Bashkitë rrisin borxhet me 291 mln lekë! Nuk paguan investimet as shërbimet! Vora e Kavaja në vështirësi financiare

Bashkitë gjatë vitit të kaluar kanë thelluar më tej borxhet, pavarësisht se buxheti i shtetit ju dha në fund të vitit 2.2 miliardë lekë për të shlyer ato.

Referuar të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave në fund të dhjetorit, pushteti vendor kishte 5.7 miliardë lekë borxhe të pa shlyera, nga 5.4 miliardë lekë që ishin detyrimet në vitin 2022, duke u rritur me 291 milionë lekë.

Shkaqet kryesore për këtë rritje të detyrimeve vijojnë të jenë investimet e bëra nga privati dhe që nuk janë paguar nga pushteti vendor, por po ashtu një peshë të konsiderueshme mbajnë shërbimet e papaguara dhe largimet e padrejta nga puna.

Më konkretisht bashkitë deri në fund të vitit të kaluar kishin 2.2 miliardë lekë borxhe për investime të papaguara, 571 milionë lekë detyrime për shërbimet që kanë marrë dhe 426 milionë lekë janë vendimet gjyqësore ku pjesa më e madhe janë largimet nga puna të punonjësve në mënyrë të padrejtë.

Peshën më të madhe të detyrimeve e mban Bashkia e Tiranës me 1.4 miliardë lekë, por gjendja e saj financiare konsiderohet pozitive për shkak të nivelit të lartë të të ardhurave që mbledh gjatë vitit.

Në vështirësi serioze financiare paraqiten bashkitë Kavajë dhe Vorë, që kanë respektivisht 793 milionë lekë dhe 412 milionë lekë detyrime të pashlyera. Edhe në analizat e bëra për vitin 2022 nga Ministria e Financave këto dy bashki vlerësoheshin në vështirësi financiare. Gjatë këtij viti një tjetër raport do të bëhet mbi gjendjen e tyre, dhe do të merren masa deri tek caktimi i një administratori për ti menaxhuar financiarisht nëse do të jetë e nevojshme.

Po ashtu detyrime të larta kanë edhe bashkitë Durrës, Dibër, Pogradec dhe Kamëz, që kanë në total rreth 1 miliardë lekë borxhe. Krejt ndryshe është situata në bashkitë Kolonjë, Korçë, dhe Shijak që kanë vetëm 500 mijë lekë borxhe në total.

Problemi i akumulimit të borxheve të papaguara është i mbartur që pas reformës territoriale të vitit 2015, ndërsa kryebashkiakët për këtë situatë fajësojnë paraardhësit që në kohën kur vendi ishte i ndarë me komuna. Sipas tyre këto borxhe të merren përsipër nga shteti, pasi nuk mund të lahen me të ardhurat që mbledhin bashkitë.

DETYRIMET E PAPAGUARA TË BASHKIVE

Viti 2022            5,428 mln lekë

Viti 2023            5,719 mln lekë

Diferenca            +291 mln lekë

 

BORXHET SIPAS KATEGORIVE

Investime                     2,279 mln lekë

Shërbime                      571,3 mln lekë

Vendime gjyqësore       426,5 mln lekë

Kategori të tjera           2,032 mln lekë

                 

DETYRIMET SIPAS BASHKIVE

Bashkia Tiranë            1,429 mln lekë

Bashkia Kavajë              793 mln lekë

Bashkia Vorë                  412 mln lekë

Bashkia Durrës              345 mln lekë

Bashkia Dibër                244 mln lekë

Bashkia Pogradec          224 mln lekë

Bashkia Kamëz              200 mln lekë

Bashkia Gjirokastër        1 mln lekë

Bashkia Pustec                0.8 mln lekë

Bashkia Has                    0.6 mln lekë

Bashkia Shkodër             0.6 mln lekë

Bashkia Kolonjë             0.3 mln lekë

Bashkia Korçë                0.1 mln lekë

Bashkia Shijak               0.1 mln lekë

G.K//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Të shtëna me armë zjarri në Durrës, nuk raportohet për të lënduar! Shkak sherri mes dy personave në lokal, dyshohet se u përdor 'Shotgun'

Të shtëna me armë zjarri në Durrës, nuk raportohet për të lënduar! Shkak sherri mes dy personave në lokal, dyshohet se u përdor 'Shotgun'