Behar Shtylla: Paçrami, Lubonja e
Luarasi shthurën artin në Korçë

Behar Shtylla: Paçrami, Lubonja e<br />Luarasi shthurën artin në Korçë
TIRANE- Në prag të stuhisë, pak ditë para Plenumit famëkeq të qershorit 1973, ku Enver Hoxha dënoi me forcë liberalizImin në art e kulturë, me 31 maj 1973 nga Korça dërgohej një relacion përvëlues për Komitetin Qendror.
Autori i këtij relacioni është Behar Shtylla, njëriu më i besuar i Hoxhës për politikën e jashtme, i cili në këtë kohë dukej se kishte një mision të veçantë, të zbulonte në qytetin e tij të lindjes e të mblidhte të dhëna për disa njerëz, të cilët më vonë do të burgoseshin me akuzën sabotim në fushën e artit dhe kulturës.  

Në Korçë sipas tij, gjendja ishte kritike. Sundon modernizmi. Fryma e realizmit socialist po lihet në hije dita-ditës. Tendenca liberalizimi hasen sipas Shtyllës kudo, në letërsi, muzikë, teatër apo estradë. Ai përmend një varg artistësh e shkrimtarësh, por emrat më të lakuar janë tre, Fadil Paçrami, Todi Lubonja, dhe Mihal Luarasi.
Relacioni i hartuar, zbulon që në fillim se ky skaner i jetës letrare e artistike në Korçë bëhej me porosi të Hysni Kapos.

Por çfarë kishte ndodhur? 
Në fillim të viteve ‘70 Enver Hoxha mbajti një fjalim ku inkurajohej rinia të merrte më shumë iniciativë dhe të ishte më e hapur, jo domosdoshmërisht ndaj perëndimit, por gjithsesi është fakt se pas këtij fjalimi fryu një erë liberalizimi.
Pikërisht nga kjo situatë morën shtysë sidomos artistët e shkrimtarët për të sjellë një aromë ndryshe në artin e tyre.

Rezultat i kësaj atmosfere ishte edhe vënia në skenë e dramës së Minush Jeros “Njollat e Murrme” nga regjisori Mihallaq Luarasi në Korçë, sikurse edhe festivali i 11-të në RTSH i dhjetorit 1972. Mund të thuhej se vetë udhëheqja komuniste kishte lejuar një lloj hapjeje të Shqipërisë ndaj perëndimit.
Por kjo duket se kishte qenë një kurth, përmes të cilit udhëheqja e lartë komuniste mati pulsin në fushat më delikate ku ata kishin kultivuar me forcë frymën e realizmit socialist për vite me radhë. Dhe këtë e dëshmon më së mirë ajo që ndodhi menjëherë pas festivalit të 11-të. 

Me 9 janar  në presidiumin e Kuvendit popullor Enver Hoxha e goditi rëndë festivalin, të cilin e kishte ndjekur nga Vlora ku ndodhej me pushime. Deri atëherë  festivali i 11-të kishte marrë vetëm vlerësime. Shumë shpejt nisi fushata e kritikave. Në Zërin e Popullit, një grup të rinjsh nga Lushnja përmes një letre kritikonin rëndë festivalin dhe frymën e tij liberale.
Pas fjalimit të 9 janarit, personazhet e implikuar nisën të ndëshkohen njëri pas tjetrit.

Regjisori i këtij festivali Mihal Luarasi dërgohet për riedukim në Ballsh. Ndërsa Todi Lubonja, menjëherë pasi kishte festuar 50 –vjetorin në RTSH e ku ishte dekoruar me një nga urdhrat më të lartë “për besnikëri në zbatimin e vijës së partisë”, e largojnë nga drejtimi i RTSH dhe e dërgojnë  si drejtor  të Ndërmarrjes Komunale në Lezhë.  Po ashtu ndodhi edhe me Fadil Paçramin, atëkohë sekretar i Komitetit të Partisë së Tiranës dhe anëtar i  Komitetit Qendror i cili u dërgua si drejtor i një miniere në veri të vendit.
 Në librin e tij  “Nën peshën e dhunës” Todi Lubonja e zbërthen deri në detaje atë çka kishte ndodhur, një fushatë e mirëorganizuar për të shuar çdo lloj iluzioni e shprese  ndaj një hapjeje sado të vogël me perëndimin.
 
Ja një pasazh nga libri i Lubonjës: “Që në fillim të vitit 1973 në fjalimin e 9 janarit që Enver Hoxha mbajti në presidiumin e Kuvendit Popullor, me dhimbje ndieva se  në qoftë se këta njerëz me parë s’kanë jetuar dhe kenë krijuar  në një atmosferë jo dhe aq të favorshme për të thithur ajrin e inspiracionit artistik tani do të asfiksohen. Për këtë  mjaftoi “gazi karbonik” që lëshoi me bollëk plenumi i 40t i Komitetit Qendror. Mjeshtri i kasaphanave staliniane në Shqipëri, Enver Hoxha arriti një kulm të ri rekord me spastrimet që e patën zanafillën në 1973.

Në pleniumin e 3 shkurtit 1973, ai ngjiti një shkallë pas fjalimit të 9 janarit. Në thelb ky plenium ishte fillimi i masave që do të merreshin për të shkurtuar objektet e aprovuara në planin pesëvjeçar, që do të thoshte njëkohësisht sinjalin e fillimit të prishjes së marrëdhënieve me Kinën. Çuditërisht,  Enver hoxha surprizën e tij e la për në fund. Në fjalën e mbylljes, ai si të thuash, i përcolli të gjithë anëtarët e kandidatët e Komitetit Qendror me nga një bombë me sahat në xhep. Ai paralajmëroi jo për rreziqet që do të vinin nga shkurtimi i objekteve, as për të këqijat që do të sillte prishja me Kinën, por për “retë e zeza” që ishin grumbulluar dhe i vinin rrotull disa institucioneve si Radio Televizionit Shqiptar, Lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve dhe disa sektorëve të tjerë, puna e të cilëve do të analizohej në  pleniumin e 4-t të Komitetit Qendror që do të mbahej në qershor të 1973”.
 
Pra, nga  shkurti deri në qershor kur edhe u mbajt plenumi i 4-t u organizua me përpikmërinë më të madhe gjithë fushata e reagimeve ndaj asaj çka kishte ndodhur, liberalizimit  të papranueshëm në arte dhe letërsi, fushatë që do të përmbyllej me dënimin e të gjithë “modernistëve”. Edhe relacioni që do të sjellim në dy numra të gazetës,  marrë nga fondi 14 në AQSH,  me autor Behar Shtyllën përcjell pikërisht një pjesë të kësaj fushate të mirëorganizuar.

