Baze: Histeria false kundër Lulzim Bashës për Unazën

Baze: Histeria false kundër Lulzim Bashës për Unazën

Nën tensionin e pritshëm të prishjes së shtëpive të fundit që po bllokojnë projektin e  Unazës së Madhe në kryeqytet, duket se shumë shigjeta helmuese janë drejtuar nga Lulzim Basha, për mosreagimin e tij. Dhe kjo, kryesisht nga mbështetës verbalë të opozitës, nga ata që tentojnë të influencojnë në rrjete sociale, nga karrige zyrash, apo qoshe kafenesh.

Në të vërtetë, sot nuk është dita të shpallet ndonjë fajtor. Faji i asaj që ka ndodhur në Unazën e Madhe, nuk qëndron tek reagimi i sotëm, cilido që të jetë ai, por tek mosreagimi i viteve të shkuara, kur ne i lamë të gjithë ata fatkeqë të ndërtonin aty ku ishte e qartë se nuk duhet të ndërtohej.

Dhe këtë nuk e ka bërë vetëm partia që ka trashëguar Lulzim Basha, por dhe partia që ka trashëguar Edi Rama.

Ai është një krim i kryer në dekada, është një tmerr pa fund i zaptimit, mungesës së vizionit për urbanizimin e qytetit, shkeljes flagrante të njollës së vizatuar të Unazës qysh në fund të viteve ‘80 etj.

Nuk po hyj më tej tek problemet e pronës, zaptimit të tokës së pronarëve dhe plagëve të tjera sociale që ka hapur.

Sot është vërtet fundi i tmerrshëm i këtij fenomeni, që i jep fund tmerrit pa fund të 30 viteve. Por nuk është dita të linçohet Lulzim Basha, pse nuk e ndal dot këtë vendim.

Ajo për të cilën duhet fajësuar Lulzim Basha, është se në mungesë të aftësive për të prodhuar opozitë reale, kapet pas çdo kauze sociale banale, që të ndihet gjallë.

Protesta e Unazës së Madhe nisur një vitë më parë, nuk u përkah nga Lulzim Basha, si një kauzë që ai mendon se ishte e drejtë, por si një kauzë që shpresonte se mund ta nxirrte nga gropa ku kishte rënë.

Ai shpresoi se dhuna e ca tipave tek Unaza e Madhe do ishte një shkëndijë për dhunë kombëtare, për revolucion, për jelekverdhë, për marrëzira të tjera, gjysma marksiste e gjysma fashiste, që ai shpresonte se do ta bënin të ndjehej gjallë.

Projekti i shpronësimit të Unazës së Madhe është projekt i çdo qeverie shqiptare, përfshi dhe i Lulzim Bashës, kur ishte kryetar bashkie.

Sot, ai thjeshtë e ka parë se flaka e Unazës së Madhe nuk ngrohu zemrat e shqiptarëve për luftë, por rriti nervozizmin e tyre ndaj bllokimit të një projekti që po e kthen Tiranën në një ferr të pajetueshëm.

Ai sot mund të fajësohet pse rriti pritshmërinë e tyre, pse i gënjeu, pse i veshi me jelekë të verdhë, për t’u dukur si revolucionarë francezë, por jo pse nuk i ndali fadromat.

Nuk mund të ndalë, as ai, askush tjetër, një akt i cili ka interes themelor publik, pasi ka të bëjë me mbijetesën e një kryeqyteti që po i zihet fryma nga trafiku.

Lulzim Basha duhet fajësuar për atë që ka bërë, jo për atë që nuk bën dot sot. Asgjë nuk bën dot sot dhe nuk është faji i tij.

Ajo protestë nuk zgjoi zemërim popullor për projektin, por më shumë zemërim ndaj protestuesve. Ata u përdorën si kamikazë nga partia e Lulzim Bashës, me shpresë se do të ndiznin shkëndijat e një lufte.

Asgjë nuk ndodhi dhe sot nga hiri i godinave të prishura, ne duhet të reflektojmë për më shumë barazi dhe drejtësi për ata njerëz, ndaj të cilëve janë përdorur kritere të ndryshme shpërblimi dhe për të qenë të gjithë të barabartë para ligjit, por jo të vajtojmë pse dështoi revolucioni që Basha shpresonte.

Sot duhet të reffektojmë për tentativat e korrupsionit, apo keqpërdorimin që i bëhet projekteve të tilla me rëndësi të jashtëzakonshme nga oligarkë të lidhur me pushtetin, për interesa të tyre, por jo pse ka fituar ndërtuesi mik me Lulin, lotin më të vogël.

Tirana nuk mund të ngelet peng i një grupi të gatshëm histerikësh që bëjnë si protestues, edhe tek Teatri, edhe tek Unaza, edhe tek Parku, edhe tek molotovët e Parlamentit, ata të cilët bëjnë edhe si ekologjistë, edhe sulmojnë parqet e fëmijëve, edhe si adhurues biçikletash, edhe si përkrahës së rrumpallës që prodhon trafik.

Ata janë një grup gjobaxhinjsh shëtitës, që mendojnë se duke vjedhur çdo kauzë sociale si protestues, siç vidhnin dje si ish- drejtora, bëhen të rëndësishëm. Në fakt, ata po bëhen varri i çdo proteste.

Kauza e Unazës së Madhe, nuk është kauzë politike, por politikë e sforcuar për të prodhuar një kauzë. Sforcimi prodhoi më në fund, dështimin e saj dhe një leksion të hidhur për të gjithë ata që duan të nxjerrin gështenjat nga zjarri me duart e hallexhinjëve.

Për këtë po, mund ta shani Lulzim Bashën. Jo se sot u çua prapë vonë nga gjumi. Mirë bëri. Ditë shiu është./ tema

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Gjirokastër/ Nuk iu bind urdhrit të policisë, arrestohet 37-vjeçari, në automjet kishte 11 emigrantë

Gjirokastër/ Nuk iu bind urdhrit të policisë, arrestohet 37-vjeçari, në automjet kishte 11 emigrantë