Avioni me pasagjerë i Azerbaijan Airlines, i cili u rrëzua dje dyshohet se është goditur gabimisht nga sistemi mbrojtës kundërajror rus. Avioni me 67 persona në bord u rrëzua në Kazakistan pranë qytetit Aktau.
Në trupin e avionit ka shenjat e plumbave, dhe sipas dëshmive të të mbijetuarve, ishte dëgjuar një shpërthim i jashtëm. Mendohet se avioni, për shkak të motit të keq, kishte tentuar të ulej tri herë, duke ngatërruar sistemin kundërajror. Detaje më të sakta priten të merren nga analizat e kutisë së zezë të avionit, e cila është rikuperuar gjatë mbrëmjes.
Ndërkohë fillimisht u përmend mundësia e një përplasjeje me një tufë zogjsh.
Nga të dhënat e Flightradar24, avioni kishte ndërruar shpesh lartësinë gjatë fluturimit mbi Detin Kaspik përpara se të rrëzohej, 433 kilometra larg destinacionit fillestar.
Në kushte normale, fluturimi nga Baku në Grozni do të zgjaste më pak se një orë, por ky fluturim zgjati mbi 2 orë e 33 minuta, me ndërprerje të pjesshme të transmetimit të të dhënave për shkak të ndërhyrjeve në sinjalet pranë Groznit.
Autoritetet kazake raportuan 38 viktima dhe 29 të mbijetuar, mes të cilëve edhe tre fëmijë. Në bord ishin 37 pasagjerë nga Azerbajxhani, gjashtë nga Kazakistani, tre nga Kirgistani dhe 16 nga Rusia, përveç ekuipazhit.
Hetimet
Kompania ajrore ka njoftuar pezullimin e fluturimeve nga Baku në Çeçeni. Ndërsa policia kazake ka hapur një procedim penal: “Zyrtarët e departamentit të policisë së transportit kanë nisur një hetim paraprak mbi akuzën për shkelje të rregullave të sigurisë së operacioneve të transportit që ka çuar në vdekjen e dy ose më shumë personave nga neglizhenca,” ka deklaruar departamenti.
Grupi hetimor, i koordinuar nga prokurorë të posaçëm të Prokurorisë së Përgjithshme, përfshin ekspertë nga Prokuroria e Transportit, Ministria e Brendshme dhe Ministria e Situatave të Emergjencës. Një komision qeveritar, ku përfshihet edhe Prokurori i Përgjithshëm i Transportit, është nisur drejt vendit të aksidentit dhe hetimet po mbikëqyren nga Prokurori i Përgjithshëm i Kazakistanit, sipas zyrës së tij. Ndërkohë, presidenti azer Ilham Aliyev, i cili kishte shkuar në Rusi për të marrë pjesë në një samit informal të liderëve të Komunitetit të Shteteve të Pavarura me Vladimir Putin, ndërpreu vizitën e tij për t’u kthyer në Azerbajxhan, njoftoi zyra e shtypit i presidencës.
Embraer 190 i Azerbaijan Airlines
Avioni i rrëzuar, një Embraer 190, është një model i avionëve rajonalë me turbina, i ndërtuar në fillim të viteve 2000. Ai ka kapacitet për 94 deri në 114 pasagjerë. Në Itali, kompania Air Dolomiti zotëron 15 avionë të këtij modeli, ndërsa Azerbaijan Airlines ka tetë të tillë.
Ky nuk është aksidenti i parë në historinë e këtij modeli. Më 29 nëntor 2013, një avion i kompanisë LAM Linhas Aéreas de Moçambique u rrëzua në Namibi, asnjë nuk mbijetoi. Në bord ishin 27 pasagjerë dhe gjashtë anëtarë të ekuipazhit. Në vitin 2018, një Embraer 190 i një kompanie meksikane nuk arriti të ngrihej nga pista, duke shkaktuar 85 të lënduar, por pa viktima.
Tre aksidente ajrore janë të lidhura me kompaninë azerbajxhanase. Dy ndodhën në vitin 1995 (një në nëntor dhe një në dhjetor), me 52 viktima në aksidentin e dytë si pasojë e një defekti në motor. Aksidenti i tretë ndodhi në vitin 2005, kur një avion Antonov An-140 u rrëzua në Detin Kaspik për shkak të një avarie, duke mos lënë asnjë të mbijetuar nga 23 personat në bord.