TIRANE - “Ty s’të punon o burrë, kudo që me shku!” Batuta që lë shumë shtigje për keqkuptime ka dalë sot nga goja e kryeparlamentares Jozefina Topalli dhe i referohet një prej deputetëve socialistë, Taulant Ballës.

Ky i fundit po bëhej gati të merrte fjalën gjatë seancës parlamentare dhe çuditërisht nuk po arrinte të gjente një mikrofon që funksiononte, ndonëse u detyrua që të ndërronte disa vendndodhje. Në këtë pikë ka mbërritur edhe batuta e kryeparlamentares, të cilës, në respekt të traditës shkodrane, nuk i kanë munguar edhe notat humoristike: “Ty s’të punon o burrë, kudo që me shku!”, i tha Topalli Ballës duke shkaktuar të qeshura në sallën e Kuvendit.

Në fakt, marrëdhëniet mes zonjës Topalli dhe deputetit socialist kanë prodhuar edhe një tjetër batutë të famshme të kryeparlamentares. Disa vite më parë ajo iu drejtua stafit të Kuvendit duke i kërkuar që të nxirrnin Ballën jashtë pas një debati që ai zhvilloi me Kryeministrin Berisha: “Në fakt ky e meriton me e kap për zhelesh e jashtë”.