Bashkimi, kryefjala jonë

Bashkimi, kryefjala jonë
Ja tek erdhëm sot në këtë ditë fatlume, në këtë ditë të bekuar të 28 Nëntorit 2012. Tërë kombi i ka kthyer sytë nga qyteti ynë i bukur, nga Vlora jonë e Flamurit, te ky shesh i bekuar, që mban emrin kuptimplotë “Sheshi i Flamurit” e që sivjet e kemi edhe më të zbukuruar, por që na duket shumë i vogël nga prania e këtij deti shqiptarie njerëzish të ardhur nga të tëra anët e botës, ngado ku ka shqiptarë.

Përshëndetjen e parë do t'ua adresojmë të gjithë shqiptarëve të mirë e të mençur që në këtë ditëlindje të madhe të shtetit amë, ndërmorën nisma e bënë vepra nga më të veçantat e nga më simboliket e që sot janë edhe vetë këtu për ta shënuar e për të na nderuar edhe me praninë e tyre. U nisën nga të katër anët e dheut shqiptar, me çdo mjet e mundësi, me kuaj si Isa Boletini i pavdekshëm, por edhe në këmbë në një marshim emblematik drejt Vlorës, kryeqytetit historik të shqiptarëve. Kanë ardhur ata sot nga Mitrovica e nga Ulqini, nga Tetova e nga Prishtina, nga Gjakova, nga Prizreni, nga Podgorica, nga Dibra, Kumanova e Kërçova, nga Presheva e nga Çamëria. Është këtu sot Shkodra e Saranda, Gjirokastra e Kukësi, Korça e Lezha, Tirana e Kruja, Veriu e Jugu zënë dorë për dore.
Kanë ardhur me qindra e mijëra edhe nga Italia, nga Greqia, nga Zvicra e Gjermania, nga Suedia e deri nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Jemi të gjithë pjesë e kësaj feste të ndritur e të papërsëritshme, që është festë e zemrave shqiptare.

Një përshëndetje plot me mall më lejoni t'ua drejtoj atyre që i kemi larg, vëllezërve e motrave emigrantë që nuk mundën të jenë këtu me ne, por që festuan e do të festojnë shqiptarçe në cilindo qytet e shtet të globit tokësor që sot na ngjan më i vogël se kurrë!
28 nëntori i vitit 1912 është një ngjarje historike nga më të rëndësishmet për kombin tonë.

Ajo është ditëlindja e të parit shtet modern shqiptar, me një fytyrë e përmbajtje të qartë kombëtare e demokratike. 28 nëntori është dita e shpalljes së Pavarësisë, por është edhe dita e Rilindjes së Shqipërisë pas 500 vitesh dhe e shpëtimit të saj nga orekset gllabëruese të shovinizmave të të gjitha ngjyrave. 28 nëntori 1912 është për të gjithë ne shqiptarët, pa asnjë përjashtim, pasqyra ku sot ne mund e duhet të shohim veten tonë, drejtësinë e ideve tona, peshën e veprimit tonë. Vetëdija jonë moderne ka në themel të saj vizionet programatike të baballarëve të kombit tonë, të atyre që ditën e mundën të ndërtojnë shtet.

Sot shënohet mbyllja e 100-vjetëshit të parë, për të çelur një tjetër etapë në këtë proces të vështirë të shtetformimit. Nëse Ismail Qemali, Isa Boletini, Dom Nikollë Kaçorri, Luigj Gurakuqi e të tjerët, si dhe të gjithë patriotët e atdhetarët shqiptarë të fillimit të shekullit të kaluar, kontribuan për themelet e shtetit kombëtar shqiptar, pasardhësit e tyre dje dhe ne të gjithë sot kemi një detyrim edhe më të madh: që projektin e tyre, të bërë tashmë realitet, ta përmirësojmë, ta rimodelojmë sipas të gjitha parametrave e standardeve të një shteti të përparuar evropian. Kjo festë e madhe e 100-vjetorit ka qenë për ne edhe një moment reflektimi. Ky shekull historie që sot mbyllet, ka pasur peripeci e aksidente, ka pasur padrejtësi që ende rëndojnë, por mbi të gjitha, ka pasur pak nga ajo që ne e kemi dashur dhe e duam më shumë: LIRI! Liri si komb, por edhe liri e të drejta për secilin pjesëtar të tij, në të gjithë hapësirën mbarëkombëtare. Ky reflektim i sotëm le të shërbejë për të çelur më qartë perspektivën e së nesërmes. Misionarët e sotëm të politikës kanë detyrimin madhor të punojnë për vendin e për kombin me vetëdije të lartë e me përkushtim të pandalshëm.

