Baze: Rasti kur Lulzim Basha udhëheq Berishën dhe Metën

Për herë të parë prej kur Basha është emëruar në krye të PD, ai po i dikton aksionin politik opozitës, duke tërhequr pas vetes, ose duke bërë nervozë, dy aktorët më të rëndësishëm dhe realë të opozitës, Sali Berishën dhe Ilir Metën.

E di që shumë vetë ndahen, nëse sjellja e Bashës është e dobishme, apo e dëmshme për opozitën, në rastin e tërmetit,  por është e qartë se sjellja e tij diktoi sjelljet politike të Sali Berishës dhe Ilir Metës, që tentuan ta kthejnë tragjedinë e tërmetit, në një fushatë agresive nekrofile.

Qëndrimi i tij i matur, ditët e para, provokoi një tërbim politik të Berishës dhe Metës, që ndjehej në mediat e kontrolluara të tyre në opozitë dhe sidomos në portalin e djalit të Berishës.

Basha u sulmua dhe tentuan ta kompleksojnë si kolabracionist me Ramën, por ajo që ndodhi më në fund, ishte që Meta filloi të sillej si zyrtar që interesohej për fatkeqët, ndërsa Berisha i mbyllur në vilën e tij në Lalz, tenton të helmojë atmosferën, me shpresë se më shumë do të ndryshojë Bashën, se sa Edi Ramën.

Postimet e tij haluçinante, që e gjente shkakun e tërmetit tek “Syri i Kulçedrës” që kishte bllokuar Edi Rama, apo postimi horror që Edi Rama kishte varrosur një njeri të gjallë tek shembja me eksploziv e një godine në Shkozet, pa përjashtuar çdo postim nekrofil të tij, tregojnë qatë se ai po përpiqet të tërheqë Bashën tek një linjë agresive politike , duke përdorur tërmetin. Kapakun ja ka vënë sot, kur i quan viktimat e tërmetit, si “vrasje shtetërore”, ndërkohë që “Gërdecin”, që ja bëri i biri me duart e tij për të fituar lekë, e shpalli “aksident teknologjik”.

Kjo është hera e parë që Basha i dikton aktorët e tjerë opozitarë, qyshkurse ata e kanë pranuar formalisht në krye të opozitës.

Por a ka humbur apo ka fituar Basha nga kjo sjellje?

Sondazhet që tentojnë të krahasojnë popullaritetin e Ramës, me të Bashës në këtë moment, janë profesionalisht të gabuara. Rama dhe Basha nuk kanë të njëjtën përgjegjësi ndaj situatës dhe nuk kanë të njëjtat mjete në dorë për ta ndryshuar atë.

Në fatkeqësi të tilla, qeveria është Zoti i zbritur në tokë, pasi prej asaj njerëzit presin ndihmën, presin shtëpinë, presin shpëtimin fizik dhe rinisjen e jetës normale. Prej opozitës nuk presin dhe nuk kanë pse të presin asgjë.

Për Bashën mund të bësh sondazh, në raport me liderët e tjerë opozitarë, por jo me kryeministrin, i cili as për meritë të tij, e as për fatin e keq të tij, ka ndodhur të jetë kryeministër në këtë fatkeqësi.

Bilanci i kryeministrit ndaj fatkeqësisë, bëhet kur ai të mund t’ia dalë kësaj situate, kur të sistemojë njerëzit e dëmtuar dhe të realizojë Projektin e Rindërtimit.

Por Lulzim Basha e ka fituar sondazhin e tij ndaj drejtuesve të tjerë të opozitës, edhe pse kanë tentuar ta kompleksojnë. Ai po i udhëheq ata.

Dhe këtu nuk e kam fjalën tek propozimet e tij gjysmë populiste për shpëtimin nga situata, sidomos ato që lidhen me legjendat urbane dhe shifrat qiellore të shpikura për të ashtuquajtura koncesione.

Lulzim Basha e ka fituar betejën me të tjerët në opozitë, se nuk ja ka ngritur nervat askujt në këtë situatë, ka dëshmuar një fytyrë qytetare dhe është ndodhur mes njerëzve, qoftë dhe si dëshmitar i fatkeqësisë së tyre. Nuk ka çfarë bën më shumë.

Të gjithë ata që tentojnë ta shtyjnë Bashën të bëjë propozime në formë kushtesh për qeverinë, e sidomos propozime populiste, thjeshtë duan ta fusin në një garë që nuk i duhet dhe që mund ta humbasë pa arsye.

Edi Rama po kristalizon projektin e tij të daljes nga situata, i cili mund të jetë një fitore ose humbje për të në fund të procesit. Lulzim Basha nuk ka pse bën garë në një histori ku nuk ka as përgjegjësi shtetërore dhe as mundësi financiare. Ai normal që mund të denoncojë transparencën e munguar nëse e konstaton, korrupsionin nëse shfaqet gjatë procesit, apo dhe qasjen e gabuar ndaj kompensimit, nëse ka një opsion të tij, por nuk ka pse futet në garë me qeverinë, se ku do t’i gjejë lekët, nga buxheti apo donatorët.

Askush nuk e di saktë sa para mund të grumbullojë qeveria nga donatorët apo buxheti në këtë histori, dhe Projekti i Rindërtimit ende nuk është i rrezikuar nga mungesa e fondeve. Ai mund të rrezikohet nga mungesa e ideve, apo futja në spirale etatiste të procesit të kompensimit, ose fenomene të tjera, për të cilat opozita duhet të rrijë gati, por ende nuk janë në pikëpyetje paratë. Ndaj qasja e Bashës është më realiste se qasja e Berishës dhe Metës .

Ai nuk ka pse bën një betejë që nuk është e tij dhe nuk ka pse i jep pikë Edi Ramës për një proces, në të cilën fitorja është detyrë e qeverisë, ndërsa humbja i kushton vetëm Edi Ramës.

B.K./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se në mars do të ketë një datë konkrete për çeljen e negociatave Shqipëri-BE?

Komento

Komente

  • Adri: 07/12/2019 17:00

    ky Kel..Baza(e) me duket se filloj prape ta kthej pllaken dhe te lepihet pak nga PD....njeri pa krakter....

    Përgjigju