Bashkurti: “Kumanova” skenar i Gruevskit, po cënon stabilitetin e Ballkanit

Konflikti i Kumanovës është pa më të voglin dyshim një skenar i qeverisë Gruevski, i cili sa herë rrezikon pushtetin përdor shqiptarët dhe konfliktet etnike për të tërhequr vëmendjen nga problemet e qeverisjes së tij.
Kështu mendon Lisen Bashkurti, një ndër diplomatët dhe analistët më të njohur shqiptarë, njohës i çështjeve të rajonit, në një intervistë dhënë për KosovaPress, ku flet për ngjarjen në Kumanovë, qeverinë Gruevski dhe etninë shqiptare që jeton atje.
Ai ka thënë se ka një mungesë të madhe të informacionit dhe informacion shumë kontradiktor, prandaj kërkohet një hetim i plotë e i gjithanshëm, i gjerë, i shpejtë dhe transparent.
"Ajo që mund të themi qartësisht është se ky incident i rëndë është rezultat i një atmosfere të përgjithshme të paqëndrueshme politike, etnike, ekonomike, sociale, sigurie dhe gjeopolitike të Maqedonisë. Në mënyrë të veçantë në këto dy- tre vitet e fundit, qeveria aktuale e Gruevskit e ka çuar vendin drejt një gjendje krize komplekse që karakterizon tashmë marrëdhëniet midis maxhorancës dhe opozitës, marrëdhëniet mes faktorëve etnikë, ku vendi është me një papunësi mbi 28 %. Në aspektin e sigurisë, në mënyrë të veçantë mbas përgjimeve të 26 mijë qytetarëve që tregon se autoritarizmi i qeverisë Gruevski po e shëndërron shtetin, gati-gati në një shtet policor që tenton të kontrollojë të gjitha institucionet", thotë Lisen Bashkurti.
Më tej, Bashkurti argumenton pse incidenti i Kumanovës është një taktikë e Gruevskit për qëllime politike, për ta shkëputur vëmendjen nga skandali i përgjimeve. Për Bashkurtin, Qeveria e tij po e kalon krizën te elementi etnik shqiptar dhe po përdor termin terrorizëm për t'i mbushur mendjen faktorit ndërkombëtar.
"Jam i mendimit se kjo është më shumë një taktikë e bërë nga qeveria e Gruevskit për të realizuar nëpërmjet një aksioni disa qëllime politike. Së pari për të tërhequr seriozisht vëmendjen e faktorit të brendshëm por edhe ndërkombëtar e mediatik nga skandali shumë i rëndë i përgjimeve që është një Maqedoni -gate, që është në përmasa shumë të rënda, që ka krijuar makth, panik. Së dyti mendoj se përmes këtij aksioni, Gruevski dhe qeveria e tij tentojnë ta identifikojnë krizën te elementi etnik shqiptar. Së treti mendoj se me një veprim të tillë Gruevski dhe qeveria e tij ka tentuar që të përdor edhe disa kategori termash që janë relativisht joshëse dhe provokative për opinionin ndërkombëtar, në mënyrë të veçantë termin terrorizëm," thotë Bashkurti.
Në këtë situatë përgjegjësia primare bie mbi qeverinë, mazhorancën aktuale në Maqedoni, por edhe mbi politikanët shqiptarë, për të cilët qytetarët shqiptarë që jetojnë atje, me të drejtë kanë krijuar pakënaqësi, pasi ndihen të pa përfaqësuar.
"Natyrisht është rritur shumë edhe pakënaqësia e shqiptarëve ndaj lidershipit shqiptar dhe në një farë mënyre kanë të drejtë, sepse ata kanë zgjedhur lider që t'i përfaqësojnë interesat e tyre, t'i mbrojnë liritë dhe të drejtat e tyre. Më shumë lidershipi politik shqiptar në Maqedoni po bëhet dorë e zgjatur e Gruevskit, vazhdues i praktikave dhe i sjelljeve të tij. Në një farë mënyrë po e arsyetojnë në bashkëqeverisje dhe strategjinë e Gruevskit për të manipuluar, për të korruptuar, për të shantazhuar dhe shpërdoruar lidershipin shqiptar për interesa të mirëfillta të nacionalizmit sllavo-maqedonas," thekson Lisien Bashkurti.
Sa i përket Marrëveshjes së Ohrit, diplomati Bashkurti mendon se për moszbatimin e saj gjatë këtyre 10 viteve, përgjegjësi ka edhe vetë BE, pasi kjo para sa gjithash është një marrëveshje ndërkombëtare, dhe duhej monitoruar prej tyre.
Ai shton se Shkupi, Beogradi dhe Moska, po ndjekin të njëjtën politikë duke bërë armiq komunitetet etnike apo shtete të caktuara në rajon, vetëm e vetëm për të fuqizuar pozitat e tyre nacionaliste.
"Nëse do të vazhdohet me këtë politikë, e cila synon që të kërkojë fajësimin tek shqiptarët te komuniteti etnik shqiptar, të një politike e cila kërkon të krijojë armiq fiktiv siç janë komunitet etnike, ose armiq në rajon, siç janë anatemimi për shembull i Greqisë ose i Kosovës, ose i vendeve të tjera, është tipikisht një taktikë e njohur kjo që buron nga Putini, dhe deri në Shkup. Identifikimi i kundërshtarit kryesor me shqiptarët etnikë atje dhe identifikimi i faktorëve gjeopolitikë si kërcënim për ekzistencën e Maqedonisë, konsiderohen si dy instrumentet kryesore, për identifikimin e nacionalizmit sllavo-maqedon për të fuqizuar pozitat nacionaliste të qeverisë Gruevski," thotë Bashkurti, duke iu referuar ngjarjeve në Kumanovë.
Lidhur me frikën e këtyre shteteve për krijimin e Shqipërisë së Madhe, Bashkurti thotë se ky është një term-fiksion i shpikur nga Serbia, e cila vetë ka dëshiruar prej dekadash të krijojë Serbinë e Madhe. Ai shton se nuk ka asnjë dokument dhe asnjë platformë që mund të provojë Shqipërinë e Madhe, ndërsa sot pavarësia dhe sovraniteti i Shqipërisë dhe Kosovës, me sa duket i shqetësojnë më shumë seç duhet fqinjët tanë përreth.
Duke iu rikthyer edhe një herë situatës në Maqedoni, Lisen Bashkurti thekson se me skenarin e tij, Gruevski po cënon jo vetëm stabilitetin e Maqedonisë por të gjithë rajonit. Ndaj, ai kërkon ndërhyrjen e ndërkombëtarëve.
"Skenari që ka tentuar të realizoj, dhe mendoj po tenton ta realizoj edhe me tutje qeveria Gruevski, po shoqërohet me humbje jetësh njerëzore, dhe kjo kërcënon seriozisht stabilitetin jo vetëm të Maqedonisë por të gjithë Ballkanit. Mendoj se është koha për një tërheqje shumë të madhe të vëmendjes, sidomos të vendeve të BE-së, të NATOS-s, të OSBE-së, por në mënyrë të veçantë rolit dhe prezencës shumë më ndikuese të SHBA-ve për ruajtjen e stabilitetit të brishtë të Ballkanit", e mbyll argumentin e tij për ngjarjen në Kumanovë diplomati Lisen Bashkurti./atsh/

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Porositi vrasjen e Saimir Kodrës / ‘Nuk po e gjejmë dot qenin, fle te Plaza’. Pajtime Fetahu: Është edhe Arben Llangozi, do përfundojë si Raviku. Vajza e gjyqtares: Mami e kënaqur që po flet me ju