BRUKSEL - Zyrtarët e Bashkimit Evropian kanë arritur një marrëveshje të përkohshme për rregullat e reja financiare, duke përfshirë edhe kufizimin e bonuseve bankare.

Marrëveshja u arrit gjatë tetë orëve bisedimesh intensive në Bruksel midis anëtarëve të Parlamentit Evropian, Komisionit Evropian dhe përfaqësuesve të qeverive së 27 të bllokut.

Sipas kësaj marrëveshje, shpërblimet do të pranohen si rrogë vjetore, por mund të rriten në nivelin e një rroge 2-vjeçare nëse ka miratimin e aksionerëve.

Britania e Madhe, e cila është qendra më e madhe e shërbimeve financiare në Europë ishte kundër dhënies së shpërblimeve.

Kryeministri David Cameron tha se BE-ja duhet të përqëndrohet në forcimin e bankave në mënyra të tjera siç është plani i Vickers në Britani e cila, në një farë mënyre është më e vështirë se sa rregulloret, që janë duke u zbatuar në vendet e tjera evropiane.

John Vickers, ekonomisti britanik i cili është kreu i Komisionit të Pavarur për Bankat ka propozuar kohë më parë një raport, se bankat britanike duhet t’i ndajnë degët e veta tregtare nga ato investuese për të evituar rrezikun nga investimet e rrezikshme.

Kryenegociatori i Parlamentit Evropian, tha se për herë të parë në historinë e rregullave financiare të BE-së do të kufizohen shpërblimet për bankierët.

(l.ç/ad.ti/shqiptarja.com)