BE-ja kundër likuidimit të “Trepçës”, Kosova nuk e do as në dialog

/ATSH/.-Brukseli, që është ndërmjetësues i dialogut Kosovë-Serbi, ka kërkuar të shmanget çdo përshkallëzim dhe devijim i mëtejshëm sa i përket dilemave rreth "Trepçës", shkruan sot Koha Ditore.

Zyrtarë nga kryeqendra evropiane, teksa kanë përmendur mundësitë për shmangien e likuidimit të "Trepçës", janë shprehur se ligji i ri i miratuar në Kuvend jep kohë për adresim të duhur të kësaj çështjeje.

"Ne po e përcjellim për së afërmi gjendjen. Është e rëndësishme të shmanget ndonjë përshkallëzim i mëtejshëm dhe devijim i gjendjes. Ekzistojnë mundësi të ndryshme për shmangien e likuidimit të 'Trepçës'", ka thënë për gazetën Maja Kocijançiç, zëdhënëse e shefes për Politikë të Jashtme në BE, Federica Mogherini.
"Është mirë që ligji i ri i adaptuar dje në Kuvend në Prishtinë jep pak kohë për adresim të çështjes", citohet ajo.

Ndryshimet që janë bërë në këtë ligj i japin fillimisht AKP-së edhe 18 muaj afat shtesë për të bërë gati vizionin për "Trepçën".

Gazeta shkruan sot edhe se pothuajse dy të tretat e borxhit të pretenduar ndaj "Trepçës" janë bërë nga Kosova. Rreth 910 milionë euro është borxhi që pretenduesit dhe kreditorët nga Kosova kanë ndaj "Trepçës.

Borxhi që pretendojnë të gjithë pretenduesit kreditorë, sipas AKP-së, është rreth 1.4 miliardë euro. Pretendimet nga Serbia janë në vlerë prej 336 milionë eurove.
Agjencia Kosovare e Privatizimit ka refuzuar t'i japë në detaje kërkesat që janë parashtruar nga pretenduesit dhe kreditorët ndaj "Trepçës", duke u arsyetuar se kjo mund të shkaktojë hutim në publik.

Kanë dhënë vetëm shumë totale të pretendimeve, që sipas tyre është 1.4 miliardë.

Por gazeta ka marrë vesh që fjala është për 1 miliard e 334 milionë euro. Shifra prej 1.4 miliardëve për herë të parë është përmendur nga kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, kur është arsyetuar për tërheqjen e Ligjit për ndërmarrjet publike nga votimi në Kuvendin e Kosovës.

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Qytetarët në Shkup protestojnë sërish kundër ndotjes së ajrit