Besëlidhja në basketboll për djem nuk e ka në plan të ndalë ‘diktaturën’. Për herë të tretë radhazi lezhjanët kanë fituar Superkupën e Shqipërisë, duke mposhtur Tiranën me rezultatin 82-71. Një sukses që erdhi në minutat e fundit në ‘Feti Borova’, ndërsa Superkupa është trofeu i dytë në këtë fillim sezoni pas Kupës së federatës.
“Ishte një nga objektivat dhe tani na prek kampionati dhe kupa. Do përgatitemi akoma më mirë sepse kemi goxha gjëra për të përmirësuar në lojën tonë, që të marrim më të mirën e të gjithëve,”-u shpreh Eldi Hysa, kapiten i Besëlidhjes.
“Deri diku jam i kënaqur me djemtë. Ky trofe është pjesë e qëllimit të klubit, por me atë lojë që pamë sot kemi akoma gjëra për të përmirësuar, duke patur parasysh se kemi 6 afrimë të reja në ekip. Jemi në rrugën e duhur për objektivat për një kampionat kompetitiv, përfaqësim dinjitoz për Ligën Unike dhe titullin kampion,”-tha Afrim Bilali, trajner i Besëlidhjes.
“U ndjeva shumë mirë. Dua të them, nuk do t’ia kisha dalë pa shokët e ekipit. Sot e qarkulluam shumë mirë topin dhe mbi të gjitha më pëlqeu mënyra se si arritëm ta fitonim ndeshjen në minutat e fundit,”-deklaroi Cole Bown, basketbollist i Besëlidhjes.
Në basketboll për vajza situata nuk ndryshon shumë, vetëm se protagoniste janë sportistet e Flamurtarit. Në finalen e Superkupës, po në Feti Borova, vlonjatët mposhtën me rezultatin 84-74 Tiranën, duke e fituar këtë trofe për të tretin sezon me rradhë.







Komente
Komento