Behar Shtylla: Ja arsyet pse
Noli nuk erdhi në Shqipëri

Behar Shtylla: Ja arsyet pse<br />Noli nuk erdhi në Shqipëri
Libri i Behar Shtyllës “Fan Noli siç e kam njohur”, një botim i rrallë e i mezigjendur i vitit të mbrapshtë 1997, është një libër i mbushur me kujtime, fakte, letërkëmbime ditare e shumë detaje surprizë nga njohja e tij me poliedrikun Noli.
Ky libër ishte lënë në dorëshkrim dhe i papërfunduar nga autori. Shtylla e ka njohur nga afër Fan Nolin dhe rrëfen për të që nga mbresat e takimit të parë në hotelin New Yorker në qershor 1946, kur kishte shkuar së bashku me njëd elegacion si vëzhgues në konferencën e atij viti në OKB e deri në kujtimet e takimit të fundit me të.

Rikthimi tek ky libër për shumë lexues mund të përbëjë interes, sidomos tashmë pas shumë botimeve rreth Nolit, letërkëmbimeve, studimet rreth jetës e veprës së tij, etj.  Në këtë libër  interes të veçantë përbëjnë fletët e ditarit të Behar Shtyllës ku rrëfehen takimet e bisedat me Fan Nolin,  faktet dhe analizat e tij mbi disa çështje rreth marrëdhënies së Nolit me Shqipërinë e pas luftës dhe udhëheqjen komuniste, etj. Por interes të veçantë mes këtyre temave ngacmuese, ngjall analiza e Shtyllës e mbushur me fakte, fragmente letrash, kujtime, e biseda mbi enigmën se pse Fan Noli nuk erdhi kurrë në Shqipërinë komuniste edhe pse vazhdimisht, vit pas viti, deri në vdekje përsëriste dëshirën për tu kthyer në atdhe. Por pse ai nuk erdhi asnjëherë, dhe pse Enver Hoxha në verën e 1962 dha urdhër për të mos e lejuar Nolin të vijë në Shqipëri. Kjo analizë e Behar Shtyllës e rikthyer në kujtesën e lexuesve dhe studiuesve shkakton ngacmim sot, sidomos në këto kohë kur shumë dosje sekrete deri më dje të mbyllura kanë nisur të publikohen tashmë dhe shumë enigma mund të gjejnë zgjidhje.
Ad.Pe.
     
Përse nuk erdhi Fan Noli në Shqipëri?

Një nga pyetjet që ka mbetur pa një përgjigje të plotë që është bërë herë pas here edhe në shkrime të ndryshme është: Përse Noli nuk erdhi në Shqipëri pas luftës?
Në shumë raste, veçanërisht vitet e fundit, kjo është lidhur me qëndrimin e Nolit ndaj sistemit politik dhe udhëheqësve të Shqipërisë. si është e vërteta?
Më 1945, kur u ftua në Shqipëri nga qeveria shqiptare dhe iu propozua të vinte kandidaturën për deputet të Asamblesë Kushtetuese, Noli u përgjigj se kishte dëshirë të madhe të vinte në Shqipëri por kishte pengesa, porse mundtë vinte një vizitë pas Pashkëve.
Kjo dëshirë nuk u realizua as atëherë as më pas.

Në një takim më 1949, i sugjerova të vinte një herë në Shqipëri, qoftë edhe për një vizitë, ta shikonte me sytë e tij edhe një herë vendin e të parëve, të cilit i kishte kushtuar gjithë jetën, të gëzonte dhe miqtë e vjetër e të rinj, vetë popullin që e të rinj, vetë popullin që e donte dhe e priste me zemër të përmalluar.
U mendua pak, pastaj më tha:
- Fjala juaj është me vend. Do të mendohem për këtë, se zemra ma do.
Atëherë nuk erdhi dot. Dhe kur vendosi ta realizonte më në fund këtë dëshirë të pashuar, vdekja e rrëmbeu.
Këto vitet e fundit tek ne janë shprehur hipoteza të ndryshme për shkaqet e mosardhjes së Nolit në atdhe pas lufte sa qe gjallë edhe për qëndrimin e tij ndaj regjimit të ri në vendin tonë. Pa pretenduar të jap përgjigje përfundimtare dhe ta konsideroj debatin të shteruar, do të mundohem që përveç sa shkruaj në pjesë të tjera të këtij libri, të sjell disa dëshmi që mund të ndihmojnë sqarimin e këtyre dy çështjeve.
Së pari, për qëndrimin e Nolit ndaj regjimit në Shqipëri.

