Bashkimi Europian ka konfirmuar se janë përmbushur kushtet për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, një zhvillim që vjen pasi KFOR nisi tranzicionin gradual të pranisë së përhershme në urë. Sot, ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e mirëpriti këtë konfirmim, duke e cilësuar hapjen e urës një hap historik.
Ura mbi lumin Ibër ka qenë prej vitesh një nga pikat më të ndjeshme në Kosovë. Ajo ndan pjesën jugore të Mitrovicës, të banuar kryesisht nga shqiptarë, me pjesën veriore, ku jeton shumica serbe. Për shkak të tensioneve të vazhdueshme, mbi urë ka qenë e pranishme prej vitesh edhe KFOR-i.
Zhvillimi i parë erdhi në fillim të kësaj jave, kur misioni i NATO-s në Kosovë njoftoi se kishte nisur tranzicionin gradual të pranisë së përhershme të trupave në urën kryesore. KFOR sqaroi se ky është një proces i bazuar në kushtet e sigurisë dhe po zhvillohet në koordinim me institucionet e Kosovës, EULEX-in dhe aktorë të tjerë ndërkombëtarë. Po atë ditë, në urë u pa edhe prania e Policisë së Kosovës.
Pas këtij vendimi, Bashkimi Europian tha se ishte informuar nga NATO dhe rikujtoi se qëndrimi i tij ka qenë gjithmonë i njëjtë: ura duhet të hapet pasi të përfundojnë punimet, vlerësimet dhe konsultimet me partnerët e sigurisë.
"Qëndrimi i BE-së për urën ka qenë gjithmonë i qartë: pasi të kompletohen punimet në urën Austerlitz në Mitrovicë, si dhe vlerësimet dhe konsultimet shtesë, ura duhet të hapet. Mund të konfirmojmë, siç është përmendur tashmë në raportin vjetor të vitit të kaluar, se ky është vërtet rasti", tha një zëdhënës i BE-së për Gazetën Express.
Brukseli theksoi gjithashtu se, si pjesë e mekanizmit të sigurisë në Kosovë, EULEX është informuar nga KFOR për tranzicionin gradual dhe do të vazhdojë bashkëpunimin me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in për garantimin e sigurisë për të gjitha komunitetet.
Vetë KFOR bëri të ditur se procesi do të jetë gradual dhe do të koordinohet ngushtë me të gjithë aktorët përkatës. Misioni i NATO-s tha se forcat e tij mbeten të gatshme për t'iu përgjigjur çdo zhvillimi, ndërsa njoftoi edhe nisjen e integrimit të personelit të Policisë së Kosovës në arkitekturën e sigurisë së KFOR-it në Manastirin e Deçanit.
Një ditë pas konfirmimit të Brukselit erdhi edhe reagimi i ish-presidentes Vjosa Osmani. Ajo tha se hapja e urës kryesore mbi lumin Ibër dhe kalimi i përgjegjësive te Policia e Kosovës janë zhvillime që ndihmojnë integrimin e plotë të çdo pjese të territorit të Kosovës.
"Për më shumë se 27 vjet, ndarja e Mitrovicës, përveçse krijoi pasiguri dhe probleme në sundimin e ligjit, mundësoi spastrimin etnik të shqiptarëve dhe uzurpimin e pronave të tyre, e njëkohësisht i dha Serbisë alibi për të vazhduar me ëndrrat e saj hegjemoniste për ndarjen e Kosovës. Prandaj, qarkullimi i lirshëm mbi urën kryesore të lumit Ibër, përveçse bashkon njerëz, mbi të gjitha është një hap historik drejt luftimit të tendencave të Serbisë për gllabërim territoresh. Përkundër vonesave të mëdha, ky hap do të ndihmojë në rritjen e nivelit të sigurisë dhe paqes së qëndrueshme në vendin tonë”, shkroi ajo." shkroi Osmani.
Sipas saj, qarkullimi i lirshëm mbi urën kryesore është "një hap historik drejt luftimit të tendencave të Serbisë për gllabërim territoresh" dhe do të ndihmojë në rritjen e nivelit të sigurisë dhe paqes së qëndrueshme në Kosovë. Në fund të reagimit, ajo shprehu mirënjohje për institucionet e angazhuara ndër vite në këtë proces, duke veçuar Policinë e Kosovës.












Komente
Komento