Dokumenti
 RELACION

Prej datës 7 deri 17 maj qëndrova në Korçë.
Simbas porosisë së shokut Hysni Kapo, u mora kryesisht me problemet që kanë dalë në fushën e letërsisë e të artit.
Mora pjesë në mbledhjen e zgjeruar të degës së Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve më 8 e 9 maj si dhe në atë të kolektivit të Estradës, në të cilat u shqyrtuan konkluzionet e diskutimit të fjalimit të shokut Enver më 15 mars 1973. Pata dhe disa takime të veçanta si me Kristo Konon, Kristaq Cepën dhe piktorët Vangjel Tushi, Arqile Themeli etj. Nga diskutimet në mbledhje dhe nga takimet e veçanta, në këtë fushë dalin disa probleme:
1.- Krijimtaria letraro-artistike dhe drejtimi i saj në rreth
Në Korçë ka forca të shumta krijuese dhe letërsi, muzikë, pikturë, skulpturë, dhe një krijimtari të pasur e në përgjithësi të shëndoshë, në vijën e partisë. Gjatë vitit 1972 janë botuar 10 vepra letrare, janë çelur 9 ekspozita të arteve figurative (kolektive e individuale), janë krijuar mjaft vepra muzikore: Korça pati sukses në takimet kombëtare të ansambleve të këngës e valles popullore të përpunuar dhe të orkestrave simfonike.
Fjalimet e fundit të shokut Enver i dhanë shkas një diskutimi të gjerë kritik e autokritik që u thelluan në mbledhjen dy ditore të 8 e 9 majit, kanë ndihmuar së tepërmi njerëzit për të parë më mirë veten, shokun, situata, detyrat. Ato i kanë dhënë një impuls të ri gjithë punës së tyre. Gjatë diskutimit janë marrë mjaft angazhime për vepra të reja letrare e artistike, qysh tani për konkursin e 30-vjetorit të ushtrisë nga rrethi janë dërguar 30 punime, ndërsa trupa e Teatrit dhe Estradës gjatë prillit deri më 15 maj ka dhënë 47 çfaqje në qendra pune e në fshat, më shumë se gjatë gjithë vitit 1972.
Në mbledhje pati edhe disa diskutime jo të drejta që shprehnin grindje e rivalitete të vogla e që duhen kapërcyer, por në përgjithësi ato qenë pozitive, ngritën probleme, shprehën çqetësimet, por dhe optimizmë.
Kishte mjaft pakënaqësi ndaj kryesisë së vjetër të Degës, ndaj kryesis së Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve në Tiranë dhe organeve të saj, ndaj ish sekretarit të Komitetit të partisë të rrethit për propagandën Todi Lubonja dhe rolit të tij negativ, u thelluan në analizën dhe kritikën e shfaqjeve të huaja që janë dukur në letërsi e art, etj.
     Dega e Lidhjes nuk ka funksionuar mirë, Kryesia nën drejtimin e shkrimtarit Sotir Andonit, ka punuar dobët, ke qenë reduktuar me 2-3 veta, u kritikua dhe u zëvendësua me të re në këtë mbledhje. (U zgjodhën kryetar: shkrimtari Vangjush Ziku, sekretarë shkrimtar Andon Mara, kompozitori Kristo Kono dhe skulptori Avni Bilbili). Në Degë nuk ka patur atmosferë krijuese as jetë aktive e diskutime serioze, as kritikë parimore, por ose indiferentizëm ose qëndrime arrogante e deri në fyerje personale. Ka patur preferenca e dallime ndaj antarëve, qëndrime të pa drejta ndaj talenteve të reja amatorë. Ishte krijuar ndarje midis të vjetërve e të rinjve dhe thyer uniteti në Lidhje. U tha se në punën e dobët të Degës së Lidhjes ka influencuar Todi Lubonja me konceptet dhe qëndrimet e tij liberale e përçarëse. Marëdhëniet e Degës me Teatrin “A.Z.Çajupi” nuk kanë qenë të mira. Almanaku vjetor që botohesh prej vitesh dhe inkurajonte jetën letraro-artistike, nuk u botua më.
     Në mbledhje dhe në takimet individuale u shpreh kërkesa që Komiteti Ekzekutiv i KP të rrethit (seksjoni i kulturës) t’u qëndrojë më afër problemeve të krijimtarisë artistike, që vetë Komiteti i Partisë i rrethit t’u kushtojë më shumë kujdes njerëzve dhe problemeve të artit e letërsisë, të ketë një drejtim ideopolitik e një ndihmë më të afërt nga ana e tyre në këto fusha. Për këtë qëllim u propozua (dhe kjo në fakt është kritikë) që në aparatin e Komitetit të Partisë të ketë një instruktor të pregatitur për këtë sektor i cili të ndjekë nga afër problemet që dalin në fushën e krijimtarisë letraro-artistike në rreth, të mendojë e të ndihmojë dhe për edukimin ideoestetik e politik të punonjësve të artit e letërsisë. Në fakt, sot në Komitetin e Partisë të rrethit nuk ka një shok të tillë, edhe sekretari që merret me propagandën, shoku Vangjel Çerava, akoma nuk u ka hyrë si duhet këtyre problemeve.
 
