Begaj dekreton ligjin ‘Për Zonat e Mbrojtura’ pas konsultave me ekspertë: S'ka përplasje me direktivat e BE-së! Tabaku: Do ta çojmë në 'Kushtetuese'

Begaj dekreton ligjin ‘Për Zonat e Mbrojtura’ pas konsultave me ekspertë: S'ka përplasje me direktivat e BE-së! Tabaku: Do ta çojmë në 'Kushtetuese'

Presidenti Bajram Begaj

Presidenti i vendit Bajram Begaj ka dekretuar ligjin për ‘Zonat e Mbrojtura’, i cili u votua në Kuvend më 22 shkurt vetëm me votat e mazhorancës, ndërsa është kontestuar nga radhët e opozitës. Ky ligj i hap rrugë ndërtimeve ekologjike për t’i vënë në shërbim të ekonomisë.

Në argumentimin e presidentit, Begaj thotë se janë zhvilluar disa konsulta me grupet e interesit dhe ekspertë të Kushtetutës të cilët nuk gjejnë bazë për pretendimet si ligj me risk potencial për mbrojtjen e mjedisit dhe as të kushtetutshmërisë.

‘Për probleme që mund të konstatohen gjatë implementimit të ligjit mund të vihen në lëvizje mekanizma të tjerë ligjorë mbrojtës’, thotë presidenti.

Shqetësimeve për miratimin e ligjit pa kuorumin e deputetëve në seancë plenare, Presidenca sqaron se janë lëndë e brendshme e Kuvendit dhe mund të trajtohen vetëm prej tij. Institucioni i Presidentit të Republikës nuk identifikoi përplasje dispozitash. Zbatimi i direktivave të BE-së mund të bëhet i plotë edhe në kushtet e këtij ligji.

'Për shkak se ligji u shoqërua me komente dhe kritika në fazën e shqyrtimit dhe miratimit të tij, sidomos nga grupet përfaqësuese të organizatave mjedisore, Presidenti i Republikës ndërmori një sërë konsultash dhe zgjeroi procedurën e shqyrtimit me përfshirjen dhe tërheqjen e opinioneve nga grupet e interesit, por edhe nga ekspertë kushtetues. Lidhur me shqetësimet e ngritura për këtë procedurë shqyrtimi, Institucioni i Presidentit të Republikës sqaron opinionin publik, si vijon:

Organizatat e shoqërisë civile shohin te ligji përplasje me standardet dhe udhëzuesit e IUCN-së (International Union for Conservation of Nature).

IUCN-ja është një rrjet i madh dhe i rëndësishëm ndërkombëtar i organizatave mjedisore me autoritet global për sa u takon çështjeve të mbrojtjes së mjedisit. Standardet dhe udhëzuesit e IUCN-së nuk kanë fuqinë juridike të traktateve apo marrëveshjeve ndërkombëtare dhe, si të tilla, nuk mund të përdoren për shqyrtimin e përputhshmërisë kushtetuese të ligjit nr. 21/2024.

Organizatat e shoqërisë civile shohin te ligji risk potencial për mbrojtjen e mjedisit, i cili mund të shkaktohet nga zbatimi i gabuar i dispozitave të tij. Ekspertët kushtetues të thirrur në konsultë dhe Institucioni i Presidentit të Republikës nuk e shohin këtë pretendim si çështje që i përket procedurës për shqyrtimin e  kushtetutshmërisë.

Për probleme që mund të konstatohen gjatë implementimit të ligjit mund të vihen në lëvizje mekanizma të tjerë ligjorë mbrojtës, si nga organet eprore/mbikëqyrëse, ashtu edhe nga organizatat mjedisore. Shqyrtimi i kushtetutshmërisë që bën Institucioni i Presidentit të Republikës është shqyrtim abstrakt dhe i pa lidhur me skenarë të supozuar veprimi.

