Bedri Alimehmeti/ 'Broduej i Tiranës...', për djemtë e vajzat që guxuan të ëndërronin

 Bedri Alimehmeti/ 'Broduej i Tiranës...', për djemtë e vajzat që guxuan të ëndërronin

Mbas një rrugëtimi të gjatë nëpër Tiranë dhe midis tiranasve, shkrimtari Bedri Alimehmeti ka plotësuar dhe po plotëson “hartën gjeografike” të vendlindjes së tij. Shkrimtari në fjalë përshkruan futbollistët e “Tironës” (“17 Nëntori”), të cilët kanë lënë gjurmë në shkrimet e shumta si gazetar sportiv. E kush nuk e mban mend Skënder Halilin, përshkruar aq madhërishëm  përmes penës së B. Alimehmetit në librin titulluar “Skënder Halili vezullimi i një ylli”, shoqëruar një vit më pas me tjetër libër me një tjetër futbollist të këtij ekipi,: “Gjiganti Arben  Minga”? Dhe pena e gazetarit sportiv Bedri Alimehmeti rrëshqet... e rrëshqet teksa një vit më vonë i dhuron publikut dashamirës të kryeqytetit librin me titull: “Osman Pengili, njeriu i sportit modern”. Dhe vjen më pas libri i radhës “Shyqyri Rreli një jetë për futbollin shqiptar”.

Bedri Alimehmeti

Shkrimtari Bedri Alimehmeti vazhdon rrugëtimin letrar për Tiranën dhe tiranasit, me librin me titull të dhembshur: “Tirana e përgjakur”, ku mjaft banorë të Tiranës humbën jetën në mënyrën më barbare nga njerëzit e Sigurimit të Shtetit e më pas me të tjera libra me karakter sa historik, aq edhe poetik përmes librave  titulluar: “Mbiemrat e familjeve të Tiranës”, vëllimin me tregime “Mëhallë e vjetër”, “Një mbrëmje te bar “Capriccio”, poezitë e tij plot ndjenjë e larmi titulluar: “Kjo këngë për ju” dhe tash vonë, në vitin 2017, një tjetër libër me poezi titulluar: “Dhe prapë zuri shiu në Tiranë”.

Gjatë këtij viti shkrimtari B. Alimehmeti zbukuroi vitrinat e librarive me tjetër libër, titulluar: “Broduej i Tiranës” (Broadëay of Tirana). Në faqet e këtij libri lexuesi do të përballet me origjinalitetin e patjetërsueshëm e të padiskutueshëm përmes ngjarjeve, rrugëve e rrugicave të Tiranës, shumë emrave të njohur nga vetë autori e ndoshta edhe prej lexuesve të shumtë që ma do mendja, e kanë përpirë këtë libër ku faqe mbas faqe libri “Broduej”... do shpalosë jetën e Tiranës e të banorëve autoktonë të të gjitha fushave. Përmes faqeve të shumta të libri lexuesit do të mrekullohen për vërtetësinë e ngjarjeve, pasazheve emrave të djemve, vajzave, burrave intelektualë që i shërbyen plot dashuri Tiranës e mbarë vendit. Ndaj autori qysh në hyrjen që vjen fill pas frontespicit thekson: “Vitet ‘60’të, ata që nuk i mbajnë mend, nuk duhet t’i kenë jetuar”. Ndërsa ata që përmes nostalgjisë për kryeqytetasit sjellin ndër mend çdo gjë të Tiranës me plot të drejtë mund të shprehen: “Të lumtë, Bedri! Ky është një libër që na ktheu në kohët e dikurshme e na solli mall dhe dashuri”.

