Parlamenti Europian ka miratuar një vendim që ndryshon qasjen ndaj emigracionit, duke lehtësuar ngritjen e qendrave për mbajtjen e emigrantëve jashtë Bashkimi Europian, të njohura si “return hubs”.

Vendimi u votua me 389 vota pro, 206 kundër dhe 32 abstenime, duke kaluar falë një aleance mes partive të djathta dhe atyre të ekstremit të djathtë, që më parë kishin mbajtur distancë nga njëra-tjetra. Ndërkohë, partitë e majta dhe ato të qendrës votuan kundër.

Me këtë ndryshim, çdo shtet anëtar i BE-së mund të negociojë vetë ose në grupe të vogla për të dërguar emigrantët që u është refuzuar azili jo në vendet e origjinës, por në qendra të posaçme që pritet të ndërtohen jashtë territorit të unionit.

Në fakt, disa vende si Greqia, Gjermania, Holanda, Austria dhe Danimarka kanë nisur tashmë negociata me shtete, kryesisht në Afrikë, për të pritur këto struktura.

Ky zhvillim vjen në një klimë ku partitë e ekstremit të djathtë në Europë po shtyjnë për politika më të ashpra ndaj emigracionit, duke marrë si shembull edhe qasjen e Donald Trump në SHBA.

Madje, parti si Vlaams Belang në Belgjikë dhe AfD në Gjermani kanë propozuar krijimin e strukturave speciale policore për identifikimin dhe deportimin e emigrantëve.

Nga ana tjetër, organizatat për të drejtat e njeriut kanë ngritur alarmin, duke thënë se emigrantët po përballen me trajtime të ashpra dhe kthime të paligjshme në kufijtë e BE-së, ndërsa mbrojtja ligjore për ta po dobësohet gjithnjë e më shumë.

Modeli Itali-Shqipëri

Vendimi i Parlamentit Europian për këtë projekt rikthen fokusin tek modeli Itali–Shqipëri, një marrëveshje që u nënshkrua në nëntor të vitit 2023 mes Giorgia Meloni dhe Edi Rama.

Komisioni Europian e ka vlerësuar më herët këtë marrëveshje si një model të mundshëm për vendet anëtare, për të frenuar fluksin e refugjatëve dhe emigrantëve drejt kufijve të unionit.

Megjithatë, dy qendrat e emigrantëve që Italia ngriti në Shqipëri në kuadër të këtij protokolli nuk janë vënë ende në funksion. Arsyeja lidhet me disa vendime të gjykatave administrative në Itali, që kanë bllokuar përkohësisht procesin.

Pavarësisht kësaj, Meloni është zotuar se qendrat do të bëhen funksionale, duke i konsideruar ato si shtyllë të politikave të saj të ashpra ndaj emigracionit.

Sipas planit fillestar, këto qendra do të strehonin burra të rritur nga vende të konsideruara të sigurta, të shpëtuar në det, me synimin për të përpunuar me shpejtësi kërkesat për azil dhe për të organizuar kthimet.

Nga ana tjetër, Rama ka përjashtuar çdo mundësi që Shqipëria të hyjë në marrëveshje të ngjashme me vende të tjera të Bashkimit Europian për çështjen e emigrantëve.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:04
Italia mirëpret politikat e reja për emigrantët, Meloni: Europa më në fund në drejtimin e duhur

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka përshëndetur vendimin e Parlamentit Europian për miratimin e rregullave të reja për riatdhesimin e emigrantëve, duke e cilësuar si një hap në drejtimin e duhur për Europën.

Në një reagim në rrjetet sociale, Meloni u shpreh se “Europa më në fund po shkon në drejtimin e duhur, në një linjë që Italia e ka mbështetur fort”, duke iu referuar edhe rolit që ka pasur Roma në këtë proces.

"Europa më në fund po shkon në drejtimin e duhur, në një linjë që Italia e ka mbështetur fort. Me ‘return hubs’, zgjerohet mundësia për të përcaktuar një vend riatdhesimi për emigrantët e paligjshëm, duke përfshirë jo vetëm vendet e origjinës, por edhe vende të treta. Ky është një hap i rëndësishëm për t’i bërë riatdhesimet më efektive, për të forcuar kontrollin e kufijve dhe për t’i dhënë Europës një politikë migracioni më të besueshme" shkroi Meloni

Vendimi i Parlamentit Europian sipas medias italiane ANSA lidhet drejtpërdrejt edhe me modelin që Italia ka nisur në Shqipëri, ku janë ngritur dy qendra për përpunimin e emigrantëve. Njëra prej tyre është funksionale, por projekti është përballur edhe me pengesa për shkak të vendimeve gjyqësore.

Skema me Shqipërinë ka tërhequr vëmendjen edhe të vendeve të tjera të Bashkimit Europian, si dhe të Mbretërisë së Bashkuar, e cila hoqi dorë nga plani i mëparshëm për dërgimin e emigrantëve në Ruandë.