Organizatat e shoqërisë civile shohin te procedura e shqyrtimit parlamentar të projektligjit cenimin e dispozitave të Rregullores së Kuvendit për përfshirjen e Këshillit të Ministrave në shqyrtimin e nismave ligjore parlamentare dhe për konsultimin publik.

Kritikat lidhur me mënyrën e zbatimit të Rregullores së Kuvendit apo me mënyrën e organizimit të konsultimit publik janë lëndë e brendshme e Kuvendit dhe mund të trajtohen vetëm prej tij në ushtrimin sovran të kompetencave të veta. Institucioni i Presidentit të Republikës ka detyrë të mbikëqyrë vetëm respektimin e procedurës kushtetuese në procesin ligjvënës.

Organizatat e shoqërisë civile kanë pretenduar përplasje, pa referenca konkrete, me dy direktiva të BE-së (direktiva e Këshillit 92/43/EEC dhe direktiva e Parlamentit Evropian dhe Këshillit 2009/147/EEC). Institucioni i Presidentit të Republikës nuk identifikoi përplasje dispozitash me asnjërën nga këto dy direktiva. Zbatimi i direktivave mund të bëhet i plotë edhe në kushtet e këtij ligji.'- njofton presidenca.

Gazment Bardhi nga Rithemelimi thotë se ky është një ligj që shkatërron zonat e mbrojtura e akuzon kreun e shtetit, se për të në çdo rast prevalon interesi korruptiv i klientëve të Edi Ramës dhe jo interesi i qytetarëve shqiptar. Ndërsa deputetja demokrate Jorida Tabaku paralajmëroi se ligjin do ta çojnë në Gjykatë Kushtetuese.

Socialistët kaluan me 74 vota pro ligjin për “Zonat e mbrojtura”. Teksa në seancë votohej jashtë sallës së parlamentit një grup aktivistësh të shoqërisë civile dhe deputetësh të opozitës protestonin. Opozita e ka cilësuar ligjin si një ligj korruptiv dhe në shkelje të direktivave të BE-së.

Pas votimit një reagim erdhi edhe nga delegacioni i BE-së në Tiranë, i cili teksa kujtoi detyrimin që ligje të kësaj natyre kërkojnë konsultim publik para miratimit dhe garantoi se do të ndjekë me shumë vëmendje zbatimin e dispozitave të reja ligjore për zonat e mbrojtura.

Ndryshime do të përfshijnë që në disa prej territoreve të klasifikuara si zona të Mbrojtura, do të mund të ndërtohen struktura akomoduese me qëllim zhvillimin e turizmit apo agroturizmit, por me kushtin që të mbahet një ekuilibër mes natyrës dhe aktiviteteve të zhvilluara.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:43
Zhupa: Begaj, nuk u bë dot garant i kushtetutës dhe interesit publik

1709311873_inazhupa.jpeg

Deputetja Ina Zhupa ka reaguar pas dekretimit te ligjit “Per Zonat e Mbrojtura” nga Presidenti Begaj. Ajo shprehet se nuk ka arritur te mbroj kushtetuten dhe interesin publik dhe se ka dekretuar një ligj me arsyetime absurde. 

'Presidenti nuk u bë dot garant i kushtetutës dhe interesit publik. Keqardhje për argumentat që edhe juristët e sapo diplomuar nuk do i shkruanin aq mediokre si ato për dekretimin e ligjit “Për zonat e Mbrojtura”

Presidenca dhe ekipi misterioz, flet për “shqyrtim abstrakt” edhe ka bërë një arsyetim absurd. Nuk e shikojnë dot shkeljen e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, nuk e shikojnë dot shkeljen e konventave ndërkombëtare për mjedisin, nuk e shikojnë dot shkeljen e kushtetutës.

