Bayern Munich ka zhvilluar “bisedime konkrete ” me sulmuesin e TSH Hoffenheim, Fisnik Asllani (23 vjeç), sipas Florian Plettenberg. Bavarezët po kërkojnë një alternativë rezervë për Harry Kane dhe ndërsa Nicolas Jackson është aktualisht i huazuar në klub, nuk ka gjasa që ai të qëndrojë, kështu që Bayern tani po kërkon një alternativë.
Asllani është shfaqur si një opsion real për Bayern, falë formës së tij mbresëlënëse këtë edicion. Sulmuesi i përfaqësueses së Kosovës është golashënuesi më i mirë i Hoffenheim këtë sezon në Bundesligë, me pesë gola të realizuar. Paraqitjet e tij kanë tërhequr vëmendjen e shumë klubeve të mëdha evropiane, duke e vendosur 23-vjeçarin në qendër të tregut të ardhshëm veror.
Një element kyç është klauzola e lirimit e sulmuesit, e cila aktivizohet vetëm në fund të sezonit. Kjo e bën largimin e tij pothuajse të sigurt dhe klubet e interesuara kanë nisur tashmë garën për të siguruar shërbimet e tij. Bayern, që e ka ndjekur lojtarin prej kohësh, ka shkuar një hap më tej duke zhvilluar bisedime direkte me futbollistin rreth një kalimi të mundshëm në “Allianz Arena” verën e ardhshme.
Megjithatë, bavarezët nuk janë të vetmit në garë. Edhe Barcelona raportohet të jetë e interesuar për Asllanin, çka e rrit ndjeshëm konkurrencën për nënshkrimin e tij. Bayern po përpiqet të veprojë me shpejtësi për të mos humbur një objektiv që shihet si ideal për të rritur alternativat në sulm dhe për t’i ofruar Kane një mbështetje të fortë në vijën e avancuar.
Komente







