BRUKSEL, 18 dhjetor /ATSH-AFP/ - Bashkimi Evropian miratoi sot sanksione të reja që prekin Krimenë duke ndaluar të gjitha investimet evropiane, si dhe kroçeret turistike, për të treguar kundërvënien e saj ndaj aneksimit të jashtëligjshëm të gadishullit ukrainas nga Rusia.
"BE-ja vendosi sanksione të konsiderueshme shtesë për sa i përket investimeve, shërbimeve dhe shkëmbimeve me Krimenë dhe Sevastopolin, me qëllim rikonfirmimin e politikës Evropiane, që konsiston në mosnjohjen e aneksimit të jashtëligjshëm nga Rusia", njoftoi Këshilli Evropian, që përfaqëson 28 vendet anëtare, në një komunikatë për shtyp.
Këto sanksione të reja, të shpallura disa orë para një mbledhjeje evropiane në Bruksel, zgjerojnë sanksionet e mëparshme specifike për Krimenë të ndërmarra nga BE-ja në qershor dhe në korrik.
Këto plotësojnë një arsenal masash tashmë të marra nga evropianët që prej fillimit të krizës ukrainase. Mes këtyre figurojnë listat e personaliteteve që u është ndaluar viza si dhe ngrirja e të ardhurave në BE, por gjithashtu ndalimi i financimit të bankave të rëndësishme dhe i kompanive ruse të naftës./
/G.S/