Bastet sportive online nuk do të mund të luhen nëse nuk hyni në sistem me kartë identiteti, madje edhe të skanuar. Kjo parashikohet në vendimin e fundit të qeverisë ku caktohen kushtet që duhet të përmbushin operatorët që do të licencohen për të ngritur sistemet e basteve sportive online. Akti i miratuar nga qeveria është vetëm një nga shumë të tillë që duhen për të plotësuar të gjithë kuadrin e nevojshëm për ta bërë funksional ligjin e hyrë në fuqi që në vitin 2024.
***
Në mbledhjen e fundit, qeveria miratoi një prej vendimeve të nevojshme për t’i hapur rrugë zbatimit të ligjit për bastet sportive. Përmes këtij akti përcaktohen kushtet se si do të funksionojnë sistemet e basteve sportive. Ato duhet të ketë të garantojnë mekanizma për gjurmim të çdo veprimi të përdoruesit, si edhe të ketë algoritme të posaçme për llogaritje të fitimeve.
Në vendimin e miratuar, me fokus kushtet që duhet të plotësojnë operatorët privat, sqarohet që sistemet duhet të garantojnë kërkesat për identifikimin e regjistrimin e lojtarëve, me qëllim sigurimin e aksesit të ligjshëm, mbrojtjen e të dhënave dhe parandalimin e lojës së paligjshme. Gjithashtu faturat duhet të regjistrohen dhe të monitorohen në kohë reale.
Por si do të regjistrohet lojtari?
Futja në sistem do të bëhet vetëm përmes numrit të identitetit të përdoruesit shoqëruar me dokument identifikimi të skanuar, adresë e-mail-i dhe numër telefoni. Çdo gjurmë, thuhet në vendim, duhet të ketë një numër identifikues.
“Log-et duhet të jenë të pandryshueshme. Ato mund të arkivohen, por, në asnjë rast, të fshihen”, thuhet në vendim.
Për të mbrojtur lojtarët, si kriter në vendim, është theksuar se atyre duhet t’u ofrohet një histori të transaksioneve, duke përfshirë totalin e depozitave, tërheqjeve, fitimeve apo humbjeve, thënë ndryshe bilancin aktual të llogarisë së lojtarit.
Gjithashtu në sisteme duhet të garantohet ndërveprim dhe shkëmbim i plotë informacioni dhe të dhënash në kohë reale ndërmjet Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, për qëllime kontrolli, monitorimi dhe mbikëqyrjeje të aktivitetit të basteve sportive online.
Ligji në fuqi prej 2 vitesh parashikon dhënien e 10 licencave, por deri më tani asnjë nuk ka asnjë operator të licencuar, në mungesë të akteve nënligjore të cilat duhet të ishin bërë gati brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit, ndërsa aktiviteti ka vijuar në paligjshmëri. Ministri Malaj, premtoi miratimin e tyre brenda një kohe të shpejtë, por pa dhënë një afat konkret.
Komente









