BRUKSEL - Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Catherine Ashton ka thirrur për nesër në një takim të jashtëzakonshëm ambasadorët e Komitetit Politik dhe Sigurisë për situatat emergjente ndërkombëtare, sidomos në Ukrainë, Irak dhe Gaza.

Ndërkohë, shefi ekzekutiv i BE-së, Jose Manuel Barroso do të kontaktojë me telefon me presidentin e Ukrainës, Petro Porohenko dhe homologun e tij rus, Vladimir Putin.

Evropa është e shqetësuar në lidhje me akumulimin e numrit të trupave ruse në kufirin lindor me Ukrainën, që ka frikë se Moska mund të vendosë që të ndërhyjë me pretekstin e një misioni paqeruajtës apo ndihmë humanitare në Donetsk dhe Lugansk, qytetet ku rebelët separatistë prorusë janë të rrethuar nga ushtria e Ukrainës.

Për të shmangur më të keqen, BE-ja është duke u përpjekur për të arritur një marrëveshje armëpushimi midis Rusisë dhe Ukrainës dhe kjo ndoshta do të jetë një nga propozimet që Barroso do të bëjë gjatë bisedave telefonike me Poroshenkon dhe Putinin. Në fundjavë gjithashtu pritet shpallja e angazhimit humanitar të Komisionit Evropian në Ukrainë.

Në qendër të diskutimeve do të jetë edhe çështja e sanksioneve që Ukraina është duke marrë kundër Moskës për të bllokuar kalimin tranzit të gazit rus në Perëndim./ATSH/