BRUKSEL, 2 tetor /ATSH-AFP/ - Bashkimi Evropian është i shqetësuar nga intensifikimi i luftimeve në lindje të Ukrainës, dhe thekson rëndësinë e respektimit strikt të armëpushimit, njoftoi sot shërbimi diplomatik i BE-së.
"Këto luftime shkatuan dje vdekjen tragjike të shumë civilëve pranë një shkolle në Donetsk, bastioni kryesor i separatistëve prorusë. Por edhe shumë ushtarakë ukrainas janë vrarë në luftimet e javëve të fundit, kryesisht për shkak të bombardimeve të vazhduara të aeroportit të Donetskut", theksoi BE-ja në një komunikatë.
BE-ja kërkoi një respektim strikt të protokollit të armëpushimit të 5 shtatorit dhe të memorandumit të arritur më 20 shtator. Këto dy marrëveshje të negociuara në Minsk nga palët ndërluftuese mundësuan vendosjen e një armëpushimi, që prej të hënës po kërcënohet.
Luftimet shkaktuan vdekjen e 10 personave dje në një lagje të Donetskut që ndodhet rreth 4 kilometra larg aeroportit, kur disa predha ranë pranë një shkolle dhe një furgoni taksi./
/G.S/