Bayern Mynchen nuk ka gabuar në javën e 17 të Bundesligës duke fituar me rezultatin e pastër 2-0 kundër Wolsburg. Në Allianz Arena pjesa e parë do të mbyllej me porta ta paprekura pavarësisht tentativave të shumta të skuadrës vendase, ndërkohë që të dy golat do të vinin në minutat e fundit.
Ekzaktësisht në minutën e 85 do të vinte goli që zhbllokoi shifrat i realizuar nga 18-vjeçari Zirkzee. Holandezi nuk fali nga brenda zonë pas një asisti të Thomas Muller. Katër minuta më pas Gnabry do të dyfishonte dhe do të vuloste rezultatin përfundimtar në të njëjtën kohë pas një aksioni model të skuadrës bavareze. Kjo është java e fundit para ndërprerjes dimërore në Bundesligë që e rendit Bayern-in në vendin e tretë, ndërsa vendi i parë mbahet nga Leipzig me 4 pikë më shumë.
Ndërkohë në La Liga Barcelona është rikthyer te fitoret pas dy barazimeve radhazi. Në Camp Nou katalansit nuk i kanë diskutuar tre pikët pasi kanë mposhtur 4-1 Alavaes. Griezman zhbllokoi rezultatin në minutën e 14, ndërsa në fundin e pjesës së parë Arturo Vidal dyfishoi shifrat para se skuadrat të shkonin në dhomat e zhveshjes.
Në pjesën e dytë Alaves shkurtoi përkohësisht para se Messi dhe Suarez të realizonin edhe dy gola të tjerë, të cilët janë të mjaftueshëm për Barcelonën për t’u renditur e para pas 18 javësh në La Liga.