Të gjitha detyrimet tatimore dhe doganore të krijuara deri në 31 dhjetor të vitit 2014 do të fshihen me përjashtim të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

Projektligji për fshirjen e borxheve tatimore dhe doganore tashmë është gati dhe ka nisur të konsultohet me institucionet dhe grupet e interesit.

“Fshihen plotësisht detyrimet tatimore të papaguara, direkte apo indirekte, të papaguara, që i përkasin periudhave tatimore deri 31 dhjetor 2014, të cilat rezultojnë të regjistruara në llogaritë tatimore të tatimpaguesve apo të regjistruara në kontabilitetin e administratës tatimore, përveç kontributit të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, si dhe rasteve kur parashikohet ndryshe në këtë ligj”, thuhet në projektligj.

Në nenin 5 të projektligjit që po diskutohet me grupet e interesit “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore dhe detyrimeve të pagueshme në doganë”, thuhet se tatimpaguesve që kanë sigurime shoqërore dhe shëndetësore të papaguara deri në 31 dhjetor 2024, do tu falen vetëm gjobat dhe kamatëvonesat.

“Shuhen dënimet administrative (gjobat dhe kamatëvonesat) për sigurimet shoqërore e shëndetësore që i përkasin periudhave tatimore deri 31 dhjetor 2014, që rezultojnë të regjistruara në llogarinë e tatimpaguesit, përfshirë të vetëpunësuarit në bujqësi, por pa përfshirë kontributin”, thuhet në pikën 2 të këtij neni.

Nga ‘Paqja Fiskale’ nuk do të përfitojnë të gjithë. Në projektligj është parashikuar që të gjithë bizneset që janë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë ose janë në proces gjyqësor apo hetimi për vepra penale në fushën tatimore ose doganore nuk do të përfitojnë nga fshirja e detyrimeve.

SA BORXHE DO TË FALEN PËRMES ‘PAQES FISKALE’?

Projektligji është i hartuar në bazë të detyrimeve të akumuluara deri në 31 dhjetor të vitit 2024, ku rezulton se borxhet e krijuara deri në fund të 2014-ës janë 29.5 miliardë lekë ose afro 295 milionë euro. Nga këto borxhe 45.3 milionë euro janë për sigurime shoqërore dhe shëndetësore, që nuk fshihen, përveç se i hiqen gjobat e kamatat. Pra nga detyrimet tatimore, pa sigurimet fshihen gati 249.7 milionë euro.

Ndërsa nga ana doganore, rezulton se borxhi i subjekteve me vjetërsi mbi 10 vjeçare arrin në vlerën 257.6 milionë euro, bashkë me interesat dhe kamatëvonesat.

Praktikisht borxhi me vjetërsi mbi 10 vjeçare, ose që është krijuar deri në fund të 2014-ës arrin në vlerën e 507.3 milionë euro.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë Relacion Për fshirjen e detyrimeve tatime,dogana

 

 

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë .Projektligji Për fshirjen e detyrimeve tatime, dogana

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:48
Rreth 207 mijë biznese me borxhe tatimore dhe doganore përfitojnë nga ‘Paqja Fiskale’! Borxhet pas 2015, lehtësi me ‘kushte’

Të gjitha detyrimet e krijuara nga 1 janari 2015 e deri më 31 dhjetor 2019 do të përfitojnë zbritje detyrimi në varësi të mënyrës se si paguhen.

Në nenin 6 të projektligjit thuhet se do të shuhet 50% e detyrimit tatimore (jo kontributet) nëse pjesa e mbetur prej 50% do të paguhet me një këst brenda 30 qershorit të vitit 2026.

Kur ky kusht nuk realizohet do të falet 25% e borxhit nëse pjesa e mbetur prej 75% paguhet me këste mujore deri në fund të dhjetorit të vitit 2026. Por në të dyja këto raste gjobat dhe kamatëvonesat thuhet në projektligj do të fshihen.

Tabela me borxhet tatimore

Ndërsa kategoria tjetër me borxhe nga 1 janari 2020 e deri në fund të dhjetorit 2024, do të përfitojnë falje të gjobave dhe kamatave nëse i paguajnë të gjitha detyrimet tatimore brenda vitit 2026.

Kurse për të gjithë ato subjekte që kanë sigurime shoqërore dhe shëndetësore të papaguara, do të përfitojnë falje të gjobave me kushtin që të paguajnë kontributin të plotë brenda 31 dhjetorit 2026.

Gjithashtu do të fshihen detyrimet që lidhen me mos-deklarimin në afat të të punësuarve, ato që lidhen me mosdeklarim në afat të deklaratave apo pasqyrave financiare.

DETYRIMET DOGANORE TË BIZNESEVE

Njësoj si për detyrimet tatimore edhe borxhet doganore të krijuara nga 1 janari 2015 e këtej do të përfitojnë lehtësi

Për detyrimet e pagueshme në doganë, të evidentuara nëpërmjet vendimeve të kësaj administrate nga data 1 janar 2015 deri më 31 dhjetor 2019:
a)     shuhen në masën 50% e e taksës doganore, TVSH-së, akcizës, taksave kombëtare që mblidhen nga dogana në rolin e agjentit tatimor, nëse pjesa e mbetur 50% e tyre paguhet e gjitha njëherësh brenda datës 30.6.2026;

b)    shuhen në masën 25%, e e taksës doganore, TVSH-së, akcizës, taksave kombëtare që mblidhen nga dogana në rolin e agjentit tatimor, nëse pjesa e mbetur 75% e tyre paguhet me këste mujore të barabarta brenda datës 31.12.2026.

Po ashtu ju fshihen edhe detyrimet që janë krijuar nga gjobat dhe kamatëvonesat. Në rastin kur është paguar principali dhe subjekti ka detyrime të papaguara vetëm gjoba dhe kamatëvonesa në llogarinë e tij, falen gjobat dhe kamatëvonesat.

Edhe tek detyrimet doganore do të shuhen gjobat dhe kamatëvonesat që i përkasin periudhës nga data 1 janar 2020 deri më 31 dhjetor 2024, me kusht që detyrimi për periudhën përkatëse të paguhet i plotë brenda datës 31.12.2026.

Tabela me borxhet doganore

SA ËSHTË NUMRI I BIZNESEVE QË PËRFITOJNË?

Në total Administrata Tatimore ka 202,387 tatimpagues debitorë me detyrime tatimore të papaguara në shumën 162,535,463 mijë lekë ose 1 miliardë e 625 milionë euro.

Ndërsa detyrimet doganore të papaguara deri në datën 31.12.2024, janë gjithsej 48,588,510 mijë lekë ose 485.8 milionë euro me 4,684 raste.