BE: Bien remitancat nga emigrantët
- 38% më pak hyrje valutore

BE: Bien remitancat nga emigrantët<br />- 38% më pak hyrje valutore
TIRANE- Në raportin tremujor të Departamentit të përgjithshëm të Ekonomi-Financës të Komisionit Evropian trajtohet me nota pozitive programi i qeverisë së re në fushën ekonomike. Ndërkohë, aty vihet në dukje se hyrjet valutore në vend po pakësohen “në pikiatë”, duke nisur nga remitancat, që janë pakësuar 38 për qind brenda një viti.
 
Qeveria e re shqiptare, e drejtuar nga kryeministri Edi Rama, mori votën e Kuvendit më 14 shtator, pas fitores në zgjedhjet e qershorit të këtij viti të koalicionit Partia Socialiste-Lëvizja Socialiste për Integrim. Kabineti përnëhet nga 20 ministra, midis të cilëve është Shkëlqim Cani në detyrën e kreut të Financave, ish-guvernator i Bankës së Shqipërisë.

Programi i qeverisë për vitet 2013-2017 pranon se modeli i zhvillimit, bazuar mbi bum-in e ndërtimeve të financuara nga prurjet valutore të emigracionit dhe eksportit të lëndëve të para, ka kufizimet e veta dhe synon ta spostojë vëmendjen në burime të reja të rritjes, duke cilësuar si sektorë me përparësi industrinë përpunuëse, enegjetikën, turizmin dhe agrobiznesin. Programi, gjithashtu, kërkon disiplinë fiskale dhe pagesën e detyrimeve të prapambetura publike.

Ai përfshin edhe një taksë progresive mbi të ardhurat personale dhe krijimin e një banke të zhvillimit bujqësor.
Në shtator, një mision i Fondit Monetar Ndërkombëtar vizitoi Shqipërinë, duke arritur në konkluzionin se është i nevojshëm një konsolidim fiskal gradual, por i vazhdueshëm, duke nisur nga buxheti i vitit 2014, për të përballuar rritjen e rrezikut që vjen nga borxhi i lartë pubik. Pagesa e faturave të pashlyera, që llogaritet në 4 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit, do të ndihmonte rikthimin e rritjes së kreditimit, duke ulur edhe nivelin e kredive të këqia dhe duke mbështetur kërkesën e brendshme.
 
Sektori i jashtëm
Tendenca e ngushtimit të deficitit të llogarisë korrente, e regjistruar në pesë tremujorë, pësoi kthesë në periudhën nga prilli në qershor, kur deficiti u rrit me 17 për qind në bazë vjetore, për të arritur në 295 milionë euro. Megjithatë, në katër tremujorët deri në qershor deficiti i llogarisë korrente ra në 10.4 për qind të PBB-së, nga 12.6 për qind që ishte në të njejtën periudhë të një viti më parë.

Rezultati i tremujorit të dytë vjen si pasojë e një uljeje të deficitit tregtar në masën 16.4 për qind, për shkak të rritjes 16.5 për qind të eksporteve dhe rënies me 1.6 për qind të importit, që u eliminua nga përkeqësimi i bilancit të shërbimeve, me llogarinë e turizmit që kaloi në negative, si dhe nga një rënie në masën 28 për qind në bazë vjetorë të transfertave neto korrente. Këto të fundit shënojnë mes tyre një rënie pikiatë të remitancave nga emigrantët, prej 38 përqindësh.

Pozitive ishin hyrjet e investimeve të huaja direkte, që shënuan 23 për qind rritje në bazë vjetore gjatë tremujorit të dytë dhe financuan rreth 80 për qind të deficitit të llogarisë korrente në të njejtën periudhë. Rezervat zyrtare u rritën lehtësisht, duke mbuluar në qershor 4.7 muaj importe.
Në fund të qershorit, borxhi i jashtëm bruto ishte 5.4 milionë euro, rreth 54 për qind e Prodhimit të parashikuar të Përgjithshëm Bruto. Ai u rrit me 6.8 për qind në bazë vjetore, shtyrë nga rritja e detyrimeve të bankave dhe qeverisë. Rreth 43 për qind e stokut të borxhit të jashtëm përbëhet nga hua aftgjata të qeverisë.
Në fund të tremujoritë të dytë, borxhi publik u rrit më tej, duke kaluar në 64 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto të parashikuar për këtë vit.
 
Shkrimi u publikua sot (06.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Mos harroni çadrat! Reshje shiu dhe temperatura deri në 14 gradë

Mos harroni çadrat! Reshje shiu dhe temperatura deri në 14 gradë