Fan Noli, si atdhetar e demokrat revolucionar konsekuent, çlirimin e Shqipërisë nga fashizmi dhe vendosjen e pushtetit popullor i përshëndeti si triumf. Ai u rreshtua në përkrahje të qeverisë që doli pas luftës. Pavarësisht nga rezervat ose kritikat që mund të ketë pasur në çaste dhe për çështje të caktuara ndaj kësaj qeverie, nuk ka dalë asnjë dokument që të dëshmojë se ai ka mbajtur qëndrim kundër saj. Kritikat për persona të veçantë nuk mund të përgjithësohen ndaj regjimit e të njësohen me të. Kam dëshmi jo të pakta të botuara që Noli tek udhëheqësit e rinj shqiptarë shikonte reformatorë që, shpresonte ai, do të ndërtonin një Shqipëri demokratike e moderne dhe këshillonte: “Ata janë të rinj dhe kanë programin e tyre, dhe ne këtu (në Amerikë) duhet të kemi durim dhe të mos i gjykojmë me rrëmbim”[i].

Kësaj pikëpamjeje i përmbahen edhe një numër studiuesish të jetës e të veprimtarisë së Fan Nolit. Në veçanti, Ylli Zajmi, autor i një monografie të plotë e serioze për Nolin, argumenton që Noli që më 1943 ishte përcaktuar në mbështetje të Luftës Nacionalçlirimtare, ndërsa pas çlirimit të Shqipërisë në përkrahje të qeverisë. Ai përmend faktin që kur shkoi delegacioni i parë i Republikës Popullore të Shqipërisë në ShBA, për të marrë pjesë në punimet e Organizatës së Kombeve të bashkuara, Noli shkoi menjëherë në nju Jork për ta takuar dhe ndihmuar këtë delegacion, përmend memorandumin “Shqipëria që nga viti 1939”, artikujt e botuar në Dielli në vitet 1946-1947: “Dy fjalë për Ditën e Flamurit”, “Ditë Triumfi”, “Dalëngadalë po kthjellohet”, “Dy fjalë për ballistët”, në të cilët ai u bën thirrje bashkatdhetarëve që të përkrahin dhe ta ndihmojnë qeverinë demokratike të Shqipërisë[ii]. vlen të shtohet edhe artikulli i tij, botuar në Dielli më 21 dhjetor 1949, “Deklaratë përmbi ballistët”, ku Noli thekson se shqiptarët e Amerikës “e kanë për detyrë të përkrahin guvernën demokratike të Shqipërisë, e cila është garantia më  shigurtë e independencës kombëtare, e tërësisë tokësore dhe e lirisë popullore”[iii]. Po ky studiues, duke argumentuar “simpatinë dhe përkrahjen e parezervë të Nolit ndaj qeverisë demokratike” përmend edhe “letrat e tij, të cilat herë pas here ua dërgonte shokëve të vjetër në Shqipëri”[iv].

Ekziston një letër e Kostë Çekrezit e 11 janarit 1947 dërgua Fan Nolit, në të cilën Çekrezi, “i këshilluar nga disa miq të përbashkët në Nju Jork”, propozon Nolit të bashkohen e të bashkëpunojnë në një iniciativë për “çështjen e shpëtimit të Shqipërisë” tani që “puna e Shqipërisë ka marrë rrugën më të keqe”[v].
Nuk njohim ndonjë përgjigje të Nolit, në qoftë se ka pasur, por dihet se ai nuk u bashkua me “iniciativën” e Çekrezit, e cila, kuptohet, synonte veprime për të përmbysur qeverinë në Shqipëri.

