Qeveria po plotëson gradualisht kuadrin rregullator për funksionimin e basteve sportive online 2 vite pas miratimit të ligjit në parlament.

Në mbledhjen e fundit, Këshilli i ministrave miratoi kriteret e vlerësimit, afatet, procedurën e konkurrimit për dhënien e licencës për bastet sportive on-line të cilat aktualisht po veprojnë në informalitet.

Kompanitë që synojnë të marrin licencë për bastet online do t’i nënshtrohen një procedure konkurruese, ku vlerësimi bazohet në disa elementë kyç, si oferta ekonomike, përvoja në fushën e lojërave të fatit, kapacitetet teknike dhe organizative, si edhe siguria e sistemeve softëare.

Fituesi zgjidhet mes aplikanëve me pikët më të larta nga 100 në total. Oferta ekonomike dhe përvoja në lojërat e fatit vlerësohen me nga 30 pikë. Kapacitetet organizative të kompanisë me 20 pikë, ndërsa plani i biznesit dhe kapacitetet e sistemeve softëare me përkatësisht 5 dhe 15 pikë.

Në total, do të jepen jo më shumë se 10 licenca në rang kombëtar.

Përgjegjës për procedurën konkurruese do të jenë Autoriteti i Mbikqyrjes së Lojërave të Fatit, Komisioni i Licencave që do të vlerësojë dhe vendosë për fituesit si dhe Ministria e Financave e cila do të shqyrtojë ankimimet.

Aplikanti ka gjithashtu detyrimin ligjor të paguajë një tarifë aplikimi në vlerën 500 mijë lekë ndaj AMLF-së, tarifë e cila nuk kthehet pavarësisht aplikimit të suksesshëm ose jo.

Por paralelisht me këtë proces, një tjetër vendim i qeverisë, i datës 11 mars, përcakton mënyrën konkrete se si do të funksionojnë sistemet e basteve online dhe çfarë garancish duhet të ofrojnë për përdoruesit.

Një nga elementët kryesorë është identifikimi i detyrueshëm i lojtarëve. Aksesi në platforma do të bëhet vetëm përmes kartës së identitetit, e cila duhet të skanohet, së bashku me të dhëna të tjera si numri i telefonit dhe adresa e e-mail-it. Çdo përdorues dhe çdo veprim në sistem do të ketë një identifikues unik, me qëllim gjurmimin e plotë të aktivitetit.

Nga miratimi në Parlament në vitin 2024, bastet sportive janë të ligjshme, por vetëm në letra, pasi për ta bërë funksional ligjin nevojiten aktet nënligjore. Aktiviteti gjithsesi ka lulëzuar në mënyrë ilegale. Këtë e tregojnë të dhënat zyrtare, ku vetëm në 3 vitet e fundit janë goditur nga policia mbi 1200 raste dhe mbi 2400 persona u arrestuan apo hetuan në gjendje të lirë.