Presidenti ka dekretuar 7 ligjet e Paketës Fiskale për vitin 2026. Begaj i ka dhënë vulën përfundimtare 2 nismave me të debatueshme të Paqes Fiskale, pasi ka dekretuar ligjin për fshirjen e borxheve tatimore dhe doganore si dhe ligjin për 'Marrëveshjen e Paqes'.
Brenda këtij viti administrata tatimore dhe ajo doganore duhet të fshijnë nga bilancet e tyre, çdo borxh që kanë bizneset, të cilat janë krijuar përpara 31 dhjetorit të vitit 2014. Nga kjo nismë e qeverisë që u miratua më 12 dhjetor të vitit që lamë pas preken gati 2.1 miliardë euro detyrime të papaguara në dekada, dhe përfitojnë më shumë se 200 mijë biznese debitorë.
Ndërsa ligji i Marrëveshjes së Paqes parashikon negocimin e fitimit midis administratës tatimore dhe biznesit për vitin 2026 e në vijim. Gjithashtu ju jep mundësi bizneseve të korrigjojnë pasqyrat financiare të 5 viteve të fundit dhe të rrisin deklarimet.
Presidenti ka dekretuar ligjin për procedurat tatimore që kufizon pagesat në cash për herë të parë edhe për qytetarët në 500 mijë lekë dhe ul tavanin për bizneset nga 150 mijë në 100 mijë lekë.
Po ashtu, ai ka dekretuar ligjin “Për sistemin e taksave vendore”, i cili parashikon të përjashtojë të gjitha investimet të financuara nga buxheti i njësive të qeverisjes qendrore dhe vendore, të ndërtimeve për qëllime publike në fushën e arsimit, shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale nga taksa e ndikimit në infrastrukturë.
Gjithashtu janë dekretuar ligji “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, si dhe ligji për të ndryshuar ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”, ku parashikohet një sërë lehtësish fiskale për sponsorizimet në sport si dhe në fushën e zhvillimit dhe kërkimit, si dhe për herë të parë vendoset si detyrim për bizneset online të deklarojnë NIPT-in në faqet e tyre.
Ligji i TVSH që gjithashtu është dekretuar parashikon kompensim të faturave të fermerëve me 10%.
I vetmi ligj i dekretuar i paketës që tashmë është botuar në fletoren zyrtare është ai i rivlerësimit të pasurive të paluajtshme.
Komente