Foto e vjetër e rrugës së Dibrës

Djemtë dhe vajzat e Tiranës, Bedriu i ka kthyer në personazhe të librit. Dhe autori nis vargun e Intermexove, ku përmend me emra e mbiemra banorë të Tiranës veshur me ngjarje e shtjellime jetësore me nëntitullin “Intermexo” mbyllur secila prej tyre me poezi përkatëse. Nga kureshtja për vazhdimësinë e ngjarjeve pasardhëse, përmes fjalës kyçe Intermexo, nuk është e lehtë të shkëputesh nga leximi. E nis Bedriu qysh në faqet e para të librit lidhjen e pashkëputur, zinxhir, të djemve e të vajzave të gjimnazit “Sami Frashëri” e të shkollë së dikurshme “10 Korriku”. Dhe këta nxënës ndër vite e forcuan lidhjen me njëri-tjetrin në lagje dhe në shkollë. Dhe më pas autori bën fjalë për rrugën ku një grup miqësor djemsh qëndronin së bashku në më të shumtën e kohës duke biseduar me njëri-tjetrin, duke rrahur probleme librash që kishin lexuar e filmash që kishin parë atëkohë. Autori bën fjalë për rrugët nga përshkonin e ecejaket e tyre si Hotel “Vjosa” (sot Hotel “Minir”, dyqanin e luleve, sot lulishtja para Hotel “Tirana”, rrugicën ku e përhershme ishte karrigia e Pac Llustraxhiut e ku mblidheshin rreth tij futbollistët e “Tiranës”. Dhe më pas djemtë – shokë, e  mbyllnin pasditen ke “Tymi” i xha Andonit

Një vështrim i kujdesshëm lexuesi thith synimin e kalimit nga njëra Intermexo në tjetrën të shkrimtarit Alimehmeti me librin me tregime “Broduej i Tiranës”. Nisma dhe sendërtimi i këtij libri e mori burimin nga një libër me të njëjtin titull të shkrimtarit amerikan Xhon Rid, libër ku flitej për një jetë me shumë hapësirë shpirtërore e që shkrimtari Alimehmeti e përthithi dhe e nxori në qarkullim kohët e fundit. Kjo hapësirë dikur  mungonte në Tiranë e në mbarë vendin. Asokohe shkruhej, botoheshin dhe qarkullonin libra të autorëve të huaj edhe në vendin tonë, sigurisht përmes një këndvështrimi të letërsisë së realizmit socialist. Dhe Bedriu, duke patur në kujtesë brilante, një libër të tillë e sendërtoi me romanin e radhës  po me këtë titull ku shpërfaq jetën e shoqërinë e dikurshme mes të cilëve hidhte hapat edhe ai vetë. Ndaj kjo shoqëri djemsh takimin e radhës e përcaktonte teksa shkëputeshin për t’u takuar përsëri të nesërmen me shprehjen: “Nesër prapë këtu, në “Broduej”. Kishin dëshirë këta djem tiranas të njiheshin më shumë me qytet - shtetet e Elvis Preslit, Frenk Sinatrës, Merilin Monros e të tjerë këngëtarë e  kërcimtarë të botës perëndimore. Dhe fundi i një paragrafi i njërës Intermexo lidhej me Intermexon radhës. Ishte pra një lidhje logjike e jo me manikota teksa autori bën fjalë për emërtimin  e  Intermexos së radhës, ku bëhet fjalë për Rrugën e Durrësit, Rrugën e Kavajës, Rrugën e Dibrës, Rrugën e Elbasanit, lidhjet me një hyrje po aq logjike me rrugët e Tiranës në vitet e sundimit të mbretit Zogu I. Edhe këto rrugë kishin emrat e tyre si “Nana Mbretneshë” apo rruga e sotme “Qemal Stafa” që dikur emërtohej me emrin e kryeministrit të vendit “Koço Kotta”. Dhe, si për përforcim të emrave të rrugëve, B. Alimehmeti e mbyllte këtë Intermexo me poezinë titulluar: “Djemtë e Broduejt”.

