Bashkimi Evropian raportohet se ka deklaruar që pajtimi i Kosovës dhe Serbisë për planin evropian, nuk nënkupton njohje de facto mes dy vendeve.
Koha raporton se zëdhënësi i BE-së, Peter Stano i ka bërë këto deklarata në një konferenca për media, dhe se kur u pyet se a u pajtuan palët për njohje de facto, u përgjigj shkurt: “Jo”.
“Qëllimi i dialogut s’është njohja. Është normalizimi i raporteve mes Serbisë dhe Kosovës dhe përmbajtja e normalizimit caktohet nga dy palët. BE-ja është lehtësuese. Ne nuk diktojmë çfarë të bëjnë. Ne po ju ndihmojmë të arrijnë aty në shpirtin evropian të kompromisit për të mirën e popujve. Mandati i BE-së është të ndihmojë në arritjen e marrëveshjes finale ligjërisht obliguese për normalizim raportesh.” – citohet të ketë thënë ai.
Në lidhje me njohjen reciproke mes dy vendeve, pasditen e së martës ka folur edhe emisari Gabriel Escobar, i cili sqaroi pse ShBA tash po përmend "njohje eventuale reciproke".
“Ne deshëm të sigurohemi që nuk ka konfuzione për pozicionin tonë në planin evropian. Plani evropian nuk është për njohje reciproke, është për normalizim. Ne deshëm ta bënim të qartë që vetëm pse e përkrahim këtë marrëveshje, nuk besojmë që nëse rajoni dëshiron të jetë i shëndetshëm, ne besojmë që të gjitha shtetet ta njohin njëra-tjetrën dhe të kenë marrëdhënie pozitive, dhe për këtë arsye ne e kemi përdorur fjalën “eventualisht”, që njerëzit ta kuptojnë se nuk duam ta ndryshojmë propozimin evropian, por do të donim që kjo të ndodhte në të ardhmen në Ballkan”. - tha ai në një komunikim me gazetarët./Nacionale