Edhe kur ka pasur ndonjë shkrim të Nolit, që mund të merrej si kritikë ndaj sistemit politik në Shqipëri, me sa dihet deri tani, vetë Noli nuk ka munguar të sqarojë qëndrimin e vet. Kështu ka ndodhur në vjershën “Sulltani dhe Kabineti”, botuar për herë të parë në gazetën Dielli, më 5 korrik 1961 dhe ribotuar në “Album II”, më 1966. Ja shpjegimi i Fan Nolit:
“Ndodhen njerëz në botë që jo vetëm admirojnë autokracinë, po e vënë në fuqi me votë të lirë. Kjo ngjet në shumë vise të botës. Kur shkrova vjershën ofenduese (Sulltani dhe Kabineti – B. Sh.), s’kisha ndërmend regjimin komunist të Shqipërisë, shpreha ndjenjën time kundër çdo regjimi diktatorial që kufizon lirinë e mejtimit”[vi].

Në kujtimet e tij për Fan Nolin, Peter Prifti shkruan se, për shkak të qeverisë komuniste në Shqipëri dhe gjendjes së acaruar midis Tiranës e Uashingtonit, një pjesë e shqiptarëve në Boston donin që Noli ta kritikonte sistemin komunist në Shqipëri dhe t’u hapte luftë udhëheqësve të Shqipërisë... Antikomunistët dhe reaksionarët midis shqiptarëve në Amerikë, - thotë Prifti, - menduan se çasti më i mirë për ta futur Nolin në kampin e tyre ose, të paktën, për ta neutralizuar politikisht ishte festimi i pesëdhjetëvjetorit të themelimit të Vatrës, më 1962. Në banketin madhështor që u organizua në Nju Jork me këtë rast, ata shpërthyen një fushatë të tërbuar kundër Shqipërisë komuniste dhe udhëheqjes së saj. U ngritën e folën njëri pas tjetrit me të njëjtin ton luftarak e me të njëjtin qëllim.

“Folësi i fundit ishte Fan S. Noli. E gjithë gjindja prej disa qindra mysafirësh priste me kureshtje të madhe se ç’qëndrim do të mbante Noli tashti. Do të bashkohej me antikomunistët apo do të qëndronte veçan? U ngrit Noli më këmbë dhe plasi një bombë në sallën e banketës. Ai jo vetëm që nuk u pajtua me pozitat e grupit antikomunist, por përkundrazi kritikoi burrërisht politikën e tyre. Shkurt, ua prishi planin dhe gjindja e përkrahu. Populli punëtor që u ndodh në banketën, i priti fjalët e tij me duartrokitje. Kjo ngjarje shkaktoi një ftohtësi të dukshme midis Nolit dhe krerëve borgjezë të Vatrës. Mund të them bile se në atë banketë u ndanë udhët përfundimisht midis Nolit dhe krerëve të Vatrës.

Noli u qëndroi besnik parimeve të tij kombëtare, politike dhe shoqërore deri ditën e fundit të jetës së tij. Dhe shumica e popullit të thjeshtë punëtor, me ndjenja të pastra patriotike, e pasoi Nolin deri në fund. Megjithatë është ironik fakti që Noli, i cili ishte themeluesi kryesor i Vatrës, u braktis dhe u luftua prej udhëheqësve të saj në vitet e fundit të jetës së tij”[vii].

