TIRANE - Shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Nickolas Cannon dhe atasheu ushtarak britanik, kolonel Bob Barnes të akredituar në shqipëri, kanë inspektuan sot stërvitjen e përbashkët shqiptaro-britanike “Black Eagle”, që po zhvillohet në mjediset stërvitore të Batalionit të Forcave Speciale.

Ata kanë inspektuar qitjen me armët e këmbësorisë që zhvillohet në kuadrin e stërvitjes së luftimit të afërt, si dhe kanë ndjekur nga afër demonstrimin e veprimeve taktike të grupeve gjatë hyrjes në godinë, ku u krye edhe qitje me fishekë luftarakë për asgjësimin e objektivave.

Në këtë stërvitje nga pala shqiptare marrin pjesë trupa të Kompanisë së Dytë të Aksioneve Alpine, ndërsa nga pala britanike marrin pjesë përfaqësues të zyrës së stërvitjes të Njësisë 43 Komando dhe dy toga të skuadronit “O” të Regjimentit 43 Komando.

Programin dhe ecurina e deritanishme e kësaj stërvitjeje të rëndësishme do t’i shërbejë perfeksionimit të mëtejshëm bashkëpunimit me forcat aleate dhe ato partnere, rritjes së shkallës së përgatitjes luftarake për misionet paqeruajtëse në Afganistan dhe në misione të tjera në kuadër të NATO-s etj, kanë deklaruar përfaqësuesit e forcave të armatosura.

Në përfundim të këtij inspektimi, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi ka falënderuar efektivat pjesëmarrëse në këtë stërvitje për përkushtimin e treguar deri tani dhe shprehu vlerësimin maksimal për nivelin e profesionalizmit e bashkëpunimin e shkëlqyer midis trupave tona speciale dhe trupave komando britanike. Ndërsa ambasadori i Britanisë së Madhe, Nickolas Cannon falënderoi të gjithë trupat për arritjet e tyre në këtë stërvitje të përbashkët shqiptaro-britanike, duke shprehur besimin se stërvitje të tilla do të planifikohen dhe zhvillohen edhe në të ardhmen.

(ar/shqiptarja.com)