Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka prezantuar në Bruksel atë që e cilësoi si ecuri të qëndrueshme të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, duke vënë theksin te forca që po tregon ekonomia shqiptare.
Malaj mori pjesë si folës në panelin e nivelit të lartë “Zgjerimi dhe zhvillimi: Çfarë na diktojnë shifrat”, një aktivitet i drejtuar nga Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos.
Gjatë fjalës së tij, ministri tha se Shqipëria po avancon në procesin e konvergjencës me BE-në, ndërsa ekonomia, sipas tij, po jep sinjale gjithnjë e më të forta stabiliteti dhe zhvillimi.
Ai renditi disa nga treguesit që, sipas qeverisë, po mbështesin këtë ecuri: rritjen ekonomike mbi mesataren, uljen graduale të borxhit publik, rritjen e investimeve dhe transformimin strukturor të ekonomisë.
Sipas Malajt, këta janë tregues të qartë se ekonomia shqiptare po bëhet më konkurruese dhe më rezistente përballë sfidave globale.
Ministri theksoi gjithashtu se këto rezultate lidhen me reformat e ndërmarra ndër vite dhe me një vizion të qartë për zhvillimin e vendit.
Në fund, ai nënvizoi se iniciativa “Shqipëria 2030” do të vijojë me vendosmëri rrugën drejt integrimit europian, duke e paraqitur atë si një nga boshtet kryesore të objektivit strategjik të vendit.
Komente










