Bashkimi Evropian ende nuk e di se në ç`drejtim do të vazhdojë dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Për vazhdimin e dialogut BE-ja po pret formimin e qeverisë së re në Serbi.

`Qeveria atje ende nuk është formuar. Kur Serbia të ketë një qeveri, atëherë do të konsultohemi me Beogradin dhe Prishtinën për mënyrën dhe kohën e rifillimit të dialogut`, ka theksuar Maja Kocijançiq, zëdhënëse e përfaqësueses së lartë të BE-së, raportojnë mediat serbe. Sipas saj, është e qartë se dialogu patjetër duhet të vazhdojë dhe që marrëveshjet e arritura të zbatohen sa më parë që është e mundur. Mediat serbe raportojnë se në selinë e BE-së nuk kanë në plan që me vetiniciativë të ndryshojnë formatin e tanishëm të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar se ngritja e dialogut në nivel politik para së gjithash varet nga përgjigjja e të dyja palëve.