i parë të 20-vjeçarit që maskohej si “Klea Rama”, dërguar Ministrisë së Arsimit