Studiues të ndryshëm që anë marrë me Nolin, kanë vënë në dukje se ai shprehte “gëzim dhe entuziazëm” për arritjet dhe përparimet e Shqipërisë. Vetë Noli, në një letër dërguar mikut të tij të vjetër Milto Sotir Gurra, më 25 maj 1964, e rendit veten në “grupin e të fatlumëve”, që patën fat të rrojnë për të parë këto suksese. “Vetëm kjo ndjenjë, - shton, - është e mjaftueshme për të kundërbalancuar të gjitha vështirësitë që kemi pasur në të kaluarën dhe mund të kemi përsëri në të ardhmen...”[viii].

Si atdhetar e burrë shteti me përvojë të madhe edhe punët e Shqipërisë, Noli i shikonte kurdoherë nga këndvështrimi i interesave kombëtare. Nisur nga ky pozicion, ai mbajti qëndrim të drejtë në përkrahje të Qeverisë së sapodalë nga lufta dhe të Enver Hoxhës, në përkrahje të të drejtave të Shqipërisë në fushën ndërkombëtare pas lufte dhe, kur ishte rasti, nuk mungonte të tërhiqte vëmendjen e qeverisë shqiptare dhe t’i dërgonte mendimet dhe rekomandimet që i quante të nevojshme.

Do të përmend dy raste që kanë të bëjnë me marrëdhëniet e vendit tonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Rasti i parë është ai i traktateve dhe marrëveshjeve të paraluftës midis vendit tonë dhe ShBA, për të cilat kam bërë fjalë më përpara. Njohjen e tyre nga qeveria e Shqipërisë, në nëntor 1945, qeveria amerikane e vuri si kusht për njohjen e qeverisë sonë. Ajo kishte të drejtë, formalisht, të vinte këtë kusht ndonëse, nuk e vuri kur njohu qeverinë jugosllave të Titos. Duke vënë një kusht të tillë, ajo mbronte interesat veta, mbronte parimin e vlefshmërisë së traktateve dhe detyrimeve ndërkombëtare dhe atë të vazhdimësisë së shtetit, pavarësisht nga ndryshimet e regjimit që mund të ndodhin në një vend të caktuar.

Fan Noli, në një sërë mesazhesh dërguar qeverisë sonë më 1946 nëpërmjet Legatës Shqiptare në Beograd, ngulte këmbë që të njiheshin traktatet e vjetra.
“Nga bisedat e mia me zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme (në Uashington – B. Sh.), - telegrafonte Noli në mars 1946, - kuptova se, me miratimin e traktateve të vendosura me regjimin e kaluar, ekziston mundësia për njohjen e qeverisë shqiptare. Të besoni se çdo vonesë mund ta shtyjë çështjen tonë në një kohë shumë mitike.

Duke patur parasysh diskutimin e ardhshëm lidhur me kërkesën shqiptare për anëtarësi në Kombet e bashkuara dhe trazimin e pandërprerë të Grekëve për Epirin e Veriut, sugjeroj miratimin e menjëhershëm të traktateve në fjalë”[ix].
Sigurisht, çështja e traktateve të vjetra ka pasur peshën e vet në mosrivendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve, po shtyrja “për një kohë shumë mitike”, siç thotë Noli, e njohjes së qeverisë shqiptare nga uashingtoni ka qenë ndikuar kryesisht nga politika e tij e përgjithshme kundër Shqipërisë socialiste.

Rasti i dytë është ky: në mars 1955, presidenti i ShBA Duajt Ajzenhauer i ofroi qeverisë shqiptare një ndihmë prej 850 000 dollarësh në drithë dhe sende të tjera ushqimore. Telegramin përkatës e mora unë. Ishte e diel. Enver Hoxha ndodhej në Durrës. Shkova dhe e informova për propozimin e presidentit amerikan.