2.- Shfaqje të huaja dhe probleme. Në diskutimet u shprehën shqetësimet e shkrimtarëve dhe artistëve, por u thellua dhe analiza, u përcaktuan më mirë shfaqjet e huaja dhe shkaqet që kanë krijuar këtë situatë, në një farë mase edhe përgjegjësitë, u shpreh me forcë edhe vullneti për të kapërcyer këto dobësi serioze dhe për të luftuar në rrugën m-l të partisë simbas porosive të shokut Enver, duke u angazhuar për veprime konkrete. Shkrimtarja Arsinoi Bino, ndër të tjera, tha: Atmosfera jo e ngrohtë që ishte krijuar, marrëdhëniet e acaruara, qëndrimi negativ i Teatrit ndaj veprës time më kishin larguar nga puna krijuese këto dy vjet. Fjalimi i shokut Enver më vuri përpara përgjegjësisë e më shkundi dhe, pavarësisht nga shëndeti, do të punoj. Kështu u shprehën edhe të tjerë.
     Cilat shfaqje të huaja kryesore u kritikuan?
     a. Në letërsi. – Shfaqjet e huaja që u kritikuan në letërsinë tonë dhe posaçërisht në veprat letrare të disa shkrimtarëve e poetëve korçarë janë kryesisht të karakterit liberal dhe tregojnë mënjanim nga realizmi socialist, nga ideologjia jonë m-l, nga vija dhe orientimet e Partisë tonë.
     Liberalizmi në fushën ideo-artistike ka çuar në liberalizmë organizativ, ka ushqyer individualizmin dhe u ka çelur rrugën rrymave të huaja borgjezo-revizioniste. Në këtë drejtim, u përmend influenca negative e ushtruar nga letërsia e huaj dhe kosovare, nga artikujt kritikë të shkrimtarit kosovar Rexhep Qosja, por dhe nga disa shkrime të poetëve e kritikëve tanë. Agim Isaku, maturant në Bilisht, poet me talent por që ka rënë pas rrymave idealiste, në autokritikën që bëri në mbledhje tha me sinqeritet se ai ishte influencuar nga vjershat e Fatos Arapit dhe Moikom Zeqos si dhe nga ato të poetit frëng Zhak Prever, të spanjollit Garsia Lorka dhe të poetëve kosovarë. U kritikuan sidomos simbolizmi e hermetizmi në poezi te poetët Agim Isaku, Petraq Kita etj., formalizmi dhe çkëputja nga realiteti që ka nxitur shkrimet retrospektive, gjë që do të thotë të shikosh prapa, të idealizosh të kaluarën e të mohosh realitetin, aspiratat dhe përpjekjet e masave për të ecur përpara, për të ndërtuar socializmin, tendenca për të sulmuar heroin pozitiv, pra pozitiven në jetë, dhe për të paraqitur hero njeriun në përgjithësi, pra jo në baza klasore por hero mbi klasat – heroi i tyre është njeriu universal, pra tendenca për një letërsi universale, mbi klasat, që në praktikë do të thotë për një letërsi klasore antiproletare, borgjeze e revizioniste.
     Në Teatër dhe Estradë, liberalizmi kishte shpënë në çthurje organizative të patolerueshme dhe mungesë të theksuar pune edukative e ideologjike, për të cilat përgjegjësi kryesore mban drejtori Nidha Shkodrani që u tha se jo vetëm ishte nën influencën e Todi Lubonjës, por praktikisht vepronte siç donte regjisori Mihallaq Luarasi. Nidha Shkodrani bënte gjithfarë lëshimesh me pretekstin se “artistët janë sensibël, me ta duhet sjellur me kujdes që të mos preken”. Atje kanë lulëzuar indiferentizmi, vet-kënaqësia, egoizmi profesional, grindjet, thashethemet.
     Në Teatër, edhe kur ishte regjisor Piro Mani, por sidomos me vajtjen e M. Luarasit dhe nën influencën e Todi Lubonjës, mbizotëruan rrymat e huaja. Ka patur influencë direkte nga teatri borgjez e revizionist (përmes Televizionit, etj), imitime të hapta në regji, në veshje, dekore, muzikë, edhe në veshjet dhe paraqitjen personale të aktorëve. Ka patur formalizmë të theksuar, pompozitet e gjigandizmë, ka ekzistuar ideja se primar është efekti regjisorial jo përmbajtja në skenë, pra është regjisori që zgjedh e i vë në skenë veprat simbas pikëpamjeve të tij, etj. etj. Kjo ka bërë që për vite me radhë në Teatrin e Korçës janë vënë në skenë një sërë veprash me përmbajtje të gabuar ideore, sidomos vitet e fundit si dramat e Mirush Jeros: Njollat e Murme dhe Të pamposhturit, apo Engjëjt e Skëterës, etj. Këshilli administrativ i Teatrit ka qenë formal. Kritikat dhe vrejtjet e një sërë shkrimtarëve dhe kuadrove si V. Ziko, M. Kallamata, A. Bino etj., për këto vepra nuk janë marrë parasysh fare. Atje vuloste M. Luarasi.
     b. – Në Muzikë. Edhe në muzikë ndikimet e huaja kanë bërë punën e tyre: Kryesia e Degës së Lidhjes ka prishur rrethet e muzikës që kur vajti Todi Lubonja. Në Festivalin e Këngës të rrethit, dhjetor 1972, që dolli me shumë të meta të përmbajtjes, nuk u aktivizuan antarët e Degës, por u thirrën poetë e kompozitorë nga rrethe të tjera, ka patur nënvleftësim për krijuesit korçarë. Tendenca ka qenë për muzikë “moderne” dhe të huaj, duke mënjanuar muzikën popullore dhe krijimet e kompozitorëve vendas: muzika e kompozuar nga K. Konua ishte hequr edhe nga programi mësimor i shkollës së muzikës në Korçë. Më parë në Korçë kishte një kor të veçantë për këngët
partizane; ky nuk ekziston më, këngët partizane këto vjete nuk janë kënduar dhe nxënësit e shkollave nuk i dinë.


Lexoni pjesen e dyte  Behar Shtylla: Ja shkrimtarët dhe artistët që folën kundër Todi Lubonjës
 

 
Shkrimi u publikua sot (14.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Netanyahu: Do të bëj gjithçka që Irani të mos ketë armë bërthamore

Netanyahu: Do të bëj gjithçka që Irani të mos ketë armë bërthamore