Situata politike në ngërç në Shqipëri mund të ketë patur një ndikim bllokues në zhvillimin e ekonomisë së vendit, megjithëse ende kjo nuk dëshmohet nga të dhënat statistikore.

Ky është konstatimi i Direktoratit Ekonomiko-Financiar të Komisionit Evropian lidhur me ecurinë e ekonomisë së vendit tonë.

Raporti përkatës, që mbulon ekonomitë e vendeve kandidate dhe që aspirojnë të aderojnë në BE, mbulon kryesisht shifra të tremujorit të parë të vitit 2017, por edhe të fundit të vitit të kaluar, në ato raste, kur nuk ka ende statistika më të freskëta.

Sipas raportit, PBB-ja reale në Shqipëri u rrit me 4% nga viti në vit në tremujorin e katërt të 2016-ës, krahasuar me rritjen prej 3.1% të tremujorit të tretë. Rritja vjetore e PBB-së arriti kështu në 3.5% në 2016-ën, nga 2.6% një vit më parë, duke shënuar rritjen më të madhe vjetore që nga viti 2010.
 
Eksportet
Pasi shënuan rënie për dy vjet e gjysmë, eksportet më në fund po ndjekin një trend rritës, konstaton Brukseli. Në shkallë vjetore, rritja e eksportit të mallrave shënoi 25.9 për qind. Ndërkohë, eksporti i shërbimeve, që e tejkalon tri herë atë të mallrave, vijoi të rritej me 12.9%. Nga ana tjetër, importet shënuan rënie, duke përmirësuar bilancin e llogarive të jashtme.
 
Punësimi
Punësimi u rrit me 5.5% nga viti në vit në tremujorin e katërt të 2016-ës, ku rritja më e madhe erdhi nga punësimi në sektorin e shërbimeve, në masën 7.4%, industria 5.1% dhe bujqësia me 4.5%.
 
Llogaritë
Deficiti i llogarisë korrente është ulur në një vit nga 10.8 e Prodhimit të Brendshëm Bruto, në 9.6 për qind, thuhet më tej në raport. Sipas tij, ky është deficit më i ulët i vendit që nga viti 2006.

Investimet e huaja direkte shënuan një rritje në shkallë vjetore prej 17.1 përqindësh, kryesisht si rezultat i ndërtimit të gazsjellësit TAP, si dhe të hidrocentraleve të parashikuar në kaskadën e lumit Devoll.

Ndërkohë, në fund të vitit 2016 borxhi i jashtëm llogaritej në 71.8 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, baraz me 7.86 miliardë euro, që shënon një ulje me 1.5 për qind nga një vit më parë.
 
Bankat
Përsa i përket sektorit financiar, kreditë e këqija në banka vazhdojnë të mbeten problem. Rritja e përgjithshme e kredive ka qenë tepër e ngadaltë në dy muaj e parë të 2017-ës. Në shkurt, rritja ishte 0.3% nga viti në vit. Ndërsa kreditë për shtëpi u rriten me 2.9%, kreditë ndaj korporatave ranë me 1%. Kjo ka reflektuar standardet shtrënguese të kreditimit të bizneseve, kërkesë të ulët dhe likuiditet të bollshëm në firma.

Norma mesatare e interesit për kreditë në lek për individët dhe bizneset ishte rreth 7.2% në shkurt, krahasuar me 7.9% një vit më parë. Përqindja e kredive në valutë të huaj ndaj totalit të kredive ra në 52.4% në shkurt, nga 56.25 që shënonte një vit më parë.

Kreditë e këqija mbeten në një nivel të lartë  dhe vazhdojnë që të pengojnë rigjallërimin e kreditimit. Gjithsesi normave e kredive të këqija ka qenë në trend rënës që prej muajit gusht. Në dy muajt e parë të 2017-ës ra me 0.3 pikë përqindje, në 18%, më e ulëta që nga korriku 2011.

ecuria gdb


dy.b/shqiptarja.com