Në selinë e Partisë Demokratike janë shënuar momente tensioni mes protestuesve dhe efektivëve të Policisë.
Një grup protestuesisht ishin strehuar brenda ambienteve të PD-së dhe dyshohet se prej aty po kryenin sulme drejt Policisë.
Më pas në selinë e PD-së mbërritën efektivë të Policisë, që dyshohet se hodhën edhe gaz lotsjellës brenda ambienteve të kësaj godine.
Ndërkohë në selinë e PD-së kanë mbërritur edhe 2 auto-ambulanca. Një prej personave që ndodhej brenda selisë së PD-së u shoqërua me auto-ambulancë drejt spitalit.
Deputeti Eno Bozdo ka deklaruar për mediat se efektivët kanë provokuar dhe dhunuar protestuesit dhe njerëzit që ndodheshin brenda selisë së PD-së. Ai kërkoi largimin e tyre të menjëhershëm.
Bozdo tha se përfaqësues të Partisë Demokratike u dhunuan në mënyrë të pajustifikuar, ndërkohë që shtoi se disa persona ishin lënduar nga hedhja e gazit lotsjellës.
“Kanë helmuar njerëzit të gjithë brenda. Këta i kanë futur bombolat e gazit brenda PD-së. Kanë dhunuar gra e burra që ishin për qejfin e tyre brenda PD-së. O çuna kë keni Komandant ju këtu? Erdhën e na provokuan. Panë njerëz aty dhe mbushën oborrin dhe godinën e PD-së me gaz lotsjellës. Duhet të ikin, të zhduken. Pati një sulm të paprovokuar brenda ambienteve të PD-së. S’ka hyrë asnjë protestues këtu.
Ishin vetëm njerëz që ndodheshin brenda selisë së PD-së. Të gjithë jemi dëmtuar. S’e kuptoj çfarë dreqin kanë që gjuajnë. S’ka ndodhur ndonjëherë që selia e partisë kryesore opozitare të sulmohet në këtë mënyrë. Të mbrojnë komisariatet, atë punë të bëjnë. Strukturat e PD-së janë këtu në monitorim të situatës, por ne nuk pranojmë kurrë dhunën e pajustifikuar. Nuk u shfaq Komandanti, s’dinte ça të thoshte. Pastaj morën urdhër, se e panë që e kishin trashur dhe u tërhoqën me turp”, tha mes të tjerash Bozdo.
Nga ana tjetër, deputeti Belind Këlliçi pretendoi se që më herët, zyrtarë të lartë të PD-së kishin informacion se do të sulmoheshin nga forcat e Policisë, sipas tij me urdhër të kryeministrit Edi Rama dhe Qeverisë socialiste.
“Ka 14 vite që PD është në protestë. Të gjithë deputetët janë në protestë. Drejtues të Partisë kanë qenë në ambientet e punës. Kemi parë vetëm forca policie. Dimë që ka pasur vetëm disa raste që janë në gjendje të rëndë. S’ka patur asnjë tentativë nga ana e asnjë zyrtari të PD-së për të linçuar apo anatemuar asnjë gazetar. Kishim informacion se do të na sulmonin rreth orës 21:00 me urdhër të qeverisë”, tha mes të tjerash Këlliçi.
Lajmi kryesor:
LIVE TV- Protesta/ Molotovë te Komisariati nr. 3 dhe Ministria e Brendshme, 17 policë të lënduar! Sulmohet selia e PS, protestues me maska në PD








