Beja: Rezoluta çame u miratua
në 2004, Idrizi: Të hetohet

Beja: Rezoluta çame u miratua<br />në 2004, Idrizi: Të hetohet
TIRANE-  Shqyrtimi i pr/rezoluta çame e propozuar nga Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU), në mbledhjen e Komisionit të Jashtëm mori një tjetër rrjedhë kur Kryetari i Komisionit Fatos Beja solli në vëmendje një votim të 2004 të kësaj rezolute. Sipas Bejës rezolutë  nuk i ka marrë votat e duhura për miratim në parlament, por që mbetet ende aktive si propozim, pasi rrëzimi i saj nuk është regjistruar në fletoren zyrtare.

Në atë kohë në qeverisje ishte kryeministri Fatos Nano dhe PD e kryeministrit aktual Berisha ishte në opozitë.

Nga ana e tij Idrizi u shpreh i befasuar duke shtuar se rezoluta e 2004-s në procesverbal figuron se nuk është miratuar.  Edhe ish kryertari i Kuvendit të 2004, Servet Pëllumbi deklaroi se në të vërtetë ajo rezolutë nuk është miratuar.

Kryetari demokrat Fatos Beja gati i surprizoi anëtaret e komisionit, duke risjellë në vëmendje se rezoluta është miratuar në Parlament njëherë në 2004 me votat e PD-së, por nuk është regjistruar në fletoren zyrtare. Duke iu referuar tabelës së votimit, rezoluta ka marrë 53 vota pro, 4 kundër dhe 44 abstenim.

“Nuk mund të bëjmë një rivotim. Ekziston fakti, procedurat janë problematike, mund të ecet në drejtim të korrigjimit të procedurave për të ardhur te Kushtetuta, por ne nuk mund të shkelim një gjë që është votuar. Unë jam i vetëdijshëm që aty ka një problem, për ju si nismëtarë, unë e kuptoj që është një vështirësi për ju si nismëtarë, sepse nuk është qarkulluar publikisht për fat te keq, sepse edhe unë kur po shikoja materialet e mia, kërkova ta çertifikoja dhe e para vështirë për ta gjetur dhe ky është problemi", tha Beja.

" Jam i befasuar, që ju po paraqisni një rezolutë e cila qenka e miratuar në vitin 2004. Sepse në memorien historike të shqiptarëve dhe në memorien tonë dimë, që projekt rezoluta është rrëzuar në 2004..Zotëri, nuk është çështje informimi, por nëqoftëse kjo rezolutë do të ishte miratuar, atëherë do të futej në Fletoren Zyrtare të vendimeve. Kemi një vendim dhe votim të parlamentarëve që ju paraqisni në këto kushte propozoj që t’i drejtohemi kryetares së Kuvendit apo kryesisë së Kuvendit të na bëjë me dije nëse është fuqi. " tha Idrizi.

"Duhen parë arkivat e Kuvendit, di që deputetët kanë votuar në 2004. Pardje e mora vesh, edhe unë nuk e dija."- u shpreh Fatos Beja.


Deputeti tjetër i PDIU-së, Dashamir Tahiri fajësoi ish-kryetarin socialist të Kuvendit, Servet Pëllumbi, duke kërkuar shpjegime prej tij.
"Ka falsifikuar vullnetin e popullit. Ky kryetar Parlamenti i asaj kohe duhet t'i paraqitet drejtësisë për këtë që ka bërë", tha deputeti i PDIU-së, Dashamir Tahiri. Të gjendur përpallë një situate të tillë, PDIU duke e vlerësuar fshehjen e këtij fakti si tejet të rëndë dhe të turpshëm kërkoi vijimin e procedurave për hyrjen në fuqi të rezolutës së vitit 2004.
 
Deputeti Kastriot Islami kërkoi shpjegime mbi këtë pr/rezolutë. “Parlamenti të na japë informacion mbi këtë dokument.”- tha Islami.

