BE: Borxhi i jashtëm shqiptar 73.5% e PBB; importet sa gjysma e prodhimit vendas

Në Progres Raportin 2018, që iu referohet të dhënave përfundimtare të dy viteve: 2015 dhe 2016, të ekonomive të vendeve kandidate apo në proces integrimi drejt BE-së, rezulton se Shqipëria vijon të mbetet një vend, ku bujqësia luan një rol të rëndësishëm. Ky sektor vijon të zerë një vend shumë më të rëndësishëm në ekonomi tek ne, krahasuar me të gjitha vendet që janë marrë në analizë. Sipas Raportit, bujqësia ze 22.9 për qind të ekonomisë shqiptare, në të dy vitet e analizës, duke u renditur në sektorin e dytë për nga rëndësia në ekonomi. Si mesatare për 28 vendet anëtare të Bashkimit Evropian, ky sektor kontribuon me vetëm 1.5 për qind në krijimin e Prodhimit të Brendshëm Bruto: 15 herë më pak. Në Malin e Zi ky raport është 9 për qind, në Maqedoni 10.5%, madje edhe në Turqi vetëm 7 për qind e të ardhurave vijnë nga bujqësia. Por edhe në Kosovë, sektori në fjalë kontribuon me vetëm 13.4 për qind në krijimin e vlerës së re gjatë vitit.

Kohët e fundit është pohuar, kryesisht nga institucionet zyrtare, se Shqipëria po anon gjithnjë e më shumë ndaj shërbimeve. Në të vërtetë, shërbimet tanimë janë sektori i parë i ekonomisë për nga zhiroja dhe pesha. Por vendi ynë duket se mbetet sërish ende larg edhe në këtë drejtim nga BE-jë, ku synon të aderojë. 28 vendet e këtij grupimi, në fakt, kanë një sektor të fuqishëm shërbimesh, që ze 73.8 për qind të ekonomive të tyre. Ndërkohë që në Shqipëri shifra është 53.4 për qind. Ky raport është afro 72 për qind në Malin e Zi fqinjë, ku kryesisht turizmi kontribuon në këtë drejtim, 66 për qind në Bosnje, 61 për qind në Turqi, madje edhe Kosova është më lart: 57.3% të PBB-së e krijojnë shërbimet.

Një tregues tjetër negativ është vartësia e ekonomisë shqiptare ndaj ekonomive të huaja. Duke filluar nga tregtia e jashtme: sipas llogaritjeve të BE, Shqipria importon mallra apo shërbime me një vlerë sa afro 45 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërkohë që eksportet e saj janë vetëm sa 27.4 për qind të PBB-së. Kështu, ne regjistrojmë një bilanc negativ tregtar prej afro 2.4 miliardë eurosh në një vit. I cili lehtësohet disi nga prurjet valutore të emigrantëve, që llogariten sa afro 6 për qind të Prodhimit vendas.

Brukseli e llogarit borxhin e jashtëm të ekonomisë së vendit – që nuk është e njejta gjë me borxhin publik – në një shifër mjaft të lartë: 73.5 për qind të PBB-së. Këtu përfshihen edhe detyrimet e firmave shqiptare ndaj partnerëve të tyre ndërkombëtarë.

Sa u përket të ardhurave për frymë të popullsisë, edhe këtu situata nuk është rozë. Ndërkohë që një vend si Turqia siguron 9.909 euro për frymë të ardhura në vit nga prodhimi vendas, në vendin tonë arrihet të sigurohet një shifër shumë herë më e vogël: 3.728 euro. Shifra është në rritje, por të mos harrojmë se edhe popullsia rezidente është pakësuar vitet e fundit, duke arritur poshtë 3 milionëshit, pra rritja është relative. Në këtë drejtim, ja kalojmë vetëm Kosovës, e cila siguron 3.304 euro për frymë të popullsisë të ardhura. Ndërkohë, Mali i Zi, i cili në vitin 2015 arriti 5.827 euro/frymë, një vit më pas shënon një rritje të ndjeshme, duke kapur nivelin 6.355 euro. Ndërkohë, Serbia këtë tregues e ka 4.904 euro, Maqedonia 4.691 euro, etj.

Nga ana tjetër, Progres Raporti ve në dukje edhe një shifër pozitive, e cila ka të bëjë me fluksin hyrës të investimeve të huaja direkte: Në vitin 2015 ato ishin të barabarta me 8 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke u rritur në 8.7 për qind të PBB-së një vit më vonë. Si shifër, me 936.5 milionë euro, kjo e vendos vendin tonë në pozicionin e dytë ndërmjet vendeve kandidate dhe aspirante, pas Serbisë, e cila në vitin 2016 arriti të thithë dyfishin: 1.9 miliardë euro. Ndërkohë, në Kosovë kanë investuar në një vit vetëm 177 milionë euro sipërmarrës nga jashtë vendit. Situata është krejt e kundërt në BE. Vendet e këtij Bashkimi shifrën e kanë negative: 117 miliardë euro, pra ekonomitë e tyre investojnë më shumë jashtë vendit se sa thithin fonde nga jashtë. 

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja