Bayern Mynih fiton edhe Superkupën e Gjermanisë. 5 trofe në vetëm pak muaj brenda vitit 2020-të për bavarezët që po konfirmohen një skuadër e papërmbajtshme. Bayerni e mundi Dortmundin 3-2 në finalen e Superkupës pasi bëri një fillim shumë të mirë të takimit dhe shënoi dy herë me Tolisso dhe Muller. Por verdhezinjtë fillimisht ngushtuan rezultatin me Julian Brandt dhe në fillimin e pjesës së dytë e barazuan ndeshjen me sulmuesin Haland. Goli që solli trofeun për Bayernin u shënuan nga Joshua Kimich 8 minuta nga fundi. Bayerni është një “përbindësh” me 5 tituj në një vit dhe synon edhe Kupën e Botës për Klube.
Në Itali Atalanta është një “rrul” që po shtyp të gjithë kundërshtarët ndërsa Gjimshiti fitoi derbin me Strakoshën. Ekipi nga Bergamo bëri surprizën duke fituar me rezultat të thellë 4-1 ndaj Lazios në “Olimpico”. Dygolësh shënoi Gomez dhe nga një gol shtuan Gosens dhe Hateboer për miqtë ndërsa Caicedo realizoi golin e vetëm për bardhekaltërit.
Fitoi ,argëtoi dhe u ngjit në kuotën e 6 pikëve edhe Interi. Zikaltërit mposhtën Beneventon në transfertë 5-2 me dygolësh të Lukakut ndërsa rrjetën e tundën edhe Gagliardini, Hakimi dhe Lautaro. Interi i Contes po tregohet i frikshëm.
Nuk shkëlqeu por fitoi Real Madrid në ndeshjen e javës së tretë në La Liga. Goli i Vinicius ishte i mjaftueshëm për të mposhtur Real Valladollid.
Përgatiti Andi Kapxhiu