/ATSH-Gjergji Mima/ -Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri zhvilloi sot në Pogradec, tryezën e dytë këshillimore me rreth 30 përfaqësues vendorë të organizatave të shoqërisë civile (OShC), me qëllim marrjen e mendimeve të tyre mbi temat e dy thirrjeve të reja për Propozime (ThP), para shpalljes në pranverë 2015, të dy fondeve prej 3.4 milionë EUR në kuadrin e Programit për Shoqërinë Civile (CSF) dhe 1.15 milionë EUR në kuadrin e Instrumentit Evropian për Demokracinë dhe të Drejtat e Njeriut (EIDHR)
"Delegacioni i Bashkimit Evropian është këtu në Pogradec për t'ju dëgjuar sepse Shqipëria nuk është vetëm Tirana", u shpreh Stefano Calabretta, Drejtues i Projekteve për Shoqërinë Civile pranë Delegacionit të BE-së në Shqipëri.
Puna në terren dhe me grupe të vogla janë thelbësore për këto thirrje të reja: "Këtej e tutje projektet tona të granteve do të prekin organizatat vendore në zonat e thella dhe në qytetet periferike", nënvizoi Alessandro Angius, Drejtues i Projekteve për Demokracinë dhe të Drejtat e Njeriut në Delegacionin e BE-së.
Në gjendjen aktuale të vendit, duke marrë në konsideratë zhvillimet në procesin e 5 Përparësive Kyçe dhe fokusin e fuqishëm mbi sektorin e drejtësisë, Delegacioni i BE-së në Shqipëri thekson se, po planifikon t'ia kushtojë fondet CSF nxitjes së rolit dhe kapaciteteve të OSHC-ve në sektorin e drejtësisë dhe qeverisjes së mirë.
Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri zhvilloi sot në Pogradec tryezën e dytë këshillimore me rreth 30 përfaqësues vendorë të organizatave të shoqërisë civile (OShC)
Ndërsa për fondet EIDHR, përparësi do të kenë mbrojtja e të drejtave të kategorive të cënueshme dhe nxitja e përfshirjes sociale të grupeve të margjinalizuara.
Qëllimi i përgjithshëm është nxitja e pjesëmarrjes aktive e shoqërisë civile në politikëbërje dhe ndihmesa e saj në përmbushjen e detyrimeve të Shqipërisë në kuadrin e Marrëveshjes së Stabilizimit dhe Asociimit me BE-në.
Synimi i veçantë i grantit është t'u drejtohet sa më shumë organizatave me bazë komunitare, ndaj kandidatëve do t'iu kërkohet të menaxhojnë rishpërndarjen e pjesës më të madhe të vlerës së kontratës përmes nëngranteve.

Kjo ishte tryeza e dytë këshillimore mes BE-së dhe shoqërisë civile, nga tre të planifikuara. Takimi i parë u zhvillua në Tiranë, në 23 shkurt, ndërsa takimi i tretë do të zhvillohet në Shkodër, të hënën, 2 mars, në orën 10:30, në Qendrën e Informacionit të BE-së