Bashkitë kanë krijuar një stok detyrimesh prej 210 mln eurosh

Bashkitë kanë krijuar një stok detyrimesh prej 210 mln eurosh

Foto ilustruese

Sipas një raporti mbi financat publike vendore 2017, publikuar nga Co-plan dhe Ministria e Financave bashkitë kanë krijuar tashmë një stok i detyrimesh të prapambetura, ndaj shtetit apo të tretëve, i cili deri në fund të vitit 2017 shënoi rreth 28.3 miliardë lekë, ose 210 milionë euro.

Krahas detyrimeve të trashëguara prej rreth 11.8 miliardë lekësh në vitin 2015, stoku i detyrimeve të prapambetura të krijuara rishtazi deri në fund të dhjetorit të vitit 2017 rezultoi në rreth 16.5 miliardë lekë. “Detyrimet e krijuara rishtazi lidhen kryesisht me kontrata për investime, shpenzimeve për mallra dhe shërbime si dhe vendime gjyqësore”, theksohet në raport.

Të dhënat tregojnë se rreth 75% e stokut të detyrimeve të prapambetura mbartet nga 10 bashki. Nivelin maksimal të detyrimeve të prapambetura e ka Bashkia Tiranë me rreth 3.9 miliardë lekë, sa 41.8% e stokut total në fund të vitit 2017.

Bashkia Lezhë renditet e dyta për nga niveli i detyrimeve të prapambetura, me rreth 529.7 milionë lekë ose rreth 5.7% ndaj totalit. Në të kundërt, bashkia Dropull rezulton të mos ketë fare detyrime të prapambetura për periudhën e konsideruar.

Të ardhurat
Megjithatë, performanca e organeve të pushtetit vendor ka vijuar të jetë pozitive. Të ardhurat e veta (nga taksat, tarifat, asetet dhe të tjera) regjistruan një vlerë prej rreth 20.3 miliardë lekë, në rritje me rreth 3.6 miliardë lekë, ose rreth 22.2% krahasuar me një vit më parë. Ecuria e kësaj kategorie të ardhurash sinjalizon për vijimësi të përmirësimit të performancës të të ardhurave vendore në përgjithësi.

Ndërkohë, rezulton i vështirë analizimi i arsyeve pas përmirësimit të performancës pozitive në të ardhurat nga taksat dhe tarifat vendore: rritja e të ardhurave nga kjo kategori është përcaktuar nga rritja e nivelit të përgjithshëm të taksave apo zgjerimit të bazës së taksueshme në bashki.

Ecuria pozitive e të ardhurave të veta në vitin 2017 u kushtëzua ndjeshëm nga performanca e mirë e ndjekur nga të ardhurat nga taksat vendore të cilat regjistruan një nivel prej rreth 12.7 miliardë lekë, në rritje me rreth 27.4% krahasuar me vitin 2016.

Analiza e detajuar sipas zërave të taksave tregon se kjo performancë pozitive është udhëhequr nga rritja e të ardhurave nga taksa e ndikimit në infrastructure, e cila shënoi dhe nivelin më të lartë historik që prej vitit 2010. Të ardhurat nga kjo taksë kontribuuan me rreth 5.2 miliardë lekë në buxhetin vendor, në rritje të ndjeshme krahasuar me nivelin e kësaj takse prej 2.7 miliardë lekësh të regjistruar një vit më parë.

Performanca në të ardhurat prej kësaj takse sugjeron për rigjallërim të aktivitetit ndërtues në vend, si privat (rritje e numrit të lejeve të ndërtimit nga bashkitë në vijim të miratimit të planeve të përgjithshme vendore nga rreth 455 leje të reja në vitin 2016 në rreth 819 leje të reja në vitin 2017), ashtu dhe publik (investime publike të ndërmarra nga qeveria qendrore).

Në nivel bashkie, rreth 66.9% e të ardhurave nga taksa e ndikimit në infrastrukturë u regjistruan në buxhetin e Bashkisë Tiranë (nivel ky rreth 1.6 herë më i lartë krahasuar me nivelin e të ardhurave nga kjo taksë një vit më parë).

Shpenzimet kapitale apo investimet vijuan prirjen rritëse, duke u zgjeruar me rreth 32.9% në vitin 2017 krahasuar me një vit më parë. Mesatarisht, në tre vitet e fundit pesha e shpenzimeve kapitale ndaj totalit të shpenzimeve është rritur, duke përfaqësuar rreth 30% të tyre. Në vitin 2018, ecuria e përgjithshme e shpenzimeve vendore është përcaktuar gjerësisht prej rritjes së shpenzimeve kapitale, ku rreth 67.3% e tyre është financuar me burime të veta të bashkive.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kushtetuesja rrëzon 4 familjarët e ish-zv/kryeministrit Ahmetaj dhe bashkëjetueses së tij, SPAK u sekuestroi prova për hetimin! Zbardhet VENDIMI

Kushtetuesja rrëzon 4 familjarët e ish-zv/kryeministrit Ahmetaj dhe bashkëjetueses së tij, SPAK u sekuestroi prova për hetimin! Zbardhet VENDIMI