Pas vizitës së presidentit amerikan, Joe Biden në Bruksel dhe pjesëmarrjen e tij në samitin e NATO-s dhe pas tij në një samit me liderët kryesorë të BE-në, diplomatët evropianë janë të bindur se do të rritet bashkëpunimi dhe koordinimi edhe në veprimet në Ballkanin Perëndimor.
Për këtë është diskutuar në disa nivele gjatë qëndrimit të delegacionit të presidentit amerikan në Bruksel.
“Ne kemi qëllimin që të forcojmë angazhimin tonë të përbashkët në Ballkanin Perëndimor, përfshirë edhe përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja mes Beogradit dhe Prishtinës për normalizimin e raporteve mes tyre, dhe duke mbështetur reformat kryesore të vendeve të rajonit për integrim në BE”, thuhet në një pikë të kësaj deklarate të përbashkët.
Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell e quajti të rëndësishme edhe faktin se takimi i parë i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç u zhvillua të njëjtën ditë kur u mbajt edhe takimi i liderëve të institucioneve të BE-së me presidentin amerikan, Joe Biden.
Diplomatët evropianë, pas samitit të G7, Samiti të NATO-s dhe samitit të djeshëm deklarojnë se prej ardhjes së Bidenit në krye të Shtëpisë së Bardhë është përmirësuar dukshëm bashkëpunimi me administratën e Shteteve të Bashkuara në shumë fusha, përfshirë edhe në Ballkanin Perëndimor ku, siç thonë këta diplomat “BE-ja dhe SHBA-ja kanë interesa të përbashkëta dhe angazhohen për vlerat e njëjta”.