/ATSH-Arbi Fortuzi/.- Rreth 2000 familje nga komunitetet rome dhe egjiptiane dhe komunitete të tjera që jetojnë në Korçë janë përfitues të dy projekteve të financuara nga Bashkimi Evropian me vlerën 160,000 euro dhe të zbatuar nga PNUD-i në bashkëpunim me Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.
Anëtarë të komuniteteve rome dhe egjiptiane morën pjesë sot në inaugurimin e këtyre projekteve infrastrukturore në zonat e tyre të banimit. Projektet përfshijnë një mjedis sportiv pranë Qendrës Ndërkulturor Komunitare dhe rehabilitimin e një blloku banimi.
"Kjo infrastukturë urbane e rinovuar plotësisht dhe e financuar nga BE, jo vetëm sjell një ndryshim në jetën e komuniteteve rome dhe egjiptiane në Korçë, por dëshmon qartësisht angazhimin tonë të përbashkët dhe konkret me qëllim që përfshirja sociale e komuniteteve rome dhe egjiptiane të bëhet realitet", tha Shefi i Bashkëpunimit i Delegacionit të BE-së në Shqipëri, Yngve Engström.
Qendra Ndërkulturore Komunitare, e cila është ndërtuar gjithashtu si pjesë e projektit, shërben si një hapësirë shumë-funksionale për të rinjtë, organizatat e shoqërise civile, artizanët dhe sipërmarrësit. Qendra Ndërkulturore Komunitare mirëpriti disa muaj më parë diskutimet mbi Planin e Veprimit për Integrimin e Romëve dhe Egjiptianëve 2015-2020, një dokument që shpreh angazhimin e qeverisë së Shqipërisë për parandalimin e mënjanimit social dhe integrimin e qëndrueshëm të komuniteteve rome dhe egjiptiane, nëpërmjet sigurimit të aksesit të barabartë në shërbimet publike dhe sociale.
Zineb Toumi-Benjelloun, Koordinatore e Agjencive të OKB-së në Shqipëri dhe Përfaqësuese e Përhershme e PNUD-it në Shqipëri e pranishme në aktivitet theksoi se "jam shumë e kënaqur që shoh sesi këto projekte zhvillimore, të identifikuara nga vetë komunitetet rome dhe egjiptiane ndihmojnë në përmirësimin e kushteve të jetesës të të rinjve romë dhe egjiptianë". "Vlerësimi im i dedikohet Bashkimit Evropian për financimin e këtij projekti në mbështetje të përfshirjes sociale për romët dhe egjiptianët. Gjithashtu, një falënderim të veçantë i dedikoj Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe Bashkisë së Korçës për angazhimin e tyre drejt përfshirjes sociale të romëve dhe egjiptianëve", tha ajo.
Bashkia e Korçës është bashkëfinancuese në këto projekte të zhvillimit infrastrukturor. Qendra Ndërkulturore Komunitare administrohet nga Departamenti i Shërbimeve Sociale në Bashkinë e Korçës. Një anëtar nga komuniteti rom ose egjiptian do të punësohet për të koordinuar aktivitetet e qendrës.
Në të njëjtën ditë, anëtarë të komunitetit rom dhe egjiptian morën pjesë edhe në inaugurimin e bllokut të rehabilituar të banimit në lagjen 14. Ky bllok banimi ndodhet në pjesën juglindore të qytetit të Korçës, një zonë kryesisht e banuar nga komuniteti rom dhe egjiptian. Rehabilitimi i bllokut të banimit synon përmirësimin e një lagjeje urbane, duke ndërtuar një shesh lojrash për fëmijë, një kënd sportiv dhe një park pushimi. Komunitetet rome dhe egjiptiane përfaqësojnë rreth 50% të popullsisë në këtë lagje banimi.
Këto projekte të zhvillimit infrastrukturor janë identifikuar si prioritete nga Forumet Këshillimore Komunitare, anëtarë të së cilës janë individë romë dhe egjiptianë. Këto ndërhyrje janë pjesë e projektit "Mbështetje për përfshirjen sociale të komuniteteve rome dhe egjiptiane" (SSIREC), i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë në bashkëpunim me Programin për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara në Shqipëri.
Projekti zbatohet në rajonet e Beratit, Korçës dhe Vlorës dhe kontribuon në nxitjen e përfshirjes sociale dhe fuqizimin e komuniteteve rome dhe egjiptiane përmes inkurajimit të planifikimit me pjesëmarrje për zhvillimin e infrastrukturës; forcimin e kapaciteteve të organizatave të shoqërisë civile rome dhe egjiptiane; nxitjen e punësimit dhe sipërmarrjes; si dhe nxitjen e respektimit të të drejtave të njeriut dhe diversitetit kulturor si një vlerë evropiane.
Që nga fillimi i zbatimit të tij në vitin 2012, projekti "Mbështetje për përfshirjen sociale të komuniteteve rome dhe egjiptiane" ka zbatuar dhjetë projekte infrastrukturore, duke përfshirë qendra ndërkulturore komunitare, kopshte, qendra për kujdesin shëndetësor dhe rehabilitim rrugor.