BB jep 32.1 milionë euro për
sistemin shëndetësor shqipta

BB jep 32.1 milionë euro për<br />sistemin shëndetësor shqipta
Banka Botërore do të asistojë qeverinë shqiptare përmes një huaje prej 32.1 milionë eurosh në përmirësimin e sistemit shëndetësor. Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, nënshkroi të martën me përfaqësuesen e përhershme të Bankës Botërore për Shqipërinë, Tahseen Sayed, në Tiranë, marrëveshjen e huasë që siguron financimin e nevojshëm për projektin.

Projekti do të bashkëfinancohet gjithashtu nga Qeveria Shqiptare në vlerën 4 milionë euro, shumë e cila do të shërbejë për financimin, në masën 37%, të punimeve të rehabilitimit fizik dhe përmirësimit të infrastrukturës spitalore, si dhe kontributin në pagesat e detyrimeve tatimore të lidhura me Projektin.

Projekti i përmirësimit të sistemit shëndetësor, tha ministri Shëlqim Cani kontribuon në forcimin e administrimit dhe qeverisjes në spitalet publike, përmirësimin e mënyrës së financimit shëndetësor, zbatimin e sistemeve të informacionit për të përmirësuar efikasitetin dhe cilësinë e kujdesit shëndetësor në Shqipëri

Nëpërmjet kësaj huaje dhe kostove lokale të financuara nga Qeveria Shqiptare do të punohet për reformimin e sektorit spitalor, duke krijuar një kornize të shëndoshë ligjore dhe manaxheriale për ofrimin e shërbimeve efikase, forcimin e menaxhimit të performancës dhe planifikimit, tejkalimin e kufizimeve operacionale në ofrimin e shërbimeve, si dhe forcimin e sistemit të referimit.

Projekti ka gjithashtu synimin e përmirësimit të monitorimit dhe menaxhimit të cilësisë së shërbimit duke ngritur një sistem gjithëpërfshirës të menaxhimit të informacionit shëndetësor (HMIS), dhe një sistem për menaxhimin e pajisjeve mjekësore dhe mirëmbajtjen e tyre.

Përmirësimi i sistemit shëndetësor mbështet iniciativat për të reformuar financimin shëndetësor në përgjithësi, për të përmirësuar sistemin e blerjes dhe shpërndarjes së produkteve farmaceutike dhe përdorimit të pajisjeve mjekësore, si dhe për të vlerësuar mundësitë e zgjerimit të mbulimit shëndetësor universal duke përdorur kalimin në një regjim të taksimit të përgjithshëm.

Në nënshkrimin e marrëveshjes së huasë ishte i pranishem dhe Patrizio Pagano, Drejtor Ekzekutiv i Zyrës për Shqipërinë, Greqinë, Italinë, Maltën, Portugalinë, San Marinon dhe Timorin Lindor në Bordin e Drejtorëve të Grupit të Bankës Botërore (IBRD, IFC, IDA, MIGA), si dhe ministri i Shendetesise Ilir Beqaj.
Projekti do të zbatohet nga Ministria e Shëndetësisë dhe parashikohet të përfundojë në 28 Shkurt 2021.

Sakaq, është hera e parë që buxheti i shëndetësisë në Shqipëri për vitin 2015 e kalon nivelin e 400 milionë dollarëve. Në krahasim me vitin 2014, rritja nominale e buxhetit të shëndetësisë është 2,3 miliardë lekë, duke përfshirë transfertën nga buxheti i shtetit, si dhe kontributet e sigurimeve shëndetësore, që rritet në krahasim me vitin 2014 me 6%.

Buxheti i shëndetësisë për vitin 2015 është sa 2.8% e PBB-së. Viti 2015 është viti i zbatimit të plotë të programit të kontrollit shëndetësor bazë pa pagesë, për shqiptarët rezidentë të grupmoshës 40-65 vjeç.

Ndërkohë, në investimet kapitale, përfshihen fillimi i lëvrimit të kredisë së mësipërme të Bankës Botërore për mbështetje në sektorin e shëndetësisë, fillimi i lëvrimit të kredisë prej rreth 17 milionë euro e Bankës së Këshillit të Europës për shërbimin e kirurgjisë së përgjithshme dhe spitalin e sëmundjeve të brendshme në QSUT,  5 milionë euro të kredisë së Qeverisë Italiane për Spitalin Universitar të Traumës për pajisje të reja mjekësore, 14 milionë euro të kredisë së Qeverisë Austriake për shëndetësinë elektronike (e-Health), si dhe 2 milionë euro të kredisë së Qeverisë Austriake për fuqizimin e programit kombëtar të radioterapisë.


Redaksia Online
(g.f/Shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Makina me turistë bie në kanalin e Butrintit, dy persona të plagosur! Njëri prej tyre në gjendje kritike

Makina me turistë bie në kanalin e Butrintit, dy persona të plagosur! Njëri prej tyre në gjendje kritike