Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas
Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, tha të hënën (sot, 16 Dhjetor), se i dërguari i bllokut për Sirinë do të shkonte në Damask për të biseduar me udhëheqësit e rinj të Sirisë, ndërsa fuqitë perëndimore po intensifikojnë angazhimet pas rrëzimit të Bashar al-Asadit.
Kjo lëvizje nga Brukseli vjen pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe thanë se kishin kontaktuar autoritetet e reja në Damask, të udhëhequra nga grupi rebel, Hayat Tahrir al-Sham (HTS), raporton REL. Fuqi rajonale dhe ndërkombëtare kanë nisur kontaktet me liderët e rinj në Siri pas rrëzimit të Asadit përmes një ofensivë, duke i dhënë fund pesë dekadave të sundimit të familjes së tij.
“Diplomati ynë kryesor për Sirinë do të shkojë sot në Damask. Do të kryejmë kontaktet atje”, u tha Kallas gazetarëve para një takimi të ministrave të Jashtëm të BE-së.
Vendet e BE-së — si vende të tjera në Perëndim — janë treguar të kujdesshëm në deklaratat ndaj udhëheqjes së re në Damask, duke pasur parasysh që HTS-ja kishte rrënjë në Al-Kaeda dhe është e listuar si një grup terrorist nga një numër qeverish. Kallas tha se ministrat e Jashtëm të BE-së në Bruksel do të diskutojnë “se si të angazhohemi me udhëheqjen e re të Sirisë dhe në çfarë niveli të angazhohemi”.
“Nuk mund ta lëmë një vakum”, tha Kallas, e cila mori detyrën si diplomate kryesore e BE-së këtë muaj. “Për ne, nuk janë vetëm fjalët, por duam të shohim veprime që shkojnë në drejtimin e duhur. Pra, jo vetëm çfarë po thonë, por edhe çfarë po bëjnë”, tha Kallas. “Mendoj se javët dhe muajt e ardhshëm do të tregojnë nëse gjërat do të shkojnë në drejtimin e duhur. Dhe mendoj se atëherë do të jemi të hapur për të diskutuar hapat e ardhshëm”, shtoi ajo.
Lajmi kryesor: