Rreth orës 19:25 minuta të 17 dhjetorit 2013, ministrat e Jashtëm të BE-së kanë zyrtarizuar faktin se pavarësisht hapave të bërë para, statusi i Shqipërisë do të diskutohet sërish në muajin qershor 2014.
Ministri i Jashtëm lituanez Linkeviqius dhe komisioneri i Zgjerimit, Fyle theksuan se Shqipëria është në rrugë të mbarë, ka bërë hapa mbresëlënës, për t’i dhënë Statusin është çështje kohe, por duhet të thellojë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Komisioneri për zgjerimin e BE-së, Stefan Fyle, me një shënim në Twitter në orën 19:00 paralajmëroi se dhënia e statusit kandidat për Shqipërinë do të shtyhet për në muajin qershor të vitit 2014.
ORA 19:30 MINISTRAT E JASHTËM BE: STATUSI SHTYHET PËR QERSHOR 2014
“Vlerësojmë procesin europian të Shqipërisë. Për t’i dhënë Statusin Shqipërisë është çështje kohe. Do kthehemi në qershor për këtë. Presim që Shqipëria të luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin", dha së pari lajmin mbi Shqipërinë ministri i Jashtëm lituanez, Linas Linkeviqius. Kjo pasi ai theksoi se "kemi nisur negociatat me Serbinë dhe mezi presim për konferencën në janar. Ramë dakord për negociatat për MSA me Kosovën. Vlerësojmë progresin nga Mali i Zi. Do takohemi nesër për këtë", theksoi Linkeviqius.
Më pas Fyle theksoi se "ka pasur zhvillime domthenënëse në Shqipëri dhe Këshilli i BE i ka njohur, si konsensusi, masa për gjyqësorin, parlamentin, administratën publike, zgjedhjet e qeta një hap përpara për Shqipërinë. Po ashtu hapa në luftën kundër korrupsionit dhe krimin e organizuar. Pati një përpjekje të veçantë nga qeveria e re dhe është një moment i ri reformash. Ne kemi një ide të qartë për qershorin. Unë pres plotësisht siç ramë dakord në tekst, siç sugjeron teksti për sa kohë Shqipëria të vazhdojë punën e mirë do marrë statusin. Është në dorën e qeverisë për të punuar dhe për arritje domethënëse", u shpreh Fyle.
I pyetur nga gazetarja shqiptare e ABC News, për "mbi 4500 të larguarit nga puna nga qeveria e re shqiptare", ministri i Jashtëm lituanez u përgjigj: "Shqipëria ka bërë hapa mbresëlënës përpara, duke pasur parasysh reformat për integrimin. Nga shtatori nuk ka shumë kohë, por qeveria e re ka treguar se kanë mundësi për të mbajtur konsensusin politik. Për pyetjen tuaj nuk jam i lumtur bëhet fjalë për konsensusin, por është çështje kohe. Shqipëria është në rrugë të mbarë. Kjo çështje do zgjidhet në të ardhmen e afërt".
Një tjetër pyetje mbi Shqipërinë u bë dhe nga gazetarja e “Top Channel”, Arta Tozaj: Vendimi do miratohet automatikisht në qershor? pyeti Tozaj. A do ketë kushte shtesë?
Ministri i Jashtëm lituanez u shpreh se “teknikisht nuk do thotë automatikisht në qershor, dmth një status që do jepet direkt, por është çështje kohe". Ndërsa Fyle ndërhyri sërish, duke shtuar mbi Shqipërinë se “e kam bërë të qartë pozitën se Shqipëria ka ecur përpara, se vendet anëtare duhet të plotësojnë numrin. Janë ato çështje që Linkas përmendi: Nuk ka kushte shtesë dhe kjo është e rëndësishme për gjithë vendet anëtare. Së dyti: ka pasur vlerësim dhe mirënjohje për punën e bërë dhe dallohet në një prej paragrafëve specifikë, për progresin e bërë. Dhe elementi i tretë është parashikueshmëria që është e rëndësishme për pjesën më të madhe të vendeve anëtare, që i referohet takimit të ardhshëm të BE në qershor. Kam qenë në Shqipëri para pak kohësh për të nisur dialogun për prioritet kyçe dhe kam dialog të vazhdueshëm me qeverinë dhe opozitën me luftën kundër korrupsionit dhe krimit dhe jam impresionuar nga plani i autoriteteve dhe bashkëpunimi me opozitën dhe përditësimin e rregullt nga ata dhe besoj fort se këto angazhime do vazhdojnë. Jemi në rrugën e duhur.
Për marrëdhëniet Kosovë-Serbi, komisioneri Fyle ka përgëzuar dy kryeministrat e dy vendeve për përpjeket për normalizim gjatë këtij viti me lehtësimin e ndërmjetësimit të Catherine Ashton. "Këshilli i ka njohur këto përpjekje. Miratimi i korinizës për Serbinë. Do përgatitemi për konferencën në 21 janar. Do nxisim negociatat për MSA mes BE dhe Kosovës. Kam besim se do t’i përfundojmë në pranverë", tha Fyle, duke shhtuar se "e mbyllim me një moment të ri në marrëdhëniet Turqi-Be. "Marrëveshja e firmosur dje për liberalizimin e vizave sjell më të mira, dinamizëm për vendet e BE dhe Turqinë. BE do jetë drejtues për reformat në Turqi, për sistemin ligjor dhe të drejat themelore", tha Fyle.
Më tej theksuan se u diskutua për Shkupin, Bosnjë-Hercegovinën, dy vende ku integrimi ka ngecur, mbi paqen që kërkon vëmendje të vazhdueshme, përpjekje, bashkëpunim të ngushtë mbi debatin për sigurinë. "Mbështes Malin e Zi për sa i përjet gjyqësorit dhe të drejtave njerëzore. Progresi në këto fusha do reforma të vazhdueshme. Nuk mund të fshehë shqetësimet për Maqedoninë. Kishim shpresuar një marrëveshje për angazhimin e BE në këtë vend. Duhen hapa të prekshëm për hapa të mira fqinjësore. Shpresojmë të kalojë status-quo dhe hapat e ardhshëm së shpejti. Shqetësim i thellë se procesi i integrimit ka mbetur në Bosnjë-Hercegovinë. Politikanët duhet te hedhin hapa vendmitmarë për një marrëveshje të qëndrueshme për shtetin ligjor, që është jetik për integrimin".
Ne konference u tha se liderët do kthehen të diskutojnë për situatën ekonomike dhe do diskutojnë mbi unionin bankar. "Këshilli Europian i rikthehet partneritetit me Lindjen në çështjet e Zgjerimit. Procesi nuk ka mbaruar. Ramë dakord të kthehemi në fund të vitit 2015 për këtë çështje”, bënë të ditur ministrat e Jashtëm të BE-së.
ORA 19:25 RAMA: VLERËSOHET PUNA E QEVERISË, STATUSI NË QERSHOR
Kryeministri Edi Rama ka folur në profilin e tij në Facebook në lidhje me dhënien e statusit të vendit kandidat. “BE: Kompromis mes arritjeve të Shqipërisë dhe ngërcit të brendshëm jashtë Shqipërisë. Vleresohet lart puna e qeverisë po vendimi në qershor!”, shkruan kryeminsitri Edi Rama.
ORA 19:02 FYLE: STATUSI NE QERSHOR
““Qeveria e re ka shtuar pë përpjekjet dhe reformat. Perspektivë e qartë për statusin kandidat në qershor. Njohim përparimin e bërë nga qeveria e Shqipërisë. Statusi për Shqipërinë shtyhet për në qershor”, shkruan Fyle në Twitter.
#Albania: #GAC recognised significant progress, and intensified efforts by new government: clear perspective of candidate status in June.
— Štefan Füle (@StefanFuleEU) December 17, 2013
ORA 17: 40 BURIME PER A1 REPORT: STATUSI NE QERSHOR 2014
Statusi është duke shkuar drejt shtyrjes, pasi qeveria e Holandës është duke insistuar në vendimin e saj kundër.
Kjo gjë është bërë e ditur nga burime pranë qeverisë shqiptare për A1 Report. Sipas tyre, kjo gjë nuk është ende zyrtare, por nuk ka më surpriza pozitive në lidhje me dhënien e statusit të vendit kandidat.
Gjatë diskutimeve në këto orë, Këshilli i Ministrave të Jashtëm të BE-së theksi është vënë në korrupsioni dhe drëjtësinë në vendin tonë.
Lajmi është bërë i ditur nga burime pranë BE-së.
“Kërkohet një raport i dytë nga Tirana në lidhje me ‘luftën ndaj korrupsionit dhe drejtësinë” bëhet e ditur nga burime pranë mbledhjes së ministrave të Jashtëm të BE-së.
ORA 17:05 PESE VENDET E BE, STATUSI TE JEPET NE QERSHOR
Më parë ishin edhe Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian të vilët janë të ndarë në qëndrimet lidhur me propozimin e Komisionit europian për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat, pavarësisht se të gjithë njohin përparimin e bërë.
Ndërsa shumica e tyre janë në favor, pesë shtete anëtare Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Holanda dhe Danimarka, kanë propozuar në mbledhjen e pasdites së sotme një ndryshim në tekstin e projekt përfundimeve, ku kërkojnë që Statusi të jepet qershorin e ardhshëm, shkruan Zëri i Amerikës.
“Këshilli mirëpret veprime të mëtejshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe angazhimin e qeverisë së re për të intensifikuar përpjekjet në këtë fushë. Këshilli shpreson të marrë një vendim lidhur me dhënien e statusit të kandidatit Shqipërisë në qershor 2014, në varësi të miratimit nga Këshilli Evropian, me kusht që Shqipëria ta vazhdojë përparimin inkurajues të arritur deri tani”, lexohet në tekstin e propozuar nga 5 shtetet anëtare ku janë dhe ato me peshën me të madhe në Bashkimin Europian.
Ajo që bie në sy në këtë propozim është se kërkohet edhe që Komisioni europian të paraqesë një tjetër raport për Shqipërinë, pavarësisht se ai ka deklaruar se vendi i ka përmbushur detyrimet e tij ndaj Brukselit për cështjen e Statusit.
“Këshilli do të shqyrtojë, mbi bazën e një raporti që do të paraqitet nga Komisioni në muajin qershor, zbatimin e qëndrueshëm të strategjive për luftën kundër korrupsionit dhe reformën juridike, të legjislacionit të miratuar kohët e fundit si dhe të prirjes në vazhdim për hetimet dhe ndjekjet ligjore aktive, duke përfshirë ato në fushën e krimit të organizuar”, përfundon teksti i propozuar, i cili parashikohet të shoqërohet me debate gjatë mbledhjes së pasdites së sotme dhe komplikon dukshëm situatën, citon VOA.
Javën e shkuar tetë vende anëtare, përmes një letre drejtuar presidencës lituaneze të BE-së dhe Përfaqësues së lartë për politikën e Jashtme, Catherine Ashton, u shprehën në favor të Statusit për Shqipërinë duke vlerësuar se ajo i kishte përmbushur detyrimet e saj.
Vendimi përfundimtar duhet të merret nga Këshilli Europian, i përbërë nga kryetarët e shteteve dhe kryeministrat e vendeve anëtare, por që pritet të pasqyrojë të njëjtat qëndrime të ministrave të jashtëm.
ORA 13: 44 MINISTRI DANEZ: STATUSI KANDIDAT DO TE SHTYHET
Ministri danez për çështjet e Europës. Nick Haekkerup deklaron “Statusi kandidat për Shqipërinë do të shtyhet”. Deklarata Nick Haekkerup është bërë para hyrjes në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të BE-së.
Qëndrimi i Danimarkës është se Shqipëria ka bërë shumë progres por duhet të shikojmë rezultatet në një afat të gjatë përpara se të jepet statusi i vendit kandidat”- ka shpjeguar ministri danez për gazetarët.
Ministri ka shpjeguar se Danimarka është pranë Holandës në lidhje me qëndrim e Shqipërisë cila sa i takon bllokut të vendeve “skeptike” mund të mbështetet edhe nga Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe. Në krahun e kundërt ndërkohë gjendet Italia, Austria, Hungeria, Bullgaria, Kroacia, Sllovenia, Estonia dhe Irlanda, vende të cilat kanë mbështetur kandidaturën e Shqipërisë. Sipas tyre Shqipëria ka përmbushur të gjitha kushtet e vendosura nga BE, ashtu siç iu shpreh në një letër Lituanisë, e cila morri presidencën e rradhës së BE, si dhe baroneshës Catherine Ashton. Në mungesë të unanimitetit mes 28 vendeve anëtare, e nevojshme për të gjitha vendimet mbi zgjerimin e BE, Këshilli i Ministrave të Jashtëm mund të njohë progreset e shumta të Shqipërisë në rrugën e saj drejt BE, por njëkohësisht "mund të vijë me një shenjë të qartë që vendimi të merret në gjashtë mujorin e parë të 2014, raportojnë disa burime.