Shkëmbyem disa mendime. Hodha idenë se ky gjest mund të ishte një shteg për të rifilluar dialogun midis dy vendeve. Atë vit po bëheshin përpjekje për të ulur disi tensionin në marrëdhëniet midis ShBA e bashkimit Sovjetik, në përgjithësi midis dy blloqeve rivale. Patjetër, edhe pozita strategjike e Shqipërisë në këtë rivalitet nuk injorohej në Uashington. Por Enver Hoxha mendonte se ky propozim ishte thjesht një gjest propagandistik, prandaj nuk duhej pranuar. Dhe kështu u bë. I tillë u bë edhe njoftimi në shtyp, pasi u mor edhe miratimi i qeverisë.
Aspekti propagandistik këtij propozimi të qeverisë amerikane ishte i dukshëm, po nuk përjashtohet edhe hipoteza që njëkohësisht të ketë qenë një gjest hapjeje për dialog. Reagimi impulsiv nga ana jonë ndaj këtij propozimi kuptohet, po të mbahet parasysh politika amerikane ndaj Shqipërisë në atë kohë; ajo nuk dallohej për vullnet të mirë e ndjenja miqësore.

Fan Noli nuk e priti mirë mospranimin e propozimi të Ajzenhauerit nga qeveria jonë.  Në një telegram drejtuar kryeministrit Mehmet Shehu, më 12 prill 1955, pasi shprehte keqardhjen për hedhjen poshtë të propozimit amerikan për ndihmë ushqimore Shqipërisë, ai theksonte se kjo dhuratë kishte kuptimin e një gjesti të vullnetit të mirë për të përparuar marrëdhëniet midis dy vendeve, si dhe të një hapi të rëndësishëm për vendosjen e paqes në Ballkan. Prandaj, Noli lutej të rishikohej çështja dhe të pranohej oferta e Amerikës në frymën që ishte bërë, edhe sikur të mos i përgjigjej një nevoje urgjente, sepse hedhja poshtë do të përdorej nga armiqtë e Shqipërisë[x].
Duhet vënë në dukje se, raste të tilla, sado që mund ta lëndonin zemrën e madhe të Nolit, për hir të së vërtetës historike, nuk e lëkundën qëndrimin e tij të njohur në përkrahje të regjimit të dalë nga Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare në Shqipëri.

Pra mund të thuhet se mosardhja e Nolit në Shqipëri nuk kishte të bënte me ndonjë antipati apo, aq më tepër, me armiqësi ndaj regjimit.
Ylli Zajmi në librin e tij parashtron hipotezat për shkaqet pse Noli nuk u kthye në atdhe pas çlirimit.
Duke iu referuar përgjigjes së Nolit ndaj thirrjes së Qeverisë Demokratike për t’u kthyer në Shqipëri që e kam përmendur më lart, se kishte dëshirë të madhe të ishte në atdhe, “por sot për sot nuk munt pse udhëtimet janë të kufizuara, përveç që ka edhe pengesa të tjera”, Y. Zajmi mendon se Noli do të ketë pasur parasysh kryesisht këtë: e para, mosha e kaluar.

Noli kishte kaluar të gjashtëdhjetat; e dyta, “Noli e dinte se tani nuk ishte fjala për një revolucion borgjez, si ai i qershorit, por një revolucion socialist si ai i Tetorit... dhe se tash e tutje në shoqërinë shqiptare do të bëheshin ndërrime radikale, nga të cilat Noli gjithmonë ishte ndrojtur”; e treta, “mosangazhimi i tij kundër A. Zogut, të cilin pushteti i ri e akuzonte për tradhti”; e katërta, “Në Boston kishte kaluar një kohë e gjatë, e njihnin dhe e çmonin jo vetëm bashkatdhetarët e tij, por edhe të tjerët që kishin pasur të bënin me të”. Dhe Zajmi konkludon: “Duke i marrë të gjitha këto parasysh, duket se pasi e mati dhe e çmati situatën e vet, Noli vendosi të mos luajë nga vendi”[xi].
Këto hipoteza nuk dokumentohen. Mendimin tim për pengesat që shikonte Noli më 1945 për të ardhur në Shqipëri në ato rrethana, e kam shprehur më lart mbështetur edhe në sa më pat thënë Noli vetë.

Nuk mund të pretendohet se Fan Noli, më 1945, e kishte ndarë përfundimisht që nuk do të kthehej më kurrë në Shqipëri. Ekzistojnë dëshmi për të kundërtën. Kështu në një letër dërguar Aleksandër Xhuvanit më 23 mars 1948, Noli shkruan:
“Ju faleminderit për letrën, ku më përshkruani përparimet e bukura që ka bërë Shqipëria nën guvernën domokratike. Natyrisht m’u shtua dëshira që ta shikoj atdheun e rilindur dhe  gjithnjë ëndërroj për këtë vizitë”.

Unë vetë, padyshim, kisha shumë dëshirë që të vinte Noli në Shqipëri, por edhe kisha frikë për të. Njerëzve të brezit tim u kujtohet se si në atë kohë, Koçi Xoxja, me nxitjen dhe në shërbim të jugosllavëve, sa vinte po forconte pozitat komanduese në parti e në shtet. Ai kishte krijuar një atmosferë persekutimi në rritje kundër njerëzve demokratë dhe intelektualëve me kulturë perëndimore. Në këtë situatë nuk doja që Noli të ishte në shqipëri, prandaj me sa më kujtohet, në raportin e parë që kam bërë për vizitën në Amerikë, jo pa qëllim, por domosdo me tjetër arsyetim, kam shkruar se në atë kohë  do të ishte më mirë që Noli të mos vinte për vizitë në Shqipëri.

Dua të përmend se pas vitit 1948, kur Noli i shpreh Xhuvanit dëshirën për të vizituar Shqipërinë, dhe për disa vjet të tjera me radhë, në Amerikë sundonte vala reaksionare ekstremiste e  makartizmit. Pra, kur edhe kundër Nolit vetë bëhej një luftë e ashpër nga reaksioni dhe Patriarkana greke e Stambollit, as që mund të mendohej se administrata amerikane do t’i jepte vizë atij për në Shqipëri.
Kështu, në ato vite, për të nuk mund të shtrohej çështja e një vizite në atdhe, jo se ai trembej, përkundrazi, është pikërisht në këtë periudhë, 1949-1951, që ai rithekson kundërshtimin ndaj ballistëve e kolaboracionistëve të fashizmit, kërkon lidhjen e Kishës Ortodokse Shqiptare të Amerikës me Kishën Autoqefale të Shqipërisë dhe përpiqet, ndonëse pa sukses, të organizojë fushata për huan shtetërore në Shqipëri dhe për ndërtimin e një spitali në Tiranë me ndihmat e shqiptarëve të Amerikës.

 E kam shkruar edhe më lart: sa herë që shkoja në Nju Jork për mbledhjet vjetore të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në vitet 1956-1965. Enver Hoxha më ngarkonte t’i bëja të fala Nolit. Me këto traste shkëmbeja edhe ndonjë mendim përse ai nuk po vinte një herë në Shqipëri. Unë vetë e kisha merak këtë, prandaj merrja miratimin e tij dhe nuk mungoja të ftoja Nolin të vinte në atdhe.
Vetëm një herë ndodhi një rast i papëlqyer dhe që më mbeti i errët: në korrik 1962, Halim Budoja përfaqësues i përhershëm i Shqipërisë në OKB, njoftoi se një nga udhëheqësit e Vatrës i kishte thënë që Fan Noli kishte dëshirë të vinte në Shqipëri. Arsyeja ishte që të siguronte një peshkop nga Shqipëria, i cili do të mund të drejtonte Kishën Shqiptare në Amerikë pas vdekjes së Nolit.

Ai kishte shtuar se qeveria amerikane i jepte leje Nolit për këtë udhëtim dhe, sipas tij, nuk përjashtohej që Noli të vinte e të qëndronte përgjithmonë në atdhe.
U gëzova kur mora këtë lajm, por nuk e di për ç’arsye nuk u prit mirë. Enver Hoxha më porositi të njoftoja Halim Budon të mos tregonte ndonjë interes dhe të mos e nxiste ardhjen e Nolit në Shqipëri. Porosia dhe teksti ishin të prera dhe unë duhej t’i zbatoja. Nuk e mësova dot kurrë shkakun për këtë ashpërsim qëndrimi të Enver Hoxhës ndaj Nolit në këtë rast. Vërtet unë isha ministër i Punëve të Jashtme por, siç dihet, si unë ashtu edhe anëtarë të tjerë të qeverisë, ishim vetëm zbatues të vendimeve dhe porosive të Byrosë Politike ku unë nuk bëja pjesë, dhe kryesisht të Enver Hoxhës i cili, si Sekretar i Parë i Partisë, politikën e jashtme të vendit kurdoherë e drejtoi vetë efektivisht. Unë mund të shprehja mendimin tim, por fjalën e fundit e kishin ai dhe Byroja Politike.

Pse ky ashpërsim qëndrimi kur vetë Enver Hoxha atëherë, por edhe më pas, kishte treguar simpati e respekt për Nolin, siç do të shkruante edhe në Ditarin e tij kur vdiq Noli më 1965? Mos vallë ai kishte të dhëna që kjo vizitë e Nolit lidhej me ndonjë përçapje politike të qeverisë amerikane, që ai nuk e mirëpriste dhe unë nuk e dija? Apo Noli nuk kishte shprehur fare një dëshirë të tillë dhe kërkesa e Vatrës ishte një sondazh i bërë me porosi të tjetërkujt, për të mësuar qëndrimin e qeverisë shqiptare ndaj Nolit dhe për ta përdorur, pastaj, refuzimin e qeverisë shqiptare si mjet për të shtyrë Nolin që të dilte kundër regjimit në Shqipëri? (Është fakt, që Noli vetë nuk ma përmendi asnjëherë këtë çështje në takimet e mia të mëpasme. Mos vallë në këtë ashpërsim qëndrimi që u mbajt ndaj kësaj kërkese në korrik 1962, duhet kërkuar edhe shkaku në festimet e 50-Vjetorit të Pavarësisë, më 28 nëntor 1962 në Vlorë, Noli nuk u ftua? Përgjigja mbase do të dalë një ditë nga studimi i dokumenteve arkivore ende të panjohura).

Noli nuk kishte hequr dorë nga dëshira e tij për t’u kthyer në atdhe, këtë ma dëshmoi edhe biseda e fundit që pata me të më 20 dhjetor 1964, kur më njoftoi vendimin e tij të prerë për të ardhur në Shqipëri më 1965 dhe për të qëndruar së paku gjashtë muaj. Mendoj se, me këtë vendim të prerë, Noli mbase donte jo vetëm të përmbushte ëndrrën e jetës së tij për të ardhur në atdhe, por, duke ditur gjendjen e tij të rëndë shëndetësore pas operacionit që sapo kishte bërë, si dhe në moshën e tij të kaluar, donte të vinte e të mbyllte sytë në mëmëdhe, të prehej përfundimisht në tokën e ëmbël të Shqipërisë, për të cilën kishte punuar e luftuar gjithë jetën.

Nuk kam dyshim se, në të ardhmen do të dalin dokumente të reja, që mund të ndihmojnë për të arritur në përfundime të sakta. Studiuesit që do të kenë fatin të shqyrtojnë nga afër dorëshkrimet, autobiografinë politike, ditarët dhe dokumente të tjera të panjohura të Nolit, si dhe arkivat ende të pahapura te ne, do të mundin të hedhin dritë të re edhe për këtë çështje.


Shkrimi u publikua sot (14.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online

(d.d/shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Ukrainë, lufta dhe pasiguria ndikojnë tek rënia e popullsisë

Ukrainë, lufta dhe pasiguria ndikojnë tek rënia e popullsisë