S'kemi më asnjë minutë kohë për të humbur. Vetëm kështu ne mund të shkruajmë historinë e re të shqiptarëve, për t'ua lënë trashëgim brezave pasardhës, pa iu druajtur gjykimit të tyre e pa pasur nevojë ta rishkruajmë atë! Nëse ka një kryefjalë, nëse ka një lejtmotiv të kësaj feste të 100-vjetorit, kjo fjalë është BASHKIMI. Bashkim vëllazëror në të tëra dimensionet, në të tërë spektrin e ngjyrave, bashkim kombëtar si një proces i pakthyeshëm e i pandalshëm; Bashkim jo si një mbledhje matematikore e thatë e shifrave, por si një alkimi bashkimi zemrash, vullnetesh e fuqish të pashterura!
Shembull e model i këtij bashkimi është edhe ajo që po ndodh sot, tani, këtu, te ky shesh i lavdishëm! Vlora jonë ka arsye të ndihet krenare në këtë ditë. Jo vetëm si qyteti që u bë kërthiza e Pavarësisë së Shqipërisë, por edhe si qyteti që gjatë këtyre 100 viteve e mbajti vazhdimisht të ndezur e të gjallë këtë ide e frymë lirie.

Është kjo një krenari vlonjate e ligjshme, sepse ishin Vlora e vlonjatët që në çdo moment që e kërkoi dhe e thirri historia e këtyre 100 viteve, ata iu përgjigjën me sakrifica nga më të mëdhatë e më sublimet.
Kështu ka qenë e kështu do të jetë përherë! Por ne kemi dhe një tjetër krenari: kemi Ismail Qemal Vlorën, burrin e shtetit, babain e shtetit të parë modern shqiptar.

Të gjithë ne shqiptarët kemi arsye të jemi krenarë se babai i shtetit të parë shqiptar, kryetari i të parës qeveri kombëtare shqiptare, ishte një diplomat i mençur e jo një prijës a një komandant ushtarak; Ismail Qemali ishte një politikan i urtë e patriot i flaktë, nuk ishte një sharlatan e predikues ideologjish të rrejshme. Në jetë të jetëve u nderoftë kujtimi dhe vepra e tij! Dhe së fundi, më lejoni që një përshëndetje speciale e një falenderim të madh t'i drejtoj qytetit tim, qytetit tonë, që e nderoi edhe një herë veten dhe ia doli të jetë sërish në lartësinë e detyrimit historik për ta festuar me dinjtet këtë 100-vjetor.

Atmosfera që kemi përjetuar e po përjetojmë këto ditë në qytetin tonë, na bën të kuptojmë edhe më mirë se si pararendësit tanë të para një shekulli mundën të mbajnë me dinjitet peshën e ngjarjeve historike të atij momenti. Gëzimin dhe harenë, krenarinë dhe atdhetarinë që po përjetojmë sot këtu, le ta mbajmë gjallë e ta përçojmë edhe në Kosovë, atje ku vitin e ardhshëm do të festojmë 5-vjetorin e Pavarësisë së shtetit më të ri të shqiptarëve, por edhe në ngjarje të tjera historike që mesa duket do t'i kemi së shpejti, siç edhe i dëshirojmë.

*(Fjala përshëndetëse e Kryetarit të Bashkisë Vlorë dje në Sheshin e Flamurit)


(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se vendosja e fashës 800 kWh do të sjellë kursim të energjisë?



×

Lajmi i fundit

Aksident tragjik në Greqi, humb jetën çifti nga Saranda! Lanë pas 3 fëmijë

Aksident tragjik në Greqi, humb jetën çifti nga Saranda! Lanë pas 3 fëmijë