(VIDEO: Deklarata e Ministrit danez për çështjet e Europës. Nick Haekkerup)
MINISTRI I LUKSEMBURGUT: MBESHTESIM SHQIPERINE
Ministri i Jashtëm i Luksemburgut, Jean Asselborn deklaron “E mbështesim kandidaturen e Shqipërisë”
(Video: Deklarata e ministrit te Jashtëm i Luksemburgut, Jean Asselborn)
MINISTRI I FINLANDEZ: MBESHTESIM STATUSIN POR KA ENDE PYETJE
Ministri finlandez për çështjet e Europës, Alexander Stubb deklaron: E mbështesim dhënien e statusit kandidat të Shqipërisë, por ka ende disa pikëpyetje.
(VIDEO: Deklarata e ministrit Alexander Stubb para mbledhjes )
ORA 13: 00 SLLOVENIA DHE KROACIA MBËSHTESIN DHËNIEN E STATUSIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
Ministrja e Punëve të Jashtme të Kroacisë, Vesna Pusić, para fillimit të mbledhjes së Këshillit të ministrave të BE-së, tha se Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kushtet e nevojshme për marrjen e statusit.
“Kroacia është iniciatore e letrës që rekomandon dhënien e statusit kandidat për Shqipërinë, pasi sipas nesh Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kushtet e nevojshme për marrjen e statusit. Ne morëm mbështetjen e disa vendeve për këtë letër, të cilat e reflektuan qëndrimin e tyre edhe në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Jashtëm. Le të shohim se ç’do të ndodhë sot, por për sa i përket Kroacisë, ne mbështesim fort kandidaturën e Shqipërisë dhe do të punojmë në këtë drejtim për ta mbështetur këtë vendim”, tha Pusić.
Edhe Ministri i Jashtem i Sllovenise, Karl Erjavec para fillimit të mbledhjes së Këshillit deklaroi se, “Ne e mbështesim kandidaturën e Shqipërisë, pasi mendojmë se ka bërë progres të dukshëm. Nuk e di nëse do të kemi sot një vendim për Shqipërinë”.
(Video: Deklarata e ministrit slloven, Karl Erjavec)
ORA 12:00 HOLANDA: NUK KEMI MARRE VENDIM PER SHQIPERINE
Ministri i Punëve të Jashtme të Holandës, Frans Timmermans, para fillimit të mbledhjes u shpreh se Holanda ende nuk ka marrë një vendim për Shqipërinë.
“Nuk kemi marre vendim për Shqipërinë. Presim ta diskutojme me koleget e tjere gjatë mbledhjes”, tha Timmermans, informon atsh.
(Video: Deklarata e ministrit Frans Timmermans)
ORA 12:06 BILD: PRO DHENIES SE STATUSIT
Ndërkohë më herët përpara fillimit ë mbledhjes pro dhënies së statusit të vendit kandidat për Shqipërinë janë shprehur Carl Bildt, Ministri i Punëve të Jashtme të Suedisë, Alexander Stubb, Ministri i Çështjeve Evropiane dhe Tregtisë së Jashtme të Finlandës dhe Jean Asselborn, Ministër i Punëve të
Jashtme të Luksemburgut.
"Shpresoj te marrim nje vendim pozitiv për Shqipërine, pasi e di se ka disa vende kanë shprehur rezerimet e tyre ne lidhje me çeshtjen. Zgjedhjet dhe puna e qeverise, duhen shperblyer, por Shqipëria gjithsesi ka një rrugë të gjatë pët të bërë.”- tha Bild.
— Carl Bildt (@carlbildt) December 17, 2013
Mbledhja pritet të zgjasë deri në orën 21:00 të mbrëmjes dhe më pas do të ketë një edhe konferencë për shtyp për vendimit e marra.
Vetëm atëherë, Shqipërisë do t`i komunikohet nëse do t`i jepet ose jo statusi i vendit kandidat për në Bashkimin Europian. Sot vendosin Ministrat e Jashtem
4 SKENARET PER DHENIEN E STATUSIT
Dhënia e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë kalon përmes katër skenarëve. Skenari i parë është që ministrat e jashtëm të BE të vendosin sot pro dhënies së statusit të vendit kandidat për Shqipërinë.
Nëse jo skenari i dytë: Vendimi i kryeministrave të BE 3 ditë më pas, më 20 dhjetor përmbys vendimin e shefave të diplomacisë dhe vendos pro Shqipërisë.
Varianti i tretë është një vendim pro statusit në mars të vitit 2014 kur zhvillohet mbledhja e radhës e Këshillit të Ministrave të BE dhe varianti i katërt në dhjetor të vitit 2014.
Ndërkohë që Holanda duket e vendosur në qëndrimin e saj kundër dhënies së statusit të vendit kandidat nga BE për Shqipërinë. Dhe jo se e ka zënë me Shqipërinë, është në tërësi kundër zgjerimit të BE, madje dhe kundër përfshirjes së Rumanisë e Bullgarisë në sistemin “shengën” ku pritet të vendosë veton.
Kryesorja në këtë qëndrim të Holandës kundër Shqipërisë për statusin janë dhe problemet e brendshme politike, pasi së afërmi ka zgjedhje me kartën e moszgjerimit të BE.
Dhe Holanda po lobon fort tek vendet e lëkundura, konkretisht ka bisedime të fshehta me Gjermaninë që të bashkohet me të në votën kundër sot, në mënyrë që ajo mos jetë “delja e zezë” e Evropës. Mësohet se janë dhe tre vende të tjera skeptike bashkë me Gjermaninë, dhe konkretisht Britania, Danimarka dhe Franca.
Nga ana tjetër pro janë gati të gjithë vendet e tjera të BE, madje Kryediplomatët e 8 shteteve, Italisë, Austrisë , Bullgarisë, Kroacisë, Estonisë, Hungarisë, Irlandës e Sllovenisë shprehen të bindur se Shqipëria i ka plotësuar gjithë kushtet e vendosura nga BE e i kanë dërguar letër Ashton, dhe Lituanisë si presidente e radhës që Shqipërisë ti jepet sot statusi.
Ndërkohë mbrëmë është zhvilluar mbledhja e Këshillit të Ministrave të Jashtëm në Bruksel. Pas një mbledhjeje të gjatë, që ka zgjatur rreth dhjetë orë, ku temë diskutimi është parathënë ka qenë edhe Shqipëria, shefja e Politikës së Jashtme të KE, Catherine Ashton në konferencën për shtyp s’tha asgjë konkrete për Shqipërinë.
Por Ministri i Jashtëm slloven, Karl Erjavec tha se ka vënë re se dhe kryediplomatja e BE, Ashton është pro dhënies së statusit. “Të gjithë ministrat e Jashtëm me të cilët kam biseduar mbështesin kandidaturën e Shqipërisë. Vura re se dhe zonja Ashton mbështet statusin për Shqipërinë”, tha Erjavec. Edhe zv.kryeministrja kroate, Vesna Pusniç, argumentoi se pavarësisht hezitimit nga disa shtete të rëndësishme anëtare, pjesa dërrmuese e BE e mbështet kandidaturën e Shqipërisë.
8 SHTETE TYE BE-se PRO SHQIPERISE
Ndërkohë Italia, Austria, Bullgaria, Kroacia, Estonia, Hungaria, Irlanda dhe Sllovenia, 8 vende anëtare të Bashkimit Europian përmes një letre i kanë kërkuar Lituanisë, si vend që mban Presidencën e radhës së BE si dhe Komisioneres së lartë për Politikë të Jashtme, Katherinë Ashton, që Shipërisë t'i jepet statusi i vendit kandidat.
Në letër që është dorëzuar një ditë para se Këshilli i Ministrave të Bashkimit Europian, ministrat e Jashtëm të 8 vendeve konfirmojnë se janë “shumë të bindur” se Tirana i ka zbatuar kënaqshëm “të gjithë kushtet e Bashkimit Europian”
ME SHUME
VIDEO/ Katër skenarët për dhënien e statusit
Statusi, thjesht një '5' nga Brukseli?- Nga Mirela Bogdani
Redaksia Online
(Jakin Marena/ Suela Gera/Artan Cena/ Magdalena Alla/Elvana Bilali/Erin Dini)