Baze: Të mos sillemi sikur e kemi Europën kundër

Baze: Të mos sillemi sikur e kemi Europën kundër

Aleksandër Soros nuk ka thënë asgjë të re, për të mos thënë që për momentin ka thënë gjënë e gabuar. Ai ka hapur një debat të ri rreth asaj që ai e quan si “sindromi i Albanofobisë” tek disa vende evropiane. 

Nuk është ndonjë zbulim i ri dhe as ndonjë zhvillim i shmangshëm. “Albanofobia” është një perceptim racist për ne, i krijuar nga izolimi ynë prej Europës dhe dështimet tona në histori. Ky fenomen ka prodhuar dhe të kundërtën e vet në Shqipëri, që janë “eurofobët”, të cilët shpjegojnë çdo dështim të Shqipërisë dhe të tyre me Europën “plakë”.

“Albanofobia” ka qenë përdorur si tezë dhe nga Sali Berisha në vitin 2011 e më pas në Samitin e Munihut, pasi dështoi të avanconte kërkesën për statusin e vendit kandidat për anëtar të BE, edhe pse i bleu Francës, 70 milionë euro helikoptera, edhe pse i firmosi symbyllur Karamalisit kufirin detar dhe i dha disa klientëve të Berluskonit disa liçenca për parqe energjetike në Shqipëri. Nuk ja doli dot dhe pastaj klientelizmin e tij e shpjegoi me “Albnanofobinë” e Europës.

Nga ana tjetër çdo politikan shqiptar kur i ka pasur keq punët me Europën është bërë “eurofob”, madje duke ju referuar herë pas here, edhe klerikut më pro-perëndimor të Shqipërisë, Gjergj Fishtës.

Por e vërteta është se ne nuk jemi në momentin e një refuzimi nga Europa dhe as nuk duhet të sillemi si të tillë. 

Ne, kurrë në historinë tonë, nuk kemi pasur kaq personalitete Perëndimore, simbole të Europës së sotme, pro nesh. Lexoni një për një ato çfarë shkruajnë, që nga Presidenti i BE, e deri tek Komisioneri i Zgjerimit si dhe gjithë zyrtarët e lartë europianë. Janë të gjitha përgjërime pro Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut. Lexoni çfarë shkruajnë kryeministrat e 25 vendeve të BE, të gjithë të keqardhur për vendimin ndaj nesh dhe e shikoni, se kurrë nuk jemi parë më shumë se sa sot, si aleatë të Europës. Lexoni po ashtu qëndrimin e fortë të SHBA pas kësaj për të kuptuar se çfarë reaksioni shkaktoi Macron.

Ne kemi sot një problem me Presidentin e Francës dhe jo me Francën. Duke bërë llogaritë e tij elektorale ai mendon se fiton pikë në Francë, duke viktimizuar dy vende që duan te bëhen gati për të hyrë në Europë. Dhe kur e ka bërë këtë, nuk ka llogaritur reagimin tonë, se ai nuk i hyn në punë. Ka llogaritur sulmet e Europës kundër tij, për t’u treguar kundërshtarëve racistë të tij, se është në garë me ta, dhe se po noton dhe ai në ujërat e tyre.

Ndaj nuk duhet të sillemi sikur kemi Europën kundër por ashtu siç është e vërteta. E vërteta është se ne kemi kundër Presidentin e Francës, i cili ka më të rëndësishëm pushtetin e tij, se Europën. Kjo gjë padyshim e dobëson Europën, e bën më të pafuqishme zërin e saj në anët tona, dhe ngjall më pak besim për çdo betejë të thirrur në emër të saj.

“Albanofobia” në këtë rast, nuk është një armë e shkrepur mbi ne, por një pushkë e vjetër e ekspozuar në sallonet e politikës franceze, për të trembur francezët. 

Përparësia e Macronit është se këtë pushkë kundër nesh e ka shkrepur në një vend, ku dinë shumë pak gjëra për ne.

Në fund të qershorit Presidenti Sarkozi kaloi 24 orë në Butrint e Ksamil, pasi zbriti në Tiranë, dhe i vetmi “shock” që e shoqëroi 24 orë, ishte se si nuk kishte parë një grua të mbuluar shqiptare. Pyeste çdo orë për këtë, pasi i dukej sikur dikush e kishte inskenuar Shqipërinë që ai shikonte, për të fshehur atë realen me “ferexhe”. Nuk e kishte nga “Albanofobia”,  por nga mos-njohja e Shqipërisë. Është presidenti që s’na ka bërë asgjë të keqe si President i Francës, por që fatkeqësisht na di njerëz me ferexhe. Macroni nuk besoj se ka nevojë ta dijë si jemi, pasi për atë ka rëndësi si i duhemi.

I duhemi gogol për votuesit francezë dhe ashtu po na përdor. Për këtë arsye ka kundër gjithë Europën, SHBA dhe gjithë rajonin. Ka me vete vetëm Tit Vasilin, Berishën dhe Bashën në Tiranë, të cilët janë të vetmit “albanofobë” aktivë në Evropë. Por nuk është se i bëjnë punë Macronit. Ata shpresojnë që Macroni u bën punë atyre në Shqipëri dhe Gruevskit në Maqedoni. Ndaj nuk duhet të sillemi sikur kemi kundër Europën, por duhet të ndjehemi të frikësuar që Europa tani e ka zërin e ngjirur për t’u dëgjuar deri këtu./ tema

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen