Drejtori i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, Astrit Beci, tha sot në konferencën "Politika farmaceutike në Shqipëri",  se "nga të dhënat në vend mjekët kanë tendencë të japin doza shumë të mëdha të barnave të shtrenjta, ndërkohë që në 4 vende europiane të marra në studim, shifrat tregojnë të kundërtën".

Ne kete konference ku u prezantua studimi i Bankës Botërore, për çmimet e barnave në Shqipëri dhe funksionimi i tregut farmaceutik në vend, Beci tha se, "kjo është një dukuri që tregon për lidhjet e dyshimta mjek-kompani farmaceutike".

"Të dhënat e prezantuara nga Banka Botërore kapin disa plagë të sistemit farmaceutik në Shqipëri dhe të gjithë së bashku me Ministrinë e Shëndetësisë, po marrim masa për përmirësimin e situatës", u shpreh në fjalën e tij, dr. Astrit Beci, drejtor i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

Beci prezantoi risitë dhe progresin e arritur në listën e barnave të rimbursueshme të vitit 2014 si dhe parashtroi disa problematika, të cilat lidhen me shpenzimet për rimbursimin krahasuar me vendet europiane.

"Kjo është lista e barnave më e mirë e këtyre viteve, jo vetëm sepse u shtuan 56 barna të reja, por për herë të parë u arrit të mbulohen diagnoza të patrajtuara më parë nga rimbursimi si dhe ju kushtua vëmendje kategorive si popullësia aktive. Këto janë hapat e parë për të shkuar drejt atij që është objektivi ynë, mbulimi universal, ofrimi i shërbimeve shëndetësore bazë pa pagesë.

Lidhur me te dhënat krahasimore për barnat, drejtori i Fondit paraqiti të dhënat e studiura për disa barna të shtrenjta (sikurse janë barnat e rimbursueshme për të sëmurët me Ca - ku një recetë e rimbursueshme paguhet nga Fondi 350.000 lekë të reja në muaj)./ATSH/