Mbledhja e komisionit të jashtëm u mbyll në pritje të një vendimi zyrtar nga kryetarja e kuvendit nëse ka apo jo një rezolutë të miratuar në 2004-ën dhë nëse po si do të procedohet më tej.

ISH KRYETARI I SHOQATES CAMERIA: REZOLUTA S'U MIRATUA NE 2004

Ish kryetari i Shoqatës së Çamërisë, Servet Mehmeti në një prononcim për TVA1REPORT mohon që kjo rezolutë të jetë kaluar nga Parlamenti në 2004.
“Rezoluta çame nuk ka kaluar në Kuvend në 2004. Servet Pëllumbi ka raportuar 53 vota pro, 57 abstenim dhe 4 kundër.” - kujton Mehmeti duke shtuar se ish-kreu i shoqatës Çamëria ka protestuar para Kuvendit pse nuk u miratua. Madje ai kujton se ndaj tij është ushtruar dhunë, ndaj shoqatës Çamëria e cila protestonte tek hyrja e Kuvendit.

ILIR BABARAMO: REZOLUTA NE 2004 S'U VOTUA, NE SEANCE NUK ISHTE AS NANO AS BERISHA

Drejtori i Përgjithshëm i TV A1 REPORT, Ilir Babaramo kujton se në pranverën e 2004 rezoluta nuk është aprovuar. “Në atë periudhë kryeministër ishte Fatos Nano ndërsa kryetari i PD-së ishte Berisha, dhe të dy në atë seancë nuk kanë qenë të pranishëm. Unë e mbaj mend shumë mirë. Nëse hapen procesverbalet çdo gjë del e qartë. Të dyja palët u përpoqën të mos ngacmonin fqinjët. Situata ishte dramatike sa jashtë sallës së Kuvendit ishin qindra pjesëtarë të shoqatës Çamëria të cilët po protestonin pasi kërkonin miratimin e rezolutës dhe ndaj tyre ushtrua dhunë shumë e egër. Drejtuesit e asaj shoqate u shoqëruan në polici nën akuzën e protestave të paligjshme. Dhunë u ushtrua edhe ndaj tyre. E kujtoj që në emisionin tim erdhi Servet Mehmeti dhe kishte plagë në fytyrë nga dhuna”- kujton Ilir Baramo.

Drejtori i Përgjithshëm i TVA1 REPORT! thotë se “Politika shqiptare po përpiqet që me këtë artificë të kalojë situatën e krijuar, komplekse ku po flitet për koalicione parazgjedhore."

DEPUTETET: NE 2004 NUK U NUMERUAN VOTAT ABSTENIM TE MINISTRAVE

Deputetët aktualë si dhe ish-deputetë të së majtës konfirmojnë se në votimin elektronik, kopje e së cilës është dorëzuar në Komisonin e Jashtëm ku thuhet se rezoluta çame konsiderohet e miratuar me 53 vota pro, 44 abstenime dhe 4 kundër, nuk janë të numëruara votat absetime të ministrave. Kjo, pasi ata në atë kohë nuk kanë patur sistem elektronik votimi, por vetëm mundësinë e votimit nëpërmjet kartonëve. “Ministrat votonin vetëm me kartona. Kur u duhej për të votuar votime të fshehta zbrisnin dhe votonin në sallë. Kjo ka qenë procedura e ndjekur atëherë”, thotë ish-deputeti i PS, Petro Koçi. Ndonëse në votimin elektronik të seancës së datës 8.04.2004 tregon 44 pabstenime, ai nuk ka të llogaritur dhe votatat e ministrave me kartonë, të cilët llogartieshin 11 të pranishëm prej tyre ç`ka bënte që kjo rezolutë të mos miratohej pasi ishin mbi 53 vota abstenime. Kjo ka qenë dhe arsyeja pse nuk është botuar ky vendim në Fletoren Zyrtare. Në atë votim ka patur emra nga PS dhe aleatët e saj që kanë mbështetur votimin e rezolutës Çame.

PËLLUMBI: GJITHÇKA ËSHTË NË KUVEND, TË HETOJNË

Ish-kryetari i Kuvendit në vitin 2004, profesori i socialistëve Servet Pëllumbi, i cili ka pasur si nënkryetare numrin një të Kuvendit sot Jozefina Topalli, thotë se gjithë dokumentacioni për rezolutën çame të vitit 2004 është në Kuvend. “Kanë kaluar nëntë vite që nga koha e rezolutës, e për këtë drejtojuni administratës së Kuvendit, pasi aty është gjithçka. E duan këtë debat për të zhvendosur vëmendjen nga problemet aktuale. Le të hetojnë si të duan”, ka deklaruar shkurt ish-kreu i Kuvendit Pëllumbi. Profesori i socialistëve nuk ka preferuar të flasë më tepër, duka ia lënë gjithçka dokumentacionit që është arkivuar në Kuvend për këtë çështje dhe për të cilën administrata e legjislativit ka dijeni.

IDRIZI KERKOI DHE SHQYRTIMIN E PR/ REZOLUTES ALTERNATIVE TE PS
Gjatë mbledhjes Idrizi i kërkoi komisionit të Jashtëm të marrë në shqyrtim dhe pr/rezolutën alternativë të ofruar nga Partia Socialiste. "Ne tani kemi dy propozime, të shqyrtohet edhe ajo e PS. Të arrihet në një rezolutë konsensuale e unifikuar. Ne kërkojmë riaktivizimin e traktatit të miqësisë me Greqinë. Rishikojeni me kujdes traktatin e miqësisë, merreni si pikë reference”- tha Idrizi.

Në mbledhjen e fundit të komisionit (5 prill), dy relatorët, Fatbardh Kadilli (PD) dhe Qemal Minxhozi (PS) kërkuan më shumë kohë në hartimin e një drafti përfundimtar, ndërsa mbledhja u shoqërua me debate të ashpra mes deputetëve të PDIU-së dhe deputetit të PBDNJ-së, Vangjel Dule.

Ky i fundit u shpreh kundër shqyrtimit të pr/rezolutës me argumentin se është e papërcaktuar në procedurat ligjore. Por, sipas Idrizit, diskutimi i rezolutës është në mbështetje të ligjit dhe çështja çame duhet të zgjidhet.

Dy ditë më parë, Partia Socialiste propozoi një pr/rezolutë të sajën për çështjen çame. Në prezantimin e saj kryetari i PS-së, Edi Rama, tha se kjo çështje duhet të trajtohet në përputhje me normat e gjithëpranuara të së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, si një çështje politike në marrëdhëniet me Greqinë dhe për të cilën kryeministri shqiptar do të duhet të raportojë dy herë në vit në parlament për ecurinë e saj.
Propozimi socialist u përshëndet nga kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, i cili kërkoi që komisioni i jashtëm të angazhohet në konsultime që të përfshijnë edhe propozime të tjera.

Votimi i rezolutës çame në Kuvend është vendosur si kusht nga PDIU për përfshirjen e saj në aleancat parazgjedhore. Rezoluta e depozituar në Kuvend në dhjetor 2012, ndër të tjera "njeh, mbështet dhe angazhohet për nevojën e restaurimit të të gjithë të drejtave të shqiptarëve çamë, dikur nënshtetas grekë, në përputhje me rrethanat e reja, sipas parimeve të legjislacionit ndërkombëtar mbi genocidin, spastrimin etnik, procesin e rregullt ligjor, mosdiskriminimin mbi bazë të kombësisë, e parimet e tjera të ndërlidhura me to, si dhe frymën e Traktatit të Miqësisë midis dy vendeve".

(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Nëntor, 23:23

    A po japin rezultat protestat e PD-së?



×

Lajmi i fundit

Namir Lapardhaja: Flojera Davidhi – gjyqtare e ‘fjalës së lirë’ apo ‘e kapur nga Edi Rama’?

Namir Lapardhaja: Flojera Davidhi – gjyqtare e ‘fjalës së lirë’ apo ‘e kapur nga Edi Rama’?