 “Institucioni i Presidentit të Republikës ka detyrë të mbikëqyrë vetëm respektimin e procedurës kushtetuese në procesin ligjvënës”- ku e ka gjetur këtë që duhet shikoj vetëm procedurë dhe jo normat dhe parimet kushtetuese dhe standartet e BE dhe konventave që ka ratifikuar vendin,  do ngelet mister ashtu si emrat e ekipit që e këshillon. Uroj që ky ekipi i thirrur për konsultë mos jetë nga zyra e kryeministrit.

Zonat e Mbrojtura janë aset kombëtar dhe do i mbrojmë me të gjitha mjetet, duke mos lejuar betonizimin dhe shkatërrimin e tyre. 

Presidenti i hoqi shansin vetën që të shikohej si institucion i pavarur.'- shkruan Zhupa.

Ora 19:57
Begaj dekretoi ligjin për 'Zonat e Mbrojtura', Tabaku: Do ta çojmë në 'Kushtetuese', hap pas në procesin e përafrimit me BE

1710788398_tabaku.jpg

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku përmes një postimi në rrjetin social “X” shprehet  se ligjin për Zonat e Mbrojtura, që u dekretua nga Presidenti do ta çojnë në Gjykatë Kushtetuese.

“Dekretimi Ligjit të Zonave të Mbrojtura është një mundësi e humbur për ta rikthyer ligjin për një debat publik & proces ligjor të rregullt! Ai përbën një hap pas në procesin e përafrimit me BE, kundër Kushtetutës & kundër trashëgimisë sonë natyrore. Tanimë ligji do shkojë në GJK”, shkroi Tabaku në rrjetin social “X”.

Ora 18:43
Dekretimi i ligjit për 'Zonat e Mbrojtura', Bardhi: Begaj humbi mundësinë të jetë shërbyes i interesit publik, prevalon interesi korruptiv

1710784033_bardhi.jpeg

Deputeti i Rithemelimit Gazment Bardhi ka reaguar në lidhje me dekretimin e ligjit për Zonat e Mbrojtura nga presidenti Bajram Begaj. Bardhi shprehet se ky është një ligj që shkatërron zonat e mbrojtura, ndërsa nënvizoi se Presidenti i Republikës humbi përsëri mundësinë të jetë shërbyes i interesit publik.

Reagimi i Bardhit: 

Përsëri sot Presidenti i Republikës humbi mundësinë të jetë shërbyes i interesit publik. Dekretimi prej tij i ligjit që shkatërron zonat e mbrojtura është tjetër provë se për Kreun e Shtetit në çdo rast prevalon interesi korruptiv i klientëve të Edi Ramës dhe jo interesi i qytetarëve shqiptar. 

Kurrë në më shumë se 30 vjet Shqipëria nuk ka patur një President që nuk guxon të ngrihet në lartësinë e detyrës, si garant i Kushtetutës, ku përcaktohet se identiteti kombëtar dhe trashëgimia kombëtare janë baza e këtij shteti, i cili ka për detyrë t’i respektojë dhe t’i mbrojë. 

Që nga emërimi në detyrë Presidenti i Republikës ka kthyer për rishqyrtim vetëm një ligj, që lidhej me interesat personale të tij. Ndërkohë një shumësi ligjesh, që prekin interesin e qytetarëve, që bien ndesh me Kushtetutën, ligje me porosi klienteliste apo korruptive, janë miratuar me kokën ulur nga Presidenti i Republikës, duke u vetëshpallur si degë e ekzekutivit dhe duke humbur rolin e tij kushtetues. 

Shqipëria ka nevojë urgjente për rikthimin e balancës mes pushteteve, duke nxitur kontrollin e ndërsjellt mes tyre. Rikthimi i mekanizmave demokratike dhe mbrojtja e demokracisë është më i domosdoshëm se kurrë.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Dita e mësueses së baletit në ‘Një nga ne’, Romina Kaso: Më frymëzojnë sytë e fëmijëve, do kërcej sa të kem fuqi

Dita e mësueses së baletit në ‘Një nga ne’, Romina Kaso: Më frymëzojnë sytë e fëmijëve, do kërcej sa të kem fuqi