TIRANË - Arratisja në burgun e Drenovës tashmë është pasqyruar edhe nga mediat ndërkombëtare. "Një kërkim masiv ka nisur në Shqipëri pasi 7 të burgosur u arratisën nga një burg i sigurisë së lartë" - shkruan BBC. Një deklaratë e Ministrisë së Brendshme njoftoi se të arratisurit, shumica të dënuar me burgim të përjetshëm dhe për vrasje janë të armatosur dhe të rrezikshëm - vijon shkrimi në BBC. 
 
Postoblloqe janë ngritur nëpër rrugë, ndërsa forcat speciale po shkojnë në burgun e Drenovës, rreth 180 km në juglidje të Tiranës. Ndërkaq Greqia dhe Maqedonia fqinje janë kontaktuar nga autoritetet shqiptare. Deklarata e Ministrisë së Brendshme ka bërë publike emrat e 7 të arratisurve, ndërsa njëri prej tyre është kapur tashmë.
 
Por nuk jepen detaje se si ka ndodhur. Sipas medias lokale të burgosurit arritën të carmatosin rojet përpara se të arratiseshin të ndihmuar edhe nga errësira. Ministria e brendshme ka ngritur edhe një grup krize për tju përgjigjur situatës.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)