Diçka e habitshme. Autori vazhdon me titullin: Dhuratë për Vitin e Ri 1964. Ishin zhdukur librat rusë, meqë atëkohë u divorcuam me sovjetikët. Dhe gjithnjë e më tepër në vitrinat e librave po zinin vend libra dhe autorë të rinj. E njëjta gjë ndodhi edhe me botën kinematografike. Nëpër libraritë e Tiranës nisën të përndaheshin librat me tituj si: “Tre shokët” me autor Remark, Gollsuorth me 3 vëllimshin “Saga e Fortsajve”, Cvajg, me librin “Amok”, Balzak me librin “Xha Gorio”, “Evgjeni Grande”, Prosper Merime me librin “Karmen”, Stendal me librin “E kuqja dhe e zeza”, Kronini me librin “Dhe yjet rrinë e vështrojnë”, Moravia me librin “Çifutja e Toledos”, Tolstoi me librin “Lufta dhe paqja” dhe “Ana Karenina”, “Sonata e Krojcerit”, Turgeniev me: “Rudini”, Kuprin me romanin “Byzylyku me gur të kuq”, Drajzer me romanin “Gjeniu”. Dhe e tërë kjo botë letrare u përkthye nga shqipëruesit Mitrush Kuteli, Hamit Kokalari, Eqerem Biba, Halim Selfo, Nasho Jorgaqi etj. Po kështu u përkthyen libra madhorë nga përkthyes madhorë si: “Komedia Hyjnore” me përthyes Pashko Gjeçi, “Homeri” përkthyer nga Gjon Shllaku, “Odisea” nga Spiro Çomora”, “Evgjeni Onjegin” nga Lasgush Poradeci. Gjatë atyre viteve dolën vëllimet poetike të Hajnes, Pushkinit, Gëtes, Esenini nga përkthyesit “Jorgo Bllaci, “Vjersha e poema nga Mickieviçi, “Doktor Zhivago”  i Pasternakut që bëri bujë në ato vite  e dëgjohej rregullisht “Zëri i Amerikës”.

Qysh në hapat e para të librit, autori shprehet  se djemtë e “Broduejt” dëshirë kishin të njiheshin nga afër me shkrimtarin e suksesshëm të atyre viteve Ismail Kadare, ndaj dhe përthithën vëllimet e para poetike të tij si “Ëndërrimet”, “Shekulli im” e më pas me romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, botuar fillimisht në faqet e gazetës “Zëri i rinisë”. Teksa ky tregim i zgjeruar mori formën e një romani të plotë, djemtë e “Broduejt” u njohën nga afër me gjeneralin italian i cili erdhi në Tiranë dhe u prezantua me krerët e shtetit shqiptar me synimin të mblidhte eshtrat e ushtarëve italianë të vrarë gjatë viteve të luftës në vendin tonë.

Në vazhdimësi shkrimtari Alimehmeti bën fjalë për dëshirën e të rinjve të atyre viteve, të mësonin edhe ndonjë gjuhë të huaj. Në ato vite, qysh nga 7-vjeçarja mësonin vetëm rusisht. Gjuha angleze që nisi rrugëtimin në shkollën e mesme, për rininë shkollare të atyre viteve ishte një diçka e re dhe tërheqëse. Përmend shkrimtari mësuesen Afërdita, e cila për ta ishte një idhull dhe mbeteshin të mrekulluar teksa njiheshin me leksionet e saj. Dëshirë kishin  ata nxënës të mësonin edhe gjuhë të tjera të huaja, por kaq e kishin kutin. Filmi i atyre viteve “Caza Rikordi” i dha impuls djemve te vajzave të viteve të fundit gjimnazit që ta linin atë orë mësimi të anglishtes e të shkonin grup në kinema për të parë filmin. Këshilli pedagogjik e për më tepër sekretari i partisë së gjimnazit “Sami Frashëri”, me ulërima iu kundërvu nxënësve kur  u kthyen nga kinemaja: “Pale, nuk i thoni shqip “Shtëpia Rikordi”, por “Kaza Rikordi”. Duhet të flisni shqip dhe vetëm shqip”. Dhe mësuesja e anglishtes u mundua t’i mbronte nxënësit teksa këta të gjorë iu lutën, sigurisht me vargjet e B. Alimehmeti: “Na fal mësuese/Ishte vetëm një trill adoleshent/. Ajo, nën vështrimin paksa brutal të stafit të mësuesve, iu drejtua: “Inglishtja është gjuha më e përhapur e botës”/. Ëmbëlsi e zërit të mësuese Afërditës/ do të zbuste gjithë tigrat e xhunglës afrikane/. Në anglisht shkroi Shekspiri, Dikensi, Bajroni”..

Në atë kohë ne të rinjtë e Tiranës, - vazhdon shkrimtari, - vështronim me kërshëri punonjësit e ambasadave të akredituar në Tiranë që visheshin apo mbanin baseta disi të gjata, këpucë me majë, pantallona të ngushta në bel e të gjera poshtë, me xhepa para e mbrapa në formë “pllake”, kurse ne djemtë e “Broduejt” vishnim pardesy të lehta të bardha, jakat e të cilave i mbanim ngritur, tip “Elvis Presli”. Kishim dëshirë të visheshim pak a shumë si këngëtarët dhe artistët e huaj. Këndvështrimi ynë shtrihej te këngëtarët që aq shumë na tërhiqnin me veshjet e lëvizjet e tyre marramendëse si Çelentano, Mina, Luçio Batisti, Domeniko Modunjo, Pepino di Kapri, Mirej Matjë.

Romani “Broduej...” të jep kënaqësi teksa lexojmë poezinë e thurur nga shkrimtari tiranas dedikuar “Vajzës tiranase” kaq e bukur, kaq e ëmbël, kaq e kristaltë, kaq e magjishme. Por kjo bukuri  e brishtësi thyhet kur më pas këto vajza  në vitet ’60 “iu qepën kodrave e maleve për t’i bërë ato pjellore si fushat”. Këto aksione, të rekomanduara nga Partia krijuan kallo në duart e vajzave tiranase teksa i erdhi radha “Letrës së Hapur” të Komitetit Qendror, e cila iu kundërvu të bukurës. Dhe fundi i kësaj intermexoje lidhet me tjetër Intermexo ku vajzat e Tiranës u detyruan të visheshin me dokun e kombinatit “Mao Ce Dun”. Edhe ato pak mbrëmje vallëzimi që organizoheshin në gjimnaze e fakultete tregonin haptazi veshjet e thjeshta nga ato të blera jashtë shtetit  të disa djemve e vajzave, të siguruara nga baballarët e tyre që punonin nëpër ambasada dhe i kishin mundësitë të bridhnin nëpër botë, ndërkohë që shumica e të rinjve shqiptarë visheshin po njësoj.

Një temë më vete në librin e Alimehmetit zë edhe shkrimi me titull “Parada” e miseve. Bëhet fjalë për ato “mise” që banonin në Tiranë, të cilat dashje pa dashje e nisnin “mëngjesin” përgjatë trotuarit të Broduejt. Këto mise nuk morën pjesë nëpër konkurse bukurie, mbasi aktivitete të tilla as që u organizuan ndonjëherë në ato vite, paçka se të shtangnin me bukurinë e tyre në fytyrë, në sy e në trupat tepër ndjellëse. Te kthesa e “Dyqanit të luleve” rrëzëllente Gid H. teksa shkonte të blinte qumësht. Më pas ajo, me shishet e qumështit në dorë, ndiqte rrugëtimin te Fotostudio “Skënderbeg” në vitrinën e së cilës prezantoheshin fotot e artisteve italiane që aq përmallshëm i shihte. Dhe vinte pas saj Kozeta.Sh. e cila, e gjatë siç ishte, eklipsonte çdo bukuroshe të Tiranës, që guxonte të matej me të. Më pas, sikur rrëshqiste me ecjen e saj, Keti, mbesa e maestro Kanaçit, me flokët dhe vështrimin marramendës kalonte trotuarit të Broduejit për një vizitë, qoftë edhe të shkurtër për në shtëpinë e maestros së baletit shqiptar. Profesor Kanaçi, sikur na realizonte një dëshirë tonën, ashtu në heshtje, në ditët e kampionatit botëror të futbollit botëror “Anglia 1966” apo “Mexiko 1970” e linte derën e shtëpisë pothuajse hapur që të ndiqej nga vështrimi i djemve të “Broduejt”. Në jo pak raste shfrytëzohej aparati televiziv i maestros edhe në ndjekjen nga afër të emisioneve të RAI-t, të koncerteve si “Senza Kette”, “Canssonisima”, “Mill luce” etj.

Libri 'Broduej i Tiranës'

Dhe vajzat e bukura të Tiranës si: Afërdita .V., motrat Elizabeta dhe Astrida. L., shoqet Lili. P. dhe Ylbere K., shoqe të ngushta me njëra – tjetrën, ishin po aq bukuroshe sikur plotësonin paradën e miseve të Tiranës. Kjo e fundit në ato vite kishte fituar famë me portretin e saj në kopertinën e revistës “Miqësia”, organ i Komitetit Shqiptar të Marrëdhënieve me vendet e huaja  Kalonin vazhdimisht asaj rruge teksa zbritnin nga lagjja “Ali Demi”, kalonin urën e Lanës dhe merrnin tatëpjetë Namazgjasë për të bërë xhiron e përnatshme të ndjekur nga ofshamat dhe vështrimet e kalimtarëve.

Gid Z. një tjetër mis sikurse Gid.H. përshkonte trotuarin e Broduejit, dukej si një djalë çapkën dhe veç ecte në majë të biçikletës. Madje edhe kishte interpretuar në një rol të filmit “Vitet e para”, me skenar nga romani “Këneta” të shkruar nga Fatmir Gjata. Dy Gidat e bukurisë tiranase u bënë pjesë e peizazhit të Shkodrës, mbasi të dyja e lidhën fatin me djem shkodranë. Shquheshin në këtë mes edhe motrat binjake Tartari, Didi dhe Anila, interpretuese në filmin “Zonja nga qyteti”, të cilave sa herë kalonin rrugës së “Broduejit”, ne djemve na pëlqente t’u thërrisnim “Sorella Kesle”. Teksa shihnim Zana B, ne thoshim: “Ja, po kalon Katerina Kazeli”. Kur ecte Elida B. nuk ngurronim ta quanim Klauda Kardinale. Dhe ajo që na nxiste të kishim më tepër njohje me artistet italiane, të cilat origjinën e thellë e kishin shqiptare. R tillë ishte Ana Oksa e cila disa herë e kishte theksuar se ishte me origjinë nga Shqipëria.

Shkrimtari B. Alimehmeti se përveç miseve të Tiranës nxjerr në pah edhe bukurinë  e artisteve të Teatrit të Perës dhe Baltit ku përmendej Luiza Papa, e shquar si këngëtare në operetën “Princesha e Çardashit”, interpretimin  e operës “Madam Baterflai” nga Gjyzepina Kosturi, të aktores së teatrit Margarita Xhepa me interpretimin e Ofelisë  në shfaqjen “Hamleti”, Drita Pelinku në dramën e Shilerit: “Intrigë e dashuri”.

Si tiranas puro, shkrimtari Bedri Alimehmeti bën fjalë për shkrimtarin po tiranas, Mustafa Greblleshi, për të cilin krijoi mundësitë dhe e njohu nga afër, duke shkëmbyer edhe dy fjalë me të si shkrimtar i adhuruar prej tij, mbasi edhe vetë, si lexues, kishte siguruar librin e tij “Greminë e dashurisë”, botuar në vitet 1944. Në bisedë me shoqen e klasës, Nezin, duke folur edhe për fatin tragjik të shkrimtarit në fjalë, e cila me dhembshuri e mbylli bisedën me shokun e klasës, duke u shprehur: “Si është e mundur që autori i “Greminës së dashurisë” të jetë gremisur në këtë mënyrë”?

Bedri Alimehmeti mund të quhet edhe enciklopedist më vete. Ai në shkrimet e veta të karakterit sportiv, në fushën e muzikës sidomos të asaj perëndimore është shquar për emra sportistësh të skuadrës së tij të zemrës “Tirona”, emra këngëtarësh, tituj këngësh po të  botës perëndimore ku si idhull ka patur e ka Adriano Çelentanon. Dhe e mbyll intermexon për këngëtarin, aktorin e famshëm me një krahasim të mrekullueshëm: “Ja, ky është Adriano që jeton tashmë në vitet e dekadës së nëntë të jetës, në kulmet e veprimtarisë artistike: i bukur  - kurrsesi. Më saktë – aspak. Simpatik – shumë. I zhdërvjellët – në mënyrë të habitshme. I mprehtë – çuditërisht. Me humor – të jashtëzakonshëm. Imponues – në kulm. Zërin – të veçantë. Ekzakt – shok veten. Në kërcim – befasues, tepër tërheqës. Ky ishte dhe mbetet Çelentano, i përshkruar kaq mjeshtërisht  nga “broduejsi” i viteve ’60-të Bedri Alimehmeti.

Në vazhdimësinë e Intermexove autori bën fjalë për filmin “Një jetë” me skenar të shkrimtarit Gi dë Mopasan. “Broduejsit” e  Tiranës arritën e panë filmin shfaqur në kinematë e kryeqytetit. Buja më e madhe në ekranet e kinemave “17 Nëntori” apo “Partizani” ndodhi nga erotizmi që prej dekadash kishte munguar në ekranet e kinemave. Të etur për filma të tillë edhe pse çmimi i biletave u dyfishua në ditën e pasme, spektatorët e shumtë vërshuan në kinema për të parë nga afër filmin “Një jetë”, por mbetën të zhgënjyer sepse në vend të filmit aq shumë të dëshiruar, në ekran u shfaq filmi hungarez “Gilgameshi i ri”. Ishte një urdhër i dalë nga zyrat e Komitetit Qendror në orët e vona të mbrëmjes.

Filma si “Një jetë” dhe aktorë me famë botërorë që me aq dëshirë shikoheshin nga të rinjtë e kryeqytetit, nuk parashiheshin me sy të mirë ng kupola qeveritare. Kur mësuam për vdekjen e Merilin Monrosë, yllit numër një të seksit femëror në botë, dhe pritnim diçka më shumë nga shtypi i kohës për të, në faqet e gazetës “Bashkimi” u botua shkrimi me titull “Limon i shtrydhur”, fakt ky që na revoltoi shumë. Ndaj edhe B. Alimehmeti shkrimtar dhe poet, e mbylli këtë intermexo me vargjet “Vdekja e Merilin Monrosë”.

Dhe në vazhdim e deri në mbyllje të librit “Broduej e Tiranës” bëhet fjalë për regjisorë si i madhi Kujtim Spahivogli i cili i dha shumë Teatrit Popullor dhe Institutit të Lartë të Arteve, këngëtarë të mrekullueshëm si Besnik Taraneshi, të famshmit e futbollit, të boksit, basketbollit, volejbollit këtu në Shqipëri, në jo pak raste provuan jetën e hidhur të burgjeve dhe internimeve. Jo  më kot Bedri Alimehmeti e titulloi librin “Broduej i Tiranës” ku, duke filluar nga vetë autori e të tjerë me radhë, nga faqja në faqe të këtij libri ishin të dëshiruar për një jetë më të çlirët, me frymëmarrje më të gjerë, por kudo e kurdo kërbaçi i shtetit goditi rëndshëm në trupat e shpirtrat e këtyre njerëzve të thjeshtë, që për vite të tëra u shtypën nga thundra mizore e politikës së mbrapshtë.

Dhe e mbyll këtë paradë intermexosh me shprehjen: Urime Bedri!

G.M./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Lindita: 10/03/2019 15:41

    Telefonanami!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

PD kërkon qeveri teknike, Kikia: Protestat e opozitës, modeste për ta detyruar mazhorancën të pranojë! Partitë e reja janë një realitet i ri në politikë

PD kërkon qeveri teknike, Kikia: Protestat e opozitës, modeste për ta detyruar mazhorancën të pranojë! Partitë e reja janë një realitet i ri në politikë