Prodhues të qumështit nga të gjitha vendet e Bashkimit Europian kanë protestuar sot kundër rënies së çmimit të qumështit, pikërisht jashtë ndërtesës së Komisionit Europian. Duke mbajtur flamuj, zile dhe brirë fallso, protestuesit derdhën qindra litra qumësht të freskët në një kovë të madhe të improvizuar duke hedhur në të simbolikisht portretet e kryeministrit britanik David Cameron, presidentin francez François Hollande dhe udhëheqës të tjerë europianë.
 
Bordi i Qumështit Europian që organizoi edhe protestën, tha se çmimet aktuale të tregut të kombinuara me kuotat e vendosura nga BE i nxjerrin këta jashtë tregut.
 
Fermeri belg Erwin Schopges, anëtar i bordit tha se vetëm një reduktim prej 3% në prodhimin e përgjithshëm mund të ndihmojë në stabilizimin e çmimeve për një kohë të gjatë.
 
“Nuk po kërkojmë bonuse, subvencione, as ndihmë financiare. Ne duam vetëm që tregu të jetë i balancuar dhe i qëndrueshëm. Sot ne kërkojmë të zvogëlojmë prodhimin europian me 3%, Kjo nuk i kushton asgjë qytetarit europian dhe as politikanëve. Tregu do të gjejë ekuilibrin e tij, çmimi i qumështit do të jetë i drejtë dhe ne mund të qëndrojmë në këtë biznes”, tha Schopges.
 
Fermerët më pas ndezën një zjarr duke djegur edhe portretet e liderëve europianë.
 
BE është prodhuesi më i madh në botë i qumështit dhe shpenzon më shumë se 1/3 e buxhetit për të paguar subvencione dhe forma të tjera të mbështetjes financiare për fermerët, përfshirë dhe industrinë e qumështit. Këta të fundit kanë zhvilluar edhe në të kaluarën protesta të tilla, përfshirë një në vitin 2009 që çoi në një rritje të lehtë të shitjes me shumicë.

protesta e qumeshtit
protesta e qumeshtit

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)