Ajo që u vu re ishte pikërisht mungesa e ish-kryeparlamentares, Jozefina Topalli, e cila nuk ka marrë pjesë as në takimin e parë që është bërë me kryeparlamentarin, Ilir Meta.
Ndonëse takimi i parë mes ligjvënësve ishte formal, në të nuk munguan as batutat. Duke iu referuar ngjyrës së sallës, ku do të bëhen mbledhjet e Aleancës së Grave Deputete, e cila është ngjyrë blu, mes të qeshurave deputetja e LSI, Monika Kryemadhi i drejtohet kryetares së kësaj aleance me batutat.
“Mesila e paske bërë edhe ngjyrën e sallës si ngjyrën e partisë?”, iu drejtua Kryemadhi Dodës. Kjo u anashkalua me buzëqeshje nga ana e kryetares së kësaj aleance, e cila më pas vijoi të fliste me forcimin e rolit të grave në politikë.
Ndërkohë që lidhur me këtë grupim, doda në një intervistë televizive ka vënë në dukje edhe mungesat e grave të tjera të Kuvendit si dhe qëndrimin e tyre në lidhje me këtë grupim. “Ka dhe disa gra që e kalojnë me indiferencë, disa të tjerë e kalojnë me mosbesim dhe disa të tjerë më shumë interes si dhe shprehin mbështetjen për këtë nismë të re. Të jenë të sigurt të gjitha palët edhe ata që bëjnë sikur nuk e shikojnë dhe ato që bëjnë sikur e shikojnë dhe nuk u pëlqen kjo, ne do ngulmojmë deri në fund për të rritur përqindjen e grave në politikë”, ka thënë Doda.
Ndërkohë që gjatë fjalimit të saj në takimin e parë të Aleancës së Grave ajo vlerësoi rolin e grave shqiptare të cilat çdo ditë përballen me problematika të ndryshme të dhunës në familje, si një plagë e rëndë që shqetëson shoqërinë shqiptare, ndërkohë që vuri theksin në fuqizimin e tyre, rritjen e rolit dhe pranisë së tyre në politikë, krijimin e një pozite sociale preferenciale për gruan shqiptare, si dhe ngjizjen e një rrjeti solidar mes grave deputete në Kuvend, për të qenë zëri i atyre grave të cilat mund të kenë funksione vendimmarrëse, por edhe grave të zakonshme dhe veçanërisht atyre në nevojë që kanë nevojë të ndjehen pjesë e shoqërisë sonë.
Gjatë bisedës së tyre, deputetja Olta Xhaçka mbështeti këtë iniciativë shumë të domosdoshme në kushtet kur pozicioni i gruas shqiptare në shoqëri, nuk është ai që duhet të jetë dhe për këtë arsye duhet të bëhemi të gjitha së bashku për të advokuar me një zë.
“Ne kemi përgjegjësi të shtuar si përfaqësuese të popullit, për të arritur këtë qëllim të gjitha së bashku, përtej kufijve partiak, për të avancuar një qëllimi i cili është shumë i rëndësishëm, jo si deputete, por kryesisht si gra”, deklaroi Xhaçka.
Më tej, deputetet e AGD u shprehën se krahas aprovimit të rregullores dhe deklaratës së përbashkët të grave pjesëtare, do të zhvillojnë takime periodike për koordinimin e nismave ligjore në dobi të gruas shqiptare, si dhe ndërmarrjen e iniciativave të ndryshme për fuqizimin dhe konsolidimin e “AGD”, me miratimin e një kalendari konkret aktivitetesh.
Shkrimi u